Regjistrohu/Kyçu

Sëmundja e zorrëve të irrituara

Çfarë është sëmundja e Crohn-it?

Sëmundja e Crohn-it është një prej dy formave kryesore të sëmundjeve të traktit gastrointestinal, të quajtura sëmundja e zorrëve të inflamuara (SZI). Forma tjetër, e quajtur koliti ulceroz, prek zorrën trashë, që përfshin kolonin dhe rektumin (pjesa fundit e zorrës së trashë, e cila çon në anus).

Gjatë sëmundjes së Crohn-it, inflamacioni kronik (që zgjat një kohë të gjatë) mund të shkaktojë paraqitjen e indit të dhëmbëzuar (të luspuar) në mbështjellësin e brendshëm të zorrës. Kur krijohet indi i dhëmbëzuar, rrugët mund të bëhen të ngushta, duke bërë që ushqimi dhe jashtëqitja të lëvizin nëpër traktin gastrointestinal më ngadalë, e që mund të çojë në dhimbje, ngërçe dhe diarre.

Kush preket nga sëmundja e Crohn-it?

Edhe meshkujt edhe femrat mund të preken nga sëmundja e Crohn-it, dhe kjo mund të përcillet nëpër familje. Njerëzit me sëmundje të Crohn-it mund të kenë dikë të afërt me këtë sëmundje ose me llojin tjetër të SZI. Sëmundja e Crohn-it më së shpeshti fillon nga mosha 13 deri në moshën 30 vjeçe.

Shkaktarët

Shkencëtarët ende janë duke i studiuar shkaktarët e mundshëm të sëmundjes së Crohn-it.

Sistemi natyral mbrojtës i organizmit, i quajtur në mjekësi si sistemi imun, mbron secilin person nga infeksionet duke luftuar bakteret, viruset dhe gjërat të tjera të cilat e bëjnë personin të sëmurë. Shkencëtarët besojnë se te sëmundja e Crohn-it, sistemi imun sulmon bakteret dhe viruset e padëmshme. Gjatë këtij sulmi, qelizat e bardha të gjakut mblidhen në mbështjellësin e zorrëve. Qelizat e bardha shkaktojnë inflamacion kronik (të vazhdueshëm), që çon në ulcerë, dhimbje dhe dëmtime në zorrë.

Faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjen e Crohn-it janë:

  • Gjenet – ajo çfarë ju trashëgoni nga prindërit tuaj, dhe
  • Stimulues të panjohur të shkaktuar nga ambienti ku personi jeton.

Simptomat

Simptomat e sëmundjes së Crohn-it mund të jenë të ndryshme për secilin person. Shumica e simptomave të sëmundjes së Crohn-it janë:

  • Dhimbja abdominale – shpesh në pjesën e poshtme të djathtë të abdomenit
  • Diarre
  • Gjakderdhje në rektum, që mund të shihet në brekët e personit, në tualet, ose në jashtëqitje. Gjakderdhja rektale mund të jetë serioze dhe mund të mos ndalojë pa ndihmën e barnave.
  • Rënie në peshë
  • Temperaturë.

Mjeku do të bëjë disa kontrolle fizike dhe disa teste për të diagnostikuar sëmundjen e Crohn-it. Gjatë vizitës te mjeku, ai do t’ju pyesë për simptomat dhe historinë mjekësore.

Mjeku mund të porositë analiza të gjakut. Këto mund të tregojnë anemi të shkaktuar nga gjakderdhja. Anemia është një sëmundje në të cilën qelizat e kuqe të gjakut janë më të pakta ose më të vogla se zakonisht, që do të thotë se ato dërgojnë më pak oksigjen te qelizat e trupit. Analizat e gjakut po ashtu mund të tregojnë numër të lartë të qelizave të bardha të gjakut, një shenjë e inflamacionit kronik.

Mjeku po ashtu mund t’ju kërkojë të bëni analizën e jashtëqitjes (fecesit). Kjo zakonisht përdoret për të përjashtuar shkaktarët tjerë të sëmundjeve gastrointestinale, si infeksionet. Mjeku ose vetë ju, duhet ta merrni një pjesë të jashtëqitjes në gotë speciale (sterile) dhe ta dërgoni në laborator për analizë. Mostra e jashtëqitjes po ashtu mund të përdoret për të parë nëse keni gjakderdhje ose inflamacion.

Edhe teste të tjera mund të nevojiten për të diagnostikuar sëmundjen e Crohn-it. Ato mund të kryhen në spital ose ordinancë të mjekut. Të tilla janë:

- Kolonoskopia – Kolonoskopia është testi më së shpeshti i përdorur për të diagnostikuar sëmundjen e Crohn-it në mënyrë të veçantë. Testi përdoret për të parë brenda rektumit, gjithë kolonit dhe ileumit. Stafi mjekësor do t’ju japë një udhëzim të shkruar si t’i përgatisni zorrët tuaja në shtëpi para se të shkoni për ta kryer testin. Juve mund t’ju duhet të ndiqni një dietë të pastër me lëngje për një deri në tre ditë para testit. Ju do të duhet të merrni laksativë dhe klizma (gel që aplikohet në anus) para se t’u nënshtroheni analizave, dhe juve do t’ju duhen edhe një ose më shumë klizma në dy orët e fundit para testit. Laksativët janë barna të cilat stimulojnë daljen e jashtëqitjes dhe rritin lëvizjen dhe zbrazjen e zorrëve. Klizma përfshin një gel me bazë ujore që përmban laksativ, ose ndonjë tretje glicerine që futet në anus përmes një boce speciale që shtypet.

Për këtë test ju do të duhet të qëndroni në një shtrat derisa mjeku fut gypin elastik në anusin tuaj. Një kamerë e vogël brenda gypit dërgon pamje nga shtresa e brendshme e zorrëve të cilat shfaqen në një ekran kompjuteri. Mjeku mund ta shohë inflamacionin, ulcerat ose gjakderdhjen. Mjeku po ashtu mund të bëjë një biopsi. Ai do të marrë një pjesë të vogël të indit të zorrës së inflamuar dhe do ta shikojë nën mikroskop për të konfirmuar diagnozën e sëmundjes së Crohn-it. Në shumicën e rasteve, juve do t’ju jepet një sedativ (qetësues) i lehtë, dhe mbase barna lehtësuese të dhimbjes, për t’ju ndihmuar të relaksoheni. Ju nuk do ta ndjeni biopsinë.

Pacienti mund të ketë spazma (ngërçe) ose fryrje gjatë orës së parë pas analizës. Vozitja nuk lejohet për 24 orë pas analizës, derisa qetësuesit të humbin efektin. Një ditë pas kësaj analize ju do të duhet të jeni plotësisht të rikuperuar dhe mund t’i ktheheni ushqimit normal.

- Sigmoidoskopia fleksible – Ky test përdoren për të parë brenda rektumit dhe pjesës së poshtme të kolonit. Stafi shëndetësor do t’ju japë një udhëzim të shkruar për t’i përgatitur zorrët tuaja në shtëpi para se ta bëni këtë test. Pacienti mund të duhet të ndjekë një dietë të pastër me lëngje për një deri në tre ditë para testit. Ai po ashtu do të duhet të marrë laksativë dhe klizma (gel për zorrë) një natë para se t’i nënshtroheni analizave, dhe ndoshta edhe një ose më shumë klizma rreth dy para testit.

Edhe për këtë test ju do të duhet të qëndroni në një shtrat derisa mjeku fut gypin elastik në anusin tuaj. Ju nuk keni nevojë për qetësues për këtë analizë. Një kamerë e vogël brenda gypit dërgon pamje nga shtresa e brendshme e zorrëve të cilat shfaqen në një ekran kompjuteri. Mjeku mund ta shohë inflamacionin, ulcerat ose gjakderdhjen. Mjeku po ashtu mund të bëjë një biopsi, duke marrë një pjesë të indit nga shtresa e brendshme e zorrës. Mjeku do ta shikojë atë nën mikroskop për të konfirmuar diagnozën e sëmundjes së Crohn-it. Ju nuk do ta ndjeni biopsinë.

Ju zakonisht mund t’i ktheheni ushqimit normal menjëherë pas testit, edhe pse mund të keni ca ngërçe dhe fryrje gjatë orës së parë pas kësaj analize.

- Skanimi me tomografi kompjuterike (CT) – Ky lloj skanimi përdor rrezet X dhe kompjuterin për të krijuar pamje të brendisë së trupit. Për këtë analizë ju duhet të shtriheni në një shtrat që futet në një pajisje në formë tuneli ku lëshohen rrezet X. Tekniku mund t’ju japë një tretësirë për ta pirë dhe një injeksion të një ngjyre të veçantë përmes një gjilpëre që futet në venën e krahut tuaj. Ju nuk do të keni nevojë për qetësues për këtë test. Skanimet me CT mund të përdoren për ta diagnostikuar sëmundjen e Crohn-it.

- Skanimet (me rreze X) në pjesën e sipërme gastrointestinale – Këto skanime mund të bëhen për të shikuar zorrën hollë. Asnjë ngrënie ose pije nuk lejohet për tetë orë para aplikimit të kësaj procedure. Gjatë procedurës, ju do të qëndroni ose të uleni në ballë të një makine me rreze X dhe do të pini barium, një lëng të bardhë (si kos). Bariumi e vesh nga brenda zorrën e hollë, duke bërë që shenjat e sëmundjes të duken më qartë në rrezet X.

Pas testit ju mund t’i ktheheni ushqimit normal. Mbetjet e bariumit në traktin gastrointestinal bëjnë që jashtëqitja të jetë e bardhë ose me ngjyrë të ndritshme për disa ditë pas testit.

- Skanimet në pjesën e poshtme gastrointestinale – Skanimet në pjesën e poshtme mund të bëhen për të parë zorrën e trashë. Stafi mjekësor do t’ju japë udhëzime të shkruara si t’i përgatisni zorrët tuaja në shtëpi para analizës. Ju do të duhet të ndiqni një dietë me lëngje për një ose dy ditë para analizës. Laksativët dhe klizmat zakonisht jepen një natë para analizës gastrointestinale. Klizmat mund të përsëriten edhe në mëngjes para se të bëhet analiza.

Edhe për këtë test ju do të duhet të qëndroni në një shtrat derisa mjeku fut një gypin elastik në anusin tuaj. Ju nuk keni nevojë për qetësueses as për këtë analizë. Zorra e madhe mbushet me barium, për të ndihmuar shenjat e sëmundjes të shfaqen më qartë në rrezet X. Pas testit ju mund t’i ktheheni ushqimit normal edhe pse mund të keni fryrje. Ju po ashtu mund të keni ca dhimbje në anus. Mbetjet e bariumit në traktin gastrointestinal bëjnë që jashtëqitja të jetë e bardhë ose me ngjyrë të ndritshme për disa ditë pas testit. 

Cilat janë problemet e sëmundjes së Crohn-it?

Te njerëzit me sëmundje të Crohn-it mund të ndodhë bllokimi i zorrëve, kur indi i luspuar (dhëmbëzuar) bllokon kalimin e zorrës. Kalimi i ngushtuar i zorrëve quhet strikturë (ngushtim). Kur kalimi bllokohet krejtësisht, ushqimi dhe jashtëqitja ndalojnë së lëvizuri, duke shkaktuar ngërçe abdominale dhe vjellje. Nëse i keni këto simptoma, ju duhet të vizioni mjekun menjëherë.

Ulcerat e shkaktuara nga sëmundja e Crohn-it mund të shkaktojnë krijimin e strofullave nëpër zonat e inflamura, ose edhe në pjesët e shëndetshme të zorrës. Këto strofulla quhen fistula. Fistulat gjenden shpesh në zona rreth rektumit dhe anusit. Ndonjëherë një zonë e infektuar, e mbushur me qelb, e quajtur absces, mund të formohet në ose rreth fistulave. Shumica e fistulave mund të trajtohen me barna, por disa kanë nevojë për operacion kirurgjik.

Njerëzit me sëmundjen e Crohn-it shpesh kanë anemi, që mund të shkaktohet nga vetë sëmundja ose nga mungesa e hekurit. Anemia mund ta bëjë një person të ndjehet i lodhur.

Njerëzit me sëmundjen e Crohn-it, veçanërisht nëse kanë qenë të trajtuar me barna steroide, mund të kenë dobësim të eshtrave, një sëmundje e quajtur osteoporozë. Atapo ashtu mund të kenë artrit, probleme me lëkurën, ënjtje të syve ose gojës, gurë në veshka, gurë në tëmth, dhe probleme me mëlçinë. Disa njerëz me sëmundjen e Crohn-it mund të kenë sindromën e këmbëve të parehatshme – një shqetësim ekstrem i këmbëve të personit derisa ai rri ulur ose shtrirë. Këto probleme mund të largohen gjatë trajtimit, por disa të tjera mund të trajtohen me barna të veçanta.

Njerëzit të cilët e kanë sëmundjen e Crohn-it mund të mos marrin në sasi të mjaftueshme disa lëndë ushqyese, si proteina, vitamina ose kalori, për shkak se:

  • Kanë stomak të mundimshëm që i pengon ata të hanë ushqim me mjaft kalori;
  • Mund të mos jenë në gjendje t’i absorbojnë lëndët ushqyese në zorrë.

Fëmijët me sëmundjen e Crohn-it mund të mos rriten normalisht dhe mund të kenë peshë të ulët për moshën e tyre.

Trajtimet për sëmundjen e Crohn-it varen nga disa faktorë:

  • Ku është vendndodhja e sëmundjes në traktin gastrointestinal
  • Çfarë problemesh ju ka shkaktuar sëmundja,dhe
  • Çfarë trajtimesh keni marrë për sëmundjen.

Qëllimi i trajtimit është:

  • Të ulë inflamacionin
  • Të lehtësojë simptomat si dhimbjen abdominale, diarrenë dhe gjakderdhjen rektale
  • Të korrigjojë problemet ushqyese.

Trajtimi mund të përfshijë:

  • Barna
  • Ndërhyrje kirurgjike
  • Dietë dhe ushqime të caktuara.

Barnat

Gjatë sëmundjes së Crohn-it mjeku mund t’ju përshkruajë një ose më shumë barna si këto të përshkruara më poshtë:

  • Barnat anti-inflamatore mund të jenë të parat të cilat përdoren për të trajtuar sëmundjen e Crohn-it. Këto barna ndihmojnë pakësimin e pezmatimit në zorrë dhe lehtësojnë dhimbjen dhe diarrenë. Ndonjëherë barnat anti-inflamatore shkaktojnë efekte anësore, andaj ju duhet të bisedoni me mjekun tuaj se çfarë mundimesh keni ose çfarë mund të pritni.
  • Steroidet po ashtu ndihmojnë uljen e inflamacionit. Barnat steroide janë të ngjashme me disa lëndë natyrale kimike në organizmin e njeriut. Megjithatë, steroidet përdoren vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, pasi nëse përdoren më gjatë mund të shkaktojnë probleme serioze anësore.
  • Supresorë të sistemit imun. Azatioprina dhe 6-merkaptopurina funksionojnë duke e mbajtur sistemin imun të frenuar për të mos sulmuar substancat e huaja. Supresorët e sistemit imun po ashtu kanë efekte anësore, andaj ju duhet të bisedoni me mjekun se çfarë mund të pritni.
  • Terapia biologjike përfshin disa barna të cilat jepen me anë të injeksionit në venë ose lëkurë. Mjeku juaj mund të zgjedhë t’ju trajtojë me këto barna nëse barnat e grupeve të tjera nuk ndihmojnë uljen e pezmatimit ose nëse ju keni fistula me abscese. Qëllimi i këtyre barnave është t’ju bëjë të ndjeheni më mirë dhe të shmangni përdorimin afatgjatë të steroideve.
  • Antibiotikët përdoren për të trajtuar bakteret e mbipopulluara në zorrën e hollë, të shkaktuar nga ngushtimi, fistulat, ose operacioni kirurgjik. Për këtë problem, mjeku mund të përshkruajë një ose më shumë prej këtyre antibiotikëve: ampicilinë, sulfonamide, cefalosporina, tetraciklinë ose metronidazol.
  • Barna anti-diarroike dhe tretësira dehidruese po ashtu mund të përshkruhen. Diarreja dhe ngërçet abdominale shpesh lehtësohen kur inflamacioni përmirësohet, por mund të ketë nevojë edhe për më shumë barna. Barnat anti-diarroike përfshijnë difenoksilat, loperamid dhe kodeinë. Njerëzit me diarre duhet të pinë shumë lëngje për të parandaluar dehidrimin – humbjen e lëngjeve nga organizmi. Nëse diarreja nuk përmirësohet, personi duhet ta vizitojë mjekun menjëherë për një trajtim të mundshëm me lëngje përmes një gypi të futur drejtpërdrejtë në venën e krahut (infuzion).

Operacioni kirurgjik

Disa njerëz me sëmundjen e Crohn-it, kur barnat nuk funksionojnë, kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjike për të kontrolluar bllokadat, fistulat, absceset dhe gjakderdhjen. Kirurgu kryen procedurën e operacionit në spital, ku ju do të merrni edhe barna për të fjetur gjatë operacionit.

Në rastin e sëmundjes së Crohn-it mund të kryhet një prej operacioneve të mëposhtme:

  • Heqje të një pjese të zorrës. Kirurgu largon pjesën e sëmurë të zorrës dhe e bashkon njërin fund me fundin tjetër.
  • Proktokolektomi. Proktokolektomia është një operacion për të larguar rektumin dhe një pjesë ose të gjithë kolonin. Ileostomia aplikohet së bashku me proktokolektominë.
  • Ileostomi. Ileostomia është një operacion për të krijuar një hapje në fund të barkut – të quajtur stoma – që jashtëqitja të mund të dalë nga organizmi. Kjo metodë aplikohet në rastet kur zorra e prerë nuk mund të ngjitet. Për të krijuar stoma, fundi i zorrës nxirret jashtë përmes një haje të vogël në pjesën e poshtme të djathtë të abdomenit. Një qese më pas kapet për këtë mbaresë të zorrës për të mbledhur jashtëqitjet dhe zbrazet disa herë në ditë.

Ndërhyrja kirurgjike zakonisht nuk e shëron sëmundjen e Crohn-it përgjithmonë. Ndonjëherë ju duhet të bëni më shumë se një operacion, pasi sëmundja mund të rikthehet në afërsi të vendit ku zorra është hequr. Pasi sëmundja e Crohn-it mund të rikthehet pas operacionit, ju duhet të bisedoni me mjekun dhe stafin tjetër mjekësor për të marrë sa më shumë informata për kujdesin dhe kontrollet e mëtejme.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni