Regjistrohu/Kyçu

Thartira

Me ndihmën e gravitetit, një valvul muskulor i quajtur sfinkteri i poshtëm ezofageal e mban acidin (thartirën) brenda në lukth. Ky sfinkter gjendet në vendin ku ezofagu takohet me lukthin. Normalisht hapet për kalimin e ushqimit në lukth ose për të lejuar gromësimën; pastaj mbyllet përsëri. Por, nëse sfinkteri hapet shumë shpesh ose nuk mbyllet mirë, acidi i lukthit mund të bëjë refluks (të shkojë lartë), ose të depërtojë në ezofag dhe të shkaktojë ndjenjën e djegies.

Djegësira e herëpashershme nuk është e rrezikshme, por urthi kronik ose sëmundja e refleksit gastroezofageal nganjëherë mund të çojë deri te probleme tjera serioze.

Shkaktari themelor i kthimit të acidit në ezofag është sfinkteri i poshtëm, i cili nuk mbyllet si duhet.

Njëherësh janë edhe dy teprime që zakonisht i kontribuojnë këtij problemi: sasia e madhe e ushqimit në lukth (ushqyerja e tepruar) dhe presioni i tepërt në lukth (më së shpeshti nga mbipesha apo shtatzënia).

Ushqimet e caktuara e relaksojnë sfinkterin – si domatet, agrumet, hudhra, qepa, çokollata, kafja, alkooli, produktet me kafeinë dhe karamelet mente. Ushqimi i pasur me yndyra dhe vajra shpesh çon te djegësira. Ngjashëm veprojnë edhe disa barna.

Stresi dhe mungesa e gjumit mund ta shtojnë prodhimin e acidit dhe të shkaktojnë thartirë. Edhe duhanpirja që relakson (zbut) sfinkterin e poshtëm ezofageal dhe stimulon acidin e lukthit, është një kontribuues i madh i djegësirës.

Sëmundja e refluksit gastroezofageal

Nëse simptomat e refluksit acidik përsëriten më shumë se dy herë në javë, atëherë keni sëmundje të refluksit e njohur si GERD – sëmundja e refluksit gastroezofageal.

Një shkaktar i shpeshtë i GERD është anomalia e quajtur hernia hiatale. Kjo ndodh kur pjesa e sipërme e lukthi dhe sfinkteri lëvizin mbi diafragmë (muskuli që ndan barkun nga kafazi i kraharorit). Normalisht, diafragma ndihmon në mbajtjen e acidit në lukth. Mirëpo, nëse keni herni hiatale, acidi mund të kalojë lartë në ezofag dhe të shkaktojë simptomat e sëmundjes së refluksit acidik.

Faktorët tjerë të rrezikut për GERD janë:

  • Konsumim i sasive të mëdha të ushqimit ose shtrirja menjëherë pasi të keni ngrënë ushqim
  • Mbipesha
  • Shtrirja në shpinë ose përkulja pas konsumimit të sasisë së madhe të ushqimit
  • Ngrënia përpara gjumit
  • Konsumimi i ushqimeve të caktuara, si agrumet, domatet, çokollata, mente, hudhra, qepa, ushqimet djegëse ose yndyrore
  • Pijet, si alkooli, lëngjet e gazuara, kafja ose çaji
  • Duhanpirja
  • Shtatzënia
  • Barnat, si aspirina, ibuprofeni, relaksuesit muskulorë, barnat për shtypjen e gjakut.

Simptomat e refluksit acidik

Refluksi gastroezofagealshfaqet përmes disa simptomave (shenjave) dy prej të cilave janë simptomat më të shpeshta dhe të zakonshme, ndërsa të tjerat janë më të rralla dhe jo gjithnjë të pranishme.

Simptomat e shpeshta:

  • Djegësira: Dhimbje djegëse ose siklet që mund të lëvizë nga lukthi drejt abdomenit ose gjoksit, ose deri lartë në fyt
  • Regurgitimi: Ndjenjë e hidhur e acidit që vjen mbrapa në fyt ose në gojë.

Simptomat tjera:

  • Fryrje
  • Jashtëqitje me gjak ose njolla të zeza, apo vjellje me gjak
  • Gromësimë
  • Disfagi (ngushtim i ezofagut që krijon ndjesi se ushqimi ju ka mbetur në fyt)
  • Lemzë që nuk largohet
  • Nauze (mundim në lukth)
  • Humbje në peshë për arsye të panjohura
  • Gulçitje gjatë frymëmarrjes, kollë e thatë, ngjirje e zërit ose dhimbje kronike e fytit.

Si diagnostikohet refluksi gastroezofageal?
Nëse keni simptoma të refluksit acidik dy ose më shumë herë në javë, atëherë duhet ta vizitoni mjekun. Simptomat si djegësira janë thelbësore për diagnozën. Po ashtu, edhe në rast se ndryshimet në mënyrën jetësore, antacidet ose barnat që bllokojnë acidin në lukth ndihmojnë, atëherë kjo ndihmon në përcaktimin e diagnozës për këtë sëmundje. Për ta konfirmuar diagnozën, mjeku mund të rekomandojë edhe teste të tjera speciale.

Trajtimi i refluksit acidik

Refluksi gastroezofageal mund të trajtohet në disa mënyra. Fillimisht ju duhet të provoni ndryshime në dietë dhe në mënyrën e të të jetuarit. Nëse kjo nuk ju ndihmon, atëherë mjeku do t’ju përshkruajë barna ose mund t’ju udhëzojë të bëni edhe ndërhyrje kirurgjike.

Ndryshimi në dietë dhe në mënyrën jetësore

Një nga mënyrat më efektive për të trajtimin e refluksit acidik është shmangia e ushqimeve dhe pijeve që nxisin shfaqjen e simptomave. Ndiqni këto këshilla për të minimizuar problemet me refluksin gastroezofageal:

  • Hani sasi më të vogël të ushqimit dhe më shpesh gjatë ditës
  • Ndaleni duhanin
  • Çojeni më lartë krevatin kah pjesa ku e mbani kokën
  • Mos hani së paku dy-tre orë para se të flini
  • Gjatë ditës provoni të flini në karrige, ose në pozitë më të ngritur
  • Mos vishni rroba të ngushta dhe mos e shtrëngoni shumë rripin
  • Nëse keni mbipeshë, nënshtrojuni ndonjë diete për largimin e kilogramëve
  • Po ashtu, pyeteni mjekun rreth barnave që mund ta nxisin refluksin (ndër to janë aspirina dhe ibuprofeni).

Trajtimi me medikamente

Në shumicën e rasteve ndryshimet në mënyrën e jetesës dhe medikamentet janë krejt çfarë ju duhet për të kontrolluar simptomat e sëmundjes së refluksit gastroezofageal.
Antacidet mund ta neutralizojnë acidin që ngjitet lart në ezofag nga lukthi juaj. Por ato mund të shkaktojnë barkqitje apo kapsllëk, sidomos nëse i përdorni shumë. Është më së miri të përdoren antacidet që përmbajnë edhe hidroksid magnezi edhe hidroksid alumini, në mënyrë që të shmangni efektet e padëshiruara.

Nëse antacidet nuk ndihmojnë, atëherë mund të provoni barna të tjera, për të cilët nevojitet përshkrimi mjekësor. Mjeku mund të sugjerojë më shumë se një lloj bari ose të provoni kombinimin e:

  • Barnave shkumuese (formojnë shtresë në lukth duke parandaluar refluksin)
  • H2-bllokuesit, zvogëlojnë prodhimin e acidit. Këtu bëjnë pjesë: cimetidina, famotidina, nizatidina, dhe ranitidina.
  • Inhibuesit e pompës protonike, po ashtu zvogëlojnë prodhimin e acidit. Në këtë grup bëjnë pjesë omeprazoli, lansoprazoli, pantoprazoli, rabeprazoli, dhe esomeprazoli.
  • Prokinetikët forcojnë sfinkterin, zbrazin më shpejtë lukthin dhe zvogëlojnë refluksin acidik. Në këtë grup janë domperidoni dhe metoclopramidi.

Mos i kombinoni barnat pa këshillën e mjekut!

Ndërhyrja kirurgjike

Nëse medikamentet nuk i largojnë simptomat dhe këto simptoma ndërhyjnë ashpër në jetën tuaj, atëherë mjeku mund të rekomandojë ndërhyrjen kirurgjike. Procedura kirurgjike është zgjedhja e fundit e trajtimit të refluksit gastroezofageal, ndërsa përfshin forcimin e sfinkterit të poshtëm të ezofagut apo riparimin e hernisë hiatale, në rast se ekziston.

“Marrë nga Mjeku”


Remka Halipi 15/12/2022

Prsh.Deshra tjau bej nje pytje.Kom qe 3 jav qe e kam pas nje operim te aortes se qafes.Por pas operacionit mu ka shfaq qaq shum thartine ne lukth sa kom probleme edhe ne fyt.Sidomos ne te folurit.Qaq shum kom probleme qe edhe zani pome humb dhe po lodhna shum kur po foli.E non stop qe 2 jav e ma shum kom probleme edhe me lukth e thartin .Edhe qe jam duke mar ilaqet per thartin mikan dhon edhe do pika ka 15 pika mei qit ne gjuh.Po shum pak kan efekt.Qka te perdori nga barnat apo qka te bej me tutje.Pres pergjigjejen.Flm.

Dritoni 01/09/2017

pershendetje doktorr un e kam problemin qe nja 10 vite qashtu qkado qe ha um met ne fyt ddhe pa e shty me uj ose naj sok nuk muj me honger kurgjo hiq kam qen te doktorr te ndryshem um kan than do prej sinusve do um thojshin ne baz psiqike edhe gjyksi ma heret um digjke tash jo ama problemi me ngrenie i njojt a kom tboj me refluksin gerd nbaz qityne simptomave . ju pershendes faleminderit

viola 10/04/2017

pershendetje fatime desha te di se a tka kalu kjo gjendje

Fatime sopaj 17/09/2016

Swdi diqka shum po mvjen ni siklet po se fyti shum si i djeges e dhe po dhe m si lukthi shum um dhem qajo pjes un per dor veq ni tablet per stres amo shum keq bre swdi as um hahet buka hiq shum lijshtim trupi qka munet muka analizat mir um kan dal veq lukthin se kom kqye hala ju lutem tregom jam fatimja nga franca

Komentoni