Regjistrohu/Kyçu

Spondiliti ankiloz

Spondiliti është një formë e artritit progresiv që shfaqet si pasojë e pezmatimit kronik të kyçeve në shpinë. Emri i saj vjen nga fjala greke “ankulos”, që do të thotë mpiksje e kyçit (nyjës), dhe “spondylo”, që nënkupton unazë. Spondilit do të thotë inflamacion i shpinës në një ose më shumë struktura të afërta të unazave (vertebrave).

Spondiliti ankiloz i takon grupit të sëmundjeve të quajtura spondiloartropati seronegative. Seronegative do të thotë se një person ka dalë negativ për një autoantitrup të quajtur faktori reumatoid.

Spondiloartropatitë janë familje e sëmundjeve të ngjashme të cilat zakonisht shkaktojnë inflamacion në kyçe dhe shpinë. Sindromat tjera të këtij grupi përfshijnë artritin psoriatik, artritin e sëmundjes inflamatore të zorrëve, artritin kronik reaktiv, dhe artritin idiopatik juvenil të lidhur me entezitin.

Edhe pse këto sëmundje kanë ngjashmëri, ato po ashtu kanë tipare që i dallojnë nga të tjerat. Vula apo tipari dallues i spondilitit ankiloz është “sakroilitisi” ose inflamacioni i kyçit sakroiliak, vendit ku shpina bashkohet me pelvikun (legenin).

Te disa njerëz, spondiliti ankiloz mund të prekë edhe kyçet jashtë shpinës, si shpatullat, brinjët, ijët, gjunjët dhe shputat. Ai po ashtu prek entezat, të cilat janë vende ku tendonet dhe ligamentet lidhen për kocka. Është e mundshme që ai të prekë edhe organet tjera, si sytë, zorrët, dhe – më rrallë – zemrën dhe mushkëritë.

Edhe pse shumë njerëz me spondilit ankiloz kanë episode të lehta të dhimbjes së shpinës që herë shfaqen dhe herë largohen, të tjerët kanë dhimbje të ashpra, të vazhdueshme, të shoqëruara me humbje të fleksibilitetit të shpinës. Në shumicën e rasteve inflamacioni afat-gjatë çon në kalcifikim, proces i cili bën që dy ose më shumë kocka të shpinës të ngjiten. Ngjitja mund po ashtu të ndodhë në kafazin e kraharorit, duke bërë të kufizohet kapaciteti dhe funksioni i mushkërive.

Spondiliti ankiloz zakonisht fillon në adoleshencë ose moshë të re madhore, por prek njerëzit për gjithë pjesën e mbetur të jetës. Rreth 80 për qind e njerëzve me këtë sëmundje i zhvillojnë simptomat para moshës 30 vjeçe. Vetëm pesë për qind i zhvillojnë simptomat pas moshës 45 vjeçe. Disa autoritete thonë se kjo sëmundje prek dy herë më shumë meshkujt se femrat.

 

Shkaktari i spondilitit ankiloz është i panjohur, por sipas gjasave edhe gjenet e edhe faktorë të tjerë ambientalë luajnë rol në shfaqjen e tij. Gjeni kryesor i lidhur me dyshime për spondilitin ankiloz është i quajturi gjeni HLA-B27, por ta kesh këtë gjen nuk do të thotë patjetër se ju do të zhvilloni spondilitin ankiloz. Në fakt, rreth tetë për qind e popullatës amerikane e kanë këtë gjen, por më pak se pesë për qind e tyre (një në 20) me gjenin HLA-B27 në të vërtetë e zhvillojnë spondilitin ankiloz.

Shkencëtarët, të mbështetur nga Instituti Kombëtar Amerikan për Artrit dhe Sëmundje Muskuloskeletore dhe të Lëkurës, së fundi kanë zbuluar dy gjene të tjera ERAP1 (i njohur më herët si ARTS1) dhe IL23R, të cilat së bashku e HLAB27, mund të paraqesin një rrezik më të madh gjenetik për të zhvilluar spondilitin ankiloz.

Faktorët si infeksionet ose bakteret normale të cilat jetojnë në zorrë, mund ta nxisin sëmundjen te njerëzit të cilët janë gjenetikisht më të prirë për të.

Diagnoza për spondilit ankiloz bazohet kryesisht në hulumtimin e historisë mjekësore të personit si dhe në ekzaminimin fizik. Testet radiologjike dhe ato laboratorike mund të ndihmojnë për të konfirmuar diagnozën, por të dyja këto kanë kufizime.

 

  • Historia mjekësore përfshin përgjigje në pyetjet si këto më poshtë?
  • Sa gjatë keni dhimbje?
  • Ku saktësisht buron dhimbja në shpinën ose qafën tuaj? A ka nyje të tjera të prekura?
  • A përmirësohet dhimbja pas ushtrimeve dhe përkeqësohet pas aktivitetit, si për shembull kur për të parën herë zgjoheni nga shtrati në mëngjes?
  • A keni probleme të tjera, si probleme me sytë ose plogështi?
  • A keni ndonjë në familje me probleme të shpinës ose artrit?
  • A keni vuajtur së fundi nga sëmundje gastrointestinale?
  • A keni urtikarie nëpër lëkurë, si ato të psoriazës?

Gjatë ekzaminimit fizik, mjeku do të shikojë në shenja dhe simptoma të cilat janë të qëndrueshme me spondilitin ankiloz. Këtu përfshihen dhimbje përgjatë shpinës dhe/ose pelvik, kyçet sakroiliake, thembër, dhe gjoks. Mjeku juaj mund t’ju kërkojë të lëvizni dhe përkuleni në drejtime të ndryshme për të kontrolluar fleksibilitetin e shpinës tuaj. Ai mund t’u kërkojë edhe të merrni frymë thellësisht, për të kontrolluar ndonjë problem me zgjerimin e gjoksit, që mund të shkaktohet nga inflamacioni në kyçet ku brinjët kapen në shpinë.

Rrezatimi X dhe fotografimi me rezonancë magnetike mund të shfrytëzohen për të gjetur ose konfirmuar diagnozën e spondilitit ankiloz, por këto teste kanë kufizime. Rrezet X mund të shfaqin ndryshime në shpinë dhe kyçet sakroiliake të cilat tregojnë praninë e spondilitit ankiloz; megjithatë, mund të nevojiten disa vite që inflamacioni të shkaktojë dëmtime të dukshme në rrezet X. Rezonanca magnetike mund të lejojë një diagnozë më të hershme, pasi ajo tregon dëmtimet edhe në indet e buta dhe kocka para se ato të mund të shfaqen në rrezatimin X. Megjithatë, rezonanca magnetike është shumë e shtrenjtë. Të dyja këto teste po ashtu përdoren për të monitoruar progresin e spondilitit ankiloz.

Testi kryesor i gjakut për spondilitin ankiloz është ai që kontrollon gjenin HLA-B27, që është i pranishëm te më shumë se 95 për qind e popullatës kaukaze me këtë sëmundje. Megjithatë, ky test po ashtu ka kufizimet e veta. Ai gjendet në një shkallë më të ulët te popullata afro-amerikan si dhe te pacientët nga disa vende mediterane të cilët kanë spondilit ankiloz. Po ashtu, gjeni gjendet në shumë njerëz të cilët nuk e kanë sëmundjen, dhe që kurrë nuk do ta zhvillojnë. Rreth tetë për qind e amerikanëve e kanë gjenin, por një shkallë e ulët e tyre e zhvillojnë sëmundjen. Megjithatë, kur gjeni gjendet te një person që ka simptoma të spondilitit ankiloz, dhe/ose dëshmi me skanime me rreze X për praninë e spondilitit ankiloz, kjo gjendje ndihmon të mbështetet diagnoza.

Diagnoza e spondilitit ankiloz zakonisht bëhet nga reumatologu, mjeku specialist për të diagnostikuar dhe trajtuar artritin dhe sëmundjet e lidhura me sistemin muskulo-skeletor. Megjithatë, për shkak se spondiliti ankiloz mund të prekë edhe pjesë të tjera të organizmit, personi me këtë sëmundje mund të ketë nevojë të vizitojë lloje të ndryshme të mjekëve për t’u trajtuar. Si shtesë e reumatologut, ka edhe shumë specialistë të tjerë të cilët e trajtojnë spondilitin ankiloz. Këtu përfshihen:

  • Oftalmologu, i cili trajton sëmundjet e syrit.
  • Gastroenterologu, i cili trajton sëmundjet e zorrëve.
  • Fiziatri, mjeku specialist i mjekësisë fizikale dhe rehabilitimit.
  • Trapisti fizikal ose specialist i rehabilitimit, i cili mbikëqyr shtrirjen dhe regjimin stërvitor.

Shpesh është e ndihmës për mjekët dhe pacientët që plani i trajtimit të sëmundjes të menaxhohet nga vetëm një mjek.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni