Regjistrohu/Kyçu

Veshkat, infeksionet e traktit urinar

Infeksionet janë sëmundje të cilat shkaktohen nga mikrobet – organizmat shumë të vegjël të cilat shihen vetëm me mikroskop. Infeksioni i traktit urinar është kur mikroorganizmat shkaktojnë infektim të rrugëve urinare.

Bakteret janë shkaktarët më të shpeshtë të infeksionit të traktit urinar. Normalisht, bakteret futen në rrugët urinare dhe shpejt largohen nga organizmi para se ato të shkaktojnë simptoma. Por ndonjëherë bakteret mund t’i tejkalojnë barrierat mbrojtëse natyrore të organizmit dhe të shkaktojnë infeksion.

Trakti urinar është sistemi i kullimit të organizmit i cili eliminon mbeturinat dhe ujin e tepërt nga organizmi. Trakti urinar përbëhet prej dy veshkave, dy ureterëve, një fshike të urinës dhe një uretre.

Veshkat janë një palë organe në formë të kokrrës së fasules secila me madhësinë e grushtit. Ato janë të vendosura në zonën abdominale nën brinjë, secila në secilën anë, të drejtuara pak mesi i shpinës. Secilën minutë, ato filtrojnë rreth 90 mililitër gjak, dhe prodhojnë prodhojnë urinë duke larguar mbeturinat dhe ujin e tepërt nga qarkullimi i gjakut.

Sasia e urinës që ato prodhon çdo ditë ndryshon nga një deri në dy litra. Urina mblidhet në një hapësirë të zbrazët (pelvikun renal) që ndodhet në mes të secilës veshkë. Urina nga pelviku renal (legeni i veshkave) kalon në fshikën e urinës përmes gypave të gjatë të quajtura ureterë (nga një për secilën veshkë). Më pas, urina largohet nga fshika e urinës përmes një gypi tjetër më të shkurtër të quajtur uretër (ureteri dhe uretra dallojnë).

Shumica e rasteve me ITU shkaktohen nga bakteret të cilat jetojnë në zorrë. Bakteri Escherichia coli (E. coli) shkakton shumicën e rasteve me ITU. Trakti urinar ka disa sisteme për parandalimin e infeksionit. Pikat ku ureterët lidhen me fshikën e urinës veprojnë si një valvulë për të parandaluar urinën të rikthehet sërish në veshka, dhe urinimi pastron mikrobet nga organizmi. Te meshkujt ekziston një gjëndër e quajtur prostatë e cila prodhon sekrete për të ngadalësuar zhvillimin e baktereve. Edhe sistemi imun po ashtu parandalon infeksionet, te të dyja gjinitë. Por pavarësisht kësaj mbrojtje të lartë, infeksionet edhe më tej ndodhin.

Njerëzit e cilësdo moshë ose gjini mund të preken nga ITU. Por infeksionet e traktit urinar janë rreth katër herë më të shpeshta te femrat se te meshkujt. Femrat kanë uretër më të shkurtër, që e bën më të lehtë për bakteret të arrijnë në fshikën e urinës. Po ashtu, hapja e uretrës së femrave është afër vagjinës dhe anusit, ku bakteret jetojnë më së shumti. Femrat të cilat përdorin diafragmë ose spirale kontraceptive po ashtu janë më të prira të preken nga infeksionet e traktit urinar, se sa femrat të cilat përdorin tableta kontraceptive për të kontrolluar lindjen.

Njerëzit tjerë më të rrezikuar për t’u prekur nga infeksionet e traktit urinar janë:

  • njerëzit me diabet ose probleme tjera të sistemit imun (mbrojtjes natyrale) të organizmit;
  • ata të cilët kanë nevojë për gyp (kateter) për të zbrazur fshikën e urinës;
  • ata me çrregullime të traktit urinar, te të cilët është e penguar rrjedhja e urinës;
  • njerëzit me lëndime të palcës kurrizore ose dëmtim tjetër nervor.

Shumica e infeksioneve të rrugëve urinare nuk janë serioze, por disa mund të çojnë deri në probleme shumë serioze. Infeksionet kronike të veshkave – infeksionet të cilat përsëriten kohë pas kohe ose zgjatin një kohë të gjatë – mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme, përfshirë dhëmbëzime të veshkave, funksion të dobët të veshkës, tension të lartë të gjakut dhe probleme të tjera. Disa infeksione akute të veshkave – infeksione të cilat zhvillohen menjëherë – mund të jenë kërcënuese për jetën, veçanërisht nëse bakteret futen në qarkullimin e gjakut, një sëmundje e cila quhet septikemi.

Ju duhet të vizioni mjekun nëse keni ndonjëherë prej këtyre shenjave ose simptomave:

  • ndjenjë djegieje kur urinoni;
  • nevojë e shpeshtë ose e intensifikuar e urinimit, edhe kur ju keni vetëm pak urinë për të nxjerrë;
  • dhimbje në shpinë ose anash belit nën brinjë;
  • urinë të turbullt, të errët, me gjak ose me aromë të keqe;
  • temperaturë ose të ftohtë.

Mjeku arrin t’i diagnostikojë infeksionet e traktit urinar duke ju pyetur për simptomat dhe pastaj duke ju kërkuar të bëni analizat e urinës. Urina juaj kontrollohet me mikroskop për baktere dhe qeliza të bardha të gjakut, që janë produkt i luftës ndaj infeksionit. Pasi bakteret mund të gjenden edhe te njerëzit e shëndetshëm, infeksioni i traktit urinar diagnostikohet përmes të dyja metodave, duke shikuar simptomat dhe duke shikuar rezultatet e analizave laboratorike.

Nëse keni infeksione të përsëritura ose jeni në spital, urina juaj mund të kultivohet. Kultura performohet duke vendosur një pjesë të urinës në një epruvetë ose pjatë me substancë që stimulon zhvillimin e baktereve të pranishme. Sapo bakteret të shumohen, që zakonisht kërkon një deri në tre ditë, ato mund të identifikohen. Mjeku juaj po ashtu mund t’ju kërkojë të bëni testin e ndjeshmërisë, që teston ndjeshmërinë e baktereve ndaj antibiotikëve të ndryshëm për të parë se cili prej tyre është më i miri për trajtimin e infeksionit.

Nëse keni infeksione të përsëritura, mjeku juaj po ashtu mund t’ju porosisë një ose më shumë teste për të parë nëse trakti juaj urinar është në gjendje normale.

Utrazëri i veshkave dhe fshikës – Ultrazëri shfrytëzon një pajisje e cila shpërndanë valë të sigurta, jo të dhimbshme të zërit brenda në organe për të krijuar një pamje të strukturës së tyre. Procedura realizohet në zyrën e mjekut, në qendrën jashtëspitalore, ose në spital nga tekniku i specializuar (ose vetë mjeku) dhe pamjet interpretohet nga mjeku radiolog – mjeku i cili është i specializuar në imazhet (fotografitë) mjekësore. Për këtë procedurë nuk ka nevojë anestezion – mpirje e organizmit. Imazhet mund të tregojnë abnormalitete të veshkave dhe fshikës. Megjithatë, ky test nuk mund të zbulojë të gjitha abnormalitetet e rëndësishme urinare ose të kalkulojë se sa mirë funksionojnë veshkat.

Cistouretrogrami i zbrazjes – Ky test është një fotografim me rreze X i fshikës dhe retrës i realizuar derisa fshika është e mbushur dhe gjatë urimit (zbrazjes). Derisa ju qëndroni në tabelën e rrezeve X, personeli mjekësor fut majën një gypi të hollë, të lakueshëm, të quajtur katetër nëpër uretër në fshikën e urinës. Fshika dhe retra e juaj janë të mbushur me një ngjyrë speciale, të quajtur kontrast medium, i cili i bën organet tuaja të dukshme në fotografitë me rreze X. Rrezet X merren nga kënde të ndryshme derisa fshika juaj është e mbushur me kontrastin. Kateteri më pas largohet dhe fotografimi me rreze X bëhet derisa ju urinoni. Procedura realizohet në ordinancën e mjekut, në qendrën të veçantë ose edhe në spital nga tekniku i rrezeve X. Tekniku mbikëqyret nga radiologu derisa merren pamjet e organeve të brendshme. Radiologu më pas i interpreton pamjet e marra me rreze X (ua shpjegon gjendjen e organeve nga ajo që sheh në fotografi). As në këtë rast nuk ka nevojë për anestezion, por një qetësues i lehtë mund të përdoret nëse ju keni nevojë. Ky test tregon abnormalitetet e zonave brenda retrës dhe fshikës. Testi po ashtu mund të përcaktojë nëse qarkullimi i urinës është normal kur fshika juaj është e zbrazët.

Tomografia kompjuterike – Skanimet me anë të tomografisë kompjuterike (CT) përdorim kombinimin e rrezeve X dhe teknologjisë kompjuterike për të krijuar imazhe 3-D. Skanimi me CT mund të përfshijë injektimin e kontrast mediumit. Skanimet me CT kërkojnë që ju të qëndroni të shtrirë në një tavolinë e cila futet në një pajisje në formë tuneli ku shpërndahen rreze X. Procedura realizohet në qendër të veçantë ose edhe në spital nga ana e tekniku radiolog dhe pamjet më pas interpretohen nga specialisti radiolog. As në këtë rast nuk ka nevojë për anestezion. Skanimi me CT mund të sigurojë një pamje më të qartë dhe më të detajizuar të organit që ekzaminoni (në këtë rast veshkës, ureterit, fshikës ose uretrës), që do t’i ndihmojë mjekut ta kuptojë problemin.

Rezonanca magnetike – Fotografimi me anë të aparaturave për rezonancë magnetike përdor valët e radios dhe ato magnetike për të prodhuar pamje të detajizuara të organeve të brendshme të trupit dhe indeve të buta pa pasur nevojë të përdoren rrezet X. Rezonanca magnetike mund të përfshijë një injektim të kontrast mediumit. Te shumica e aparaturave për rezonancë magnetike, ju qëndroni të shtrirë në një tavolinë e cila futet në një pajisje në formë tuneli që mund të jetë me fund të mbyllur ose të hapur. Disa aparatura të reja ofrojnë më shumë hapësirë në brendi të pajisjes. Edhe në këtë rast procedura mund të realizohet nga tekniku radiolog por interpretimi bëhet nga specialisti radiolog. Anestezioni nuk është i nevojshëm te fotografimi me rezonancë magnetike, edhe pse mund të aplikohen qetësues të lehtë nëse ju keni frikë nga hapësira e pajisjes. Si edhe në rastin e skanimit me CT, fotografimi me RM mund të japë një pamje më të qartë dhe të detajizuar të pjesës së organizmit e cila ekzaminohet, në këtë rast veshkës, fshikës dhe rrugëve urinare.

Skanimi radionuklid – Kjo është një teknikë e fotografimit e cila mbështetet në detektimin e sasive të vogla të substancave rrezatuese pasi ato fillimisht injektohen në organizëm. Pasi doza e substancave radioaktive është e vogël, rreziku i dëmtimit të qelizave është i paktë. Kamera dhe kompjuterë të specializuar përdoren për të krijuar pamje të substancës radioaktive, derisa ajo kalon nëpër veshkë. Lëndët radioaktive që injektohen në gjakut tuaj mund të japin detaje për funksionin e veshkave tuaja. Lëndët radioaktive po ashtu mund të vendosen në lëngje për të mbushur fshikën e urinës dhe uretrën edhe te metodat e rrezatimit X, rezonancës magnetike (RM) dhe tomografisë kompjuterike (CT).

Urodinamika – Analiza urodinamike është cilado procedura e cila shikon se sa mirë fshika, muskujt shtrëngues dhe uretra e deponojnë dhe zbrazin urinën. Shumica e këtyre testeve realizohet në ordinarë nga ana e urologut – mjekut të specializuar për probleme të rrugëve urinare. Disa procedura mund të kenë nevojë për qetësues të lehtë për ta qetësuar pacientin. Shumica e analizave urodinamike fokusohen në aftësinë e fshikës së urinës për ta mbajtur urinën dhe për t’u zbrazur në mënyrë të rregullt dhe plotësisht. Analizat urodinamike po ashtu mund të tregojnë nëse fshika juaj ka kontraksione anormale të cilat bëjnë që urina të rrjedhë pa vullnetin tuaj. Mjeku mund t’u udhëzojë t’i bëni këto teste nëse ka dëshmi se ju keni ndonjë nerv të dëmtuar.

Cistoskopia – Cistoskopia është procedurë e cila përdor një instrument në formë gypi për të shikuar brenda uretrës dhe fshikës. Cistoskopia realizohet nga mjeku në ordinancën e tij, klinikë ose spital me anestezion lokal. Megjithatë, në disa raste, ka nevojë për qetësim dhe anestezi regjionale ose të përgjithshme. Cistoskopia mund të përdoret për të gjetur ënjtje, skuqje dhe shenja të tjera të infeksionit.

Si trajtohen infeksione te traktit urinar?

Infeksionet e traktit urinar trajtohen me antibiotikë të cilët vrasin bakteret që e kanë shkaktuar infeksionin. Antibiotikët e përshkruar do të varen nga lloji i baktereve që kanë shkaktuar ITU te ju. Disa antibiotikë mund të përjashtohen nëse ju jeni alergjikë në to. Tregoni mjekut tuaj nëse jeni alergjikë në ndonjë bar.

Ju mund të keni nevojë të merrni antibiotikë për disa ditë ose për shtatë ditë ose më shumë. Kohëzgjatja e trajtimit varet nga disa faktorë:

  • sa i ashpër është infeksioni
  • nëse iu janë dhënë antibiotikët e duhur që në fillim
  • nëse bakteret u rezistojnë antibiotikëve
  • nëse keni infeksione që përsëriten
  • nëse keni trakt urinar anormal i cili bllokon qarkullimin e urinës
  • nëse jeni mashkull ose femër; meshkujt mund të kenë nevojë për trajtim më të gjatë pasi bakteret mund të fshihen thellë brenda indit të prostatës.

Ndiqni me kujdes dhe plotësisht instruksionet e mjekut tuaj kur përdorni antibiotikë.

Pirja e shumë lëngjeve dhe urinimi më i shpeshtë do ta përshpejtojnë shërimin. Nëse ka nevojë, ju mund të duhet të merrni barna të ndryshme për të qetësuar dhimbjet e traktit urinar. Një leckë ngrohëse në shpinë ose abdomen mund të ndihmojnë.

A mund të rikthehen infeksionet e traktit urinar?

Për shumicën e njerëzve, përgjigja është jo. Por rreth një në çdo pesë gra të reja, të cilat kanë një infeksion të traktit urinar, do të kenë edhe infeksion tjetër. Disa gra kanë tre ose më shumë infeksione gjatë një viti.

Meshkujt janë më pak të prirë se femrat për të pasur infeksion të parë të traktit urinar. Por, kur preket njëherë, mashkulli është më i prirë të ketë edhe një tjetër infeksion, pasi bakteret fshihen thellë brenda indit të prostatës. Çdokush i cili ka diabet ose ndonjë problem që e vështirëson urinimin, mund të ketë infeksione të përsëritura.

Nëse ju keni infeksione të përsëritura, mjeku juaj mund t’u udhëzojë të vizitoni një urolog. Bisedoni me mjekun tuaj ose urologun për planin special të trajtimit. Për shembull, ju mund të keni nevojë për antibiotikë për një kohë të gjatë për të ndihmuar parandalimin e përsëritjes së infeksioneve.

Disa pacientë me infeksione të shpeshta urinare trajtohen me kombinim antibiotikësh qysh herën e parë kur shfaqen shenjat e infeksionit. Sigurohuni se i keni kuptuar dhe se i ndiqni instruksionet që u jep personeli shëndetësor (mjeku familjar apo specialisti urolog).

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni