Regjistrohu/Kyçu

Reuma, Artriti reumatoid

Artriti është një term i përgjithshëm që nënkupton inflamimin e nyjave. Inflamimi i nyjave karakterizohet nga skuqja, ngrohja, ënjtja dhe dhimbjet në nyja.

Artriti reumatoid është një lloj kronik i artritit që zakonisht prek nyjat e të dyja anëve të trupit, si duart, kyçet e duarve ose gjunjët. Kjo simetri ndihmon të dallohet artriti reumatoid nga llojet tjera të artritit.

Përveç që prek nyjat, artriti reumatoid mund të prekë më rrallë edhe lëkurën, sytë, mushkëritë, zemrën, gjakun ose nervat.

Kush preket nga artriti reumatoid?

Artriti reumatoid prek rreth 1 për qind të popullatës amerikane. Derisa kjo është dy deri në tre herë më e shprehur te femrat se te meshkujt, këta të fundit edhe pse më rrallë preken më ashpër nga kjo sëmundje. Kjo zakonisht paraqitet në moshë të mesme, megjithatë edhe fëmijët dhe të moshuarit po ashtu mund të preken nga artriti reumatoid.

Si e prek organizimin artriti reumatoid?

Kur sistemi jonë imun ndizet, qelizat imune migrojnë nga gjaku në nyja dhe indin rrethues të nyjave, që quhet sinovium. Qelizat imune atje prodhojnë substanca inflamuese. Rritja e numrit të qelizave dhe substancave inflamiese në nyja shkakton irritim, duke dëmtuar kërcin (materialin e butë që mbështjell fundin e kockave), dhe shkakton ënjtje dhe inflamacion të mbështjellësit të nyjës. Ky inflamacion bën që nyja të prodhojë lëng të tepruar.

Derisa kërci dëmtohet, hapësira në mes të eshtrave ngushtohet. Nëse sëmundja përkeqësohet, eshtrat mund të prekin njëri-tjetrin dhe të fërkohen duke shkaktuar dhimbje.

Derisa dëmtimi i mbështjellësit të nyjës zgjerohet dhe të prekë edhe ashtin e afërm, duke çuar në dëmtim të ashtit që referohet si erozion. Të gjitha këto faktorë bëjnë që nyja të bëhet shumë e dhimbshme, e shtangur dhe e nxehtë në prekje.

Shkaku i saktë i kësaj sëmundje nuk dihet. Por mendohet se artriti reumatoid vjen si kombinim i faktorëve gjenetik, ambiental dhe hormonal.

Artriti reumatoid është një sëmundje autoimune – që do të thotë se diçka e stimulon sistemin tonë mbrojtës të sulmojë nyjat dhe ndonjëherë edhe organet tjera. Disa teori mendojnë se mund të jetë ndonjë virus ose baktere e cila mund ta nxisë sistemin imun të shkaktojë sulm në nyja. Disa teori të tjera thonë se faktorë të ndryshëm, si pirja e duhanit, mund të çojnë në artrit reumatoid.

Hulumtuesit ende nuk e kanë përcaktuar saktësisht se çfarë roli luajnë gjenet në artritin reumatoid. Megjithatë, te disa njerëz duket se faktorët gjenetik (trashëgues) rrisin shanset e tyre për të zhvilluar artritin reumatoid. Kjo do të thotë se nëse njëri nga prindërit tuaj ka vuajtur nga artriti reumatoid, gjasat janë të mëdha që edhe ju të prekeni nga kjo sëmundje.

Simptomat kryesore të artritit reumatoid përfshijnë dhimbje dhe ënjtje në nyja, shtangie (veçanërisht në mëngjes ose pas qëndrimit ulur për një kohë të gjatë) si dhe lodhje. Nyjat që preken janë duart, kyçe e duarve, gjunjët (më së shumti) si dhe bërrylat, këmbët, dhe nyjat e këmbëve. Sëmundja zakonisht prek të dyja anët e trupit në të njëjtën kohë.

Artriti reumatoid prek secilin në mënyrë të ndryshme. Te disa, simptomat e nyjave zhvillohen gradualisht gjatë disa viteve. Te të tjerët artriti reumatoid mund të zhvillohet shpejt, derisa te një pjesë e njerëzve kjo sëmundje mund të paraqitet për një periudhë të kohës dhe pastaj të futet në një periudhë qetësie.

Nuk ka një mënyrë të vetme për të diagnostikuar artritin reumatoid. Mjeku zakonisht do të bëjë ekzaminime fizike dhe do të shikojë në nyjat tuaja për të kërkuar ënjtje dhe ndjeshmëri. Mjeku po ashtu do t’ju pyes juve për simptomat dhe shëndetin tuaj në të kaluarën. Ju mund të detyroheni të bëni analiza të gjakut, rrezatime-X dhe analiza të tjera për të gjetur nëse mund të jetë ndonjë shkaktar tjetër që nxit dhimbjet në nyjat tuaja.

Diagnostikimi i artritit reumatoid më së shpeshti bazohet në kombinimin e disa faktorëve, përfshirë:

  • Vendin specifik dhe simetrinë e nyjave të dhimbshme, veçanërisht nyjave të dorës;
  • Praninë e shtangësisë në mëngjes;
  • Praninë e gungave dhe ngritjeve nën lëkurë (gungat reumatike);
  • Rezultatet e testimeve me reze X të cilat tregojnë praninë e artirit reumatoid;
  • Rezultatet pozitive të testit të gjakut të quajtur faktori reumatoid.

Shumica e njerëzve me artrit reumatoid, por jo të gjithë, kanë antitrupin “faktori reumatoid” në gjakun e tyre. (Faktorët reumatoid në fakt janë antitrupa të cilat lidhen për antitrupat tjerë). Faktori reumatoid ndonjëherë mund të jetë i pranishëm edhe te njërit të cilët nuk kanë artrit reumatoid. Edhe sëmundje të tjera mund të stimulojnë prodhimin e faktorit reumatoid në gjak. Andaj, diagnostikimi i kësaj sëmundje është i bazuar në kombinimin e abnormaliteteve të nyjave, si dhe në të dhënat laboratorike dhe jo vetëm në bazë të pranisë së faktorit reumatoid në gjak.

Një test i ri, më specifik, i gjakut që përcakton artritin reumatoid është analiza e antitrupit “cylic citrulline”, i quajtur anti-CCP. Kur del pozitiv, është e dhënë shumë bindëse për praninë e artritit reumatoide. Prania e antitrupave anti-CCP le të kuptohet se ka një tendencë për një formë më agresive të artritit reumatoid.

Njerëzit me artrit reumatoid mund të kenë anemi të lehtë. Analizat e gjakut po ashtu mund të zbulojnë një shkallë të lartë sedimentimi të eritrociteve ose nivele të larta të proteinës C-reaktive (CRP), që janë markerë të inflamacionit.

Disa njerëz me artrit reumatoid mund po ashtu të zhvillojnë një test pozitiv të antitrupit antinuklear (ANA). Ky test tregon për faktin se artriti reumatoid është një sëmundje autoimune dhe ndonjëherë mbulohet nga sëmundjet tjera autoimune.

Ka shumë mënyra për ta mjekuar artritin reumatoid. Mjekimi përfshin barna, pushim dhe ushtrime, si dhe ndërhyrje kirurgjike për të korrigjuar dëmtimin e nyjave.

Lloji i mjekimit varet nga disa faktorë përfshirë moshën e personit, shëndetin e përgjithshëm, historinë mjekësore, dhe ashpërsinë e artritit.

Mjekimi me barna

Ka shumë barna të dedikuara për artritin reumatik, të cilat ulin dhimbjet, ënjtjet dhe inflamacionin në nyja. Disa prej atyre parandalojnë ose minimizojnë progresin e sëmundjes.

Barnat të cilat lehtësojnë simptomat e artritit (dhimbje, shtangien dhe ënjtjen e nyjave) përshijnë:

  • Barnat analgjezike antiinflamatore si aspirina, ibuprofeni ose naprokseni.
  • Lehtësuesit e jashtëm të dhimbjeve (që aplikohen drejt në lëkurë)
  • Kortikosteroidet, si prednizoloni
  • Qetësuesit e dhimbjes me natyrë narkotike.

Ka edhe shumë barna të fuqishme të quajtura barna antireumatike modifikuese të sëmundjes, të cilat përdoren për mjekimin e artritit reumatoid. Këto barna zakonisht funksionojnë duke interferuar ose duke frenuar sulmin e sistemit imun në nyja. Në këtë grup bëjnë pjesë:

  • Plaquenil (një barë që përdoret për mjekimin e malaries)
  • Supresorë të sistemit imun si metotreksat, azatioprin dhe ciclofosfamid
  • Mjekimet biologjike, si Etanercept, Adalimumab, Infliximab, Abatacept, dhe Rituximab
  • Barna të tjera si sulfasalazine dhe leflunomide.

Pushimi dhe ushtrimet

Një ekuilibër në mes të pushimit dhe ushtrimeve fizike, është i rëndësishëm për mjekimin e artritit reumatoid. Gjatë shpërthimit të inflamacionit (përkeqësimit të sëmundjes), është më së miri t’i pushoni nyjat të cilat janë të inflamuara. Kjo mund të arrihet përmes përdorimit të përkohshëm të shkopit ose rripave të nyjave.

Kur inflamacioni zvogëlohet, programet stërvitore janë të patjetërsueshme për të ruajtur fleksibilitetin e nyjave dhe për të formuar muskujt të cilat mbulojnë nyjat. Një varg i ushtrimeve duhet të bëhen rregullisht për të ruajtur lëvizshmërinë e nyjave.

Ndërhyrja kirurgjike

Ndërhyrja kirurgjike mund të jetë si opsion vetëm kur dëmtimi i nyjave i shkaktuar nga artriti reumatoid është bërë shumë i ashpër ose dhimbja nuk mund të kontrollohet me barna. Ndërhyrja kirurgjike ndihmon të rikthehet funksionimi i nyjave të dëmtuar.

A mund të shërohet artriti reumatoid?

Edhe pse ende nuk ka një shërim për artritin reumatoid, trajtimi i hershëm, agresiv është treguar efektiv për të ndihmuar parandalimin e përkeqësimit të sëmundjes.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni