Regjistrohu/Kyçu

Rektumi, Kanceri

Koloni dhe rektumi

Koloni dhe rektumi janë pjesë të sistemit tretës. Ata formojnë një kanal të gjatë muskulor të quajtur zorra e trashë. Koloni paraqet 120 deri në 150 centimetrat e para të zorrës së madhe, dhe rektumi paraqet disa centimetrat e fundit të saj.

Ushqimi pjesërisht i tretur në zorrën e hollë më pas futet në zorrën e trashë, saktësisht në kolon. Koloni thith ujin dhe lëndët ushqyese nga kjo pjesë e mbetur dhe e shndërron pjesën tjetër të mbeturinë (feces). Kjo mbeturinë kalon nga koloni në rektum dhe pastaj del prej organizmit përmes anusit.

Qelizat kanceroze - njohuri bazike

Kanceri fillon në qelizat, blloqet të cilat ndërtojnë indet. Indet më pas ndërtojnë të gjitha organet tjera në organizëm.

Qelizat normale të organizmit rriten dhe ndahen në një mënyrë të kontrolluar, në varësi të nevojave të organizmit. Kur qelizat normale plaken ose dëmtohen, ato vdesin dhe krijohen qeliza të reja në vend të tyre.

Ndonjëherë ky proces nuk zhvillohet siç duhet. Qelizat e reja krijohen kur organizmi nuk ka nevojë për ta dhe qelizat e dëmtuara nuk vdesin siç duhet. Krijimi i qelizave shtesë shpesh krijon një masë të indit të quajtur tumor.

Tumoret mund të jetë beninje (jo kanceroze) ose malinje (kanceroze).

Tumoret beninje nuk janë kanceroze:

  • Rrallë janë kërcënuese për jetën
  • Mund të largohen dhe zakonisht nuk kthehen
  • Nuk pushtojnë inde të tjera rreth tyre
  • Nuk shpërndahen në pjesë të tjera të organizmit.

Tumoret malinje janë kanceroze dhe:

  • Mund të jenë kërcënuese për jetën
  • Zakonisht mund të largohen, por ndonjëherë kthehen
  • Mund të pushtojnë dhe dëmtojnë indin dhe organet rrethore
  • Mund të shpërndahen në pjesë të tjera të organizmit.

Kur kanceri kolorektal shpërndahet jashtë kolonit dhe rektumit, qelizat kanceroze shpesh gjendet në nyjat limfatike në afërsi. Nëse qelizat kanceroze kanë arritur në këto nyja, ato mund të jenë shpërndarë edhe në nyjat tjera ose organet limfatike. Kanceri kolo-rektal më së shpeshti shpërndahet në mëlçi.

Kur kanceri shpërndahet nga vendi origjinal në një pjesë tjetër të trupit, formohet tumor i ri me të njëjtat qeliza anormale dhe me të njëjtin emër si tumori origjinal (primar). Për shembull, nëse kanceri kolorektal shpërndahet në mëlçi, qelizat kanceroze në mëlçi në fakt janë qeliza kanceroze kolorektale. Sëmundja quhet kancer kolorektal metastatik, jo kancer i mëlçisë. Për këtë arsye, ai trajtohet si kancer kolorektal, dhe jo si kancer i mëlçisë. Tumori i ri quhet edhe tumor i largët ose metastatik.

Faktorët e rrezikut

Shkaktarët e kancerit kolorektal kurrë nuk mund të gjenden me saktësi. Megjithatë ekzistojnë disa faktorë rreziku të cilët e bëjnë një person më të prirë për të zhvilluar kancerin kolo-rektal, krahasuar me të tjerët. Sëmundja nuk mund të shpërndahet nga njëri person te tjetri.

Studimet kanë treguar se faktorët e rrezikut të lidhur me kancerin kolorektal janë si më poshtë:

- Mosha mbi 50 vjeçe: Kanceri kolorektal është më shumë i pranishëm te njerëzit e moshuar. Më shumë se 90 për qind të njerëzve me këtë sëmundje i takojnë moshës mbi 50 vjeçare. Mesatarja e njerëzve të diagnostikuar është 72 vjeç.

- Polipet kolorektale: Polipet janë disa zhvillime në murin e brendshëm të kolonit ose rektumit. Ato janë të shpeshta te njerëzit mbi moshën 50 vjeçe. Shumica e polipeve janë beninje (jo kancer), por disa polipe (adenoma) mund të bëhen kanceroze. Gjetja dhe largimi i polipeve mund ta reduktojë rrezikun kancerit kolorektal.

- Histori familjare të kancerit kolo-rektal: Njerëzit e afërt (prindër, vëllezër, motra ose fëmijë) të një personi me histori të kancerit kolorektal janë më shumë të prirë ta zhvillojnë sëmundjen, veçanërisht nëse të afërmit e kanë pasur kancerin në moshë të re. Nëse shumë të afërt kanë kancerin kolorektal, rreziku është edhe më i madh.

- Ndryshimet gjenetike. Ndryshimet në gjene të caktuara rritin rrezikun e kancerit kolorektal si:

  • Kanceri i jopolipoz i trashëguar i kolonit është rasti më i shpeshtë i llojit të kancerit trashëgues (gjenetik).
  • Polipoza adenomatoze familjare – është një sëmundje e rrallë trashëguese gjatë të cilët krijohen qindra polipe në kolon dhe rektum.

- Histori personale të kancerit: Një person që ka vuajtur nga kanceri kolorektal mund ta zhvillojë atë për të dytën herë. Po ashtu, femrat me histori të kancerit të vezorëve, mitrës (endometriumit), ose gjirit, janë disi në rrezik më të lartë të zhvillimit të kancerit kolorektal.

- Koliti ulceroz dhe sëmundja e Crohnit: Personi i cili ka pasur sëmundje që ka shkaktuar inflamacion të kolonit (si kolitin ulceroz ose sëmundjen e Crohnit) për shumë vite është në rrezik më të rritur për të zhvilluar kancer kolorektal.

- Ushqimi: Studimet tregojnë se dieta e pasur me yndyra (veçanërisht yndyra shtazore) dhe e paktë me kalcium, folate, dhe fibra, mund të rritë gjasat për zhvillimin e kancerit kolorektal. Po ashtu, studimet kanë treguar se njerëzit të cilët hanë ushqim të paktë me fruta dhe perime, mund të kenë rrezik më të madh të zhvillimit të kancerit kolorektal. Megjithatë, rezultatet e studimeve të ushqimit jo gjithmonë pajtohen, dhe ka nevojë për edhe më shumë studime për të kuptuar më mirë ndikimin e ushqimit në rrezikun e kancerit kolorektal.

- Pirja e duhanit: Një person pi cigare, ai mund të jetë në rrezik të shtuar për të zhvilluar polipe dhe kancer kolorektal.

Pasi njerëzit të cilët më herët kanë pasur kancer kolorektal mund ta zhvillojnë atë për të dytën herë, është e rëndësishme ata të bëjnë kontrolle të vazhdueshme. Nëse keni kancer kolorektal, ju po ashtu mund të jeni të shqetësuar që anëtarët tjerë të familjes të mund ta zhvillojnë sëmundjen. Njerëzit të cilët mendojnë se mund të jenë në rrezik duhet të bisedojnë me mjekun e tyre. Mjeku mund të jetë në gjendje t’u këshillojë mënyra të ndryshme për të reduktuar gjasat e zhvillimit të kancerit dhe të planifikoni më herët orarin e kontrolleve.

Simptomat më të shpeshta të kancerit kolorektal janë ndryshimet në vetitë e zorrëve. Simptomat përfshijnë:

  •  Diarre ose konstipacion
  •  Ndjenjë se zorrët tuaja nuk zbrazen krejtësisht
  •  Gjak (ose të ndritshëm ose të errët) në fecesin tuaj
  •  Fecesi që është më ngushtë se zakonisht
  •  Dhimbjet dhe ngërçet e shpeshta, ose ndjenja e ngopjes ose fryrjes
  •  Rënia në peshë pa ndonjë arsye
  •  Ndjenjë e lodhjes gjithë kohën
  •  Nauze ose vjellje.

Shpesh këto simptoma nuk janë si pasojë e kancerit. Edhe sëmundje të tjera mund t’i shkaktojnë të njëjtat simptoma. Por, kushdo që ka simptoma duhet ta vizitojë mjekun për t’u diagnostikuar dhe mjekuar sa më herët nga cilado sëmundje qoftë ajo.

Zakonisht në fazat e hershme kanceri nuk shkakton dhimbje. Prandaj, është e rëndësishme të mos pritni dhimbjet para se të vizitoni mjekun. 

Mjeku mund ta diagnostikojë kancerin kolorektal në bazë të rezultateve nëse ju paraprakisht i jeni nënshtruar ndonjë testi “screening” (të shpjeguara më poshtë). Këto teste arrijnë ta zbulojnë kancerin edhe para shfaqjes së simptomave.

Përndryshe, nëse ju keni simptoma, duhet t’i drejtoheni mjekut, i cili do të shohë se nëse ato janë si pasojë e kancerit ose shkaktarëve të tjerë. Mjeku do t’ju pyesë për historinë personale dhe familjare mjekësore dhe do t’ju bërë kontroll fizik. Nëse e sheh të nevojshme mjeku do t’ju këshillojë të bëni njërën ose disa prej “screening”-testeve të shpjeguara më poshtë.

Nëse kontrolli fizik ose testet nuk tregojnë se kanceri është i pranishëm, mjeku mund të vendosë të mos bëjë teste të tjera dhe të mos e trajtojë problemi. Megjithatë, mjeku juaj mund t’ju rekomandojë të bëni kontrolle të kohëpaskohshme.

Nëse testet tregojnë ndonjë zonë anormale (si polip), është e nevojshme biopsia, gjatë të cilës patologu e kontrollon mostrën e indit të marrë për të parë nëse ka qeliza kanceroze. Shpesh indi anormal mund të largohet me anë të kolonoskopisë ose sigmoidoskopisë.

Testi “Screening”

Testet projektuese ose siç shpesh njihet “screening” testet (lexo: skrining-test), ndihmojnë mjekun të gjejë polipet ose kanceret para se pacienti të ketë simptoma. Gjendja dhe largimi i polipeve mund të parandalojë kancerin kolorektal. Po ashtu, trajtimi i kancerit kolorektal është më me gjasa të jetë efektiv kur sëmundja gjendet më herët.

Për të gjetur polipet ose kancerin kolorektal në fazat e hershme duhet:

  • - Njerëzit në të 50-tat duhet të bëjnë “screening”
  • - Njerëzit të cilët kanë rrezik mbi mesataren për zhvillimin e kancerit kolorektal duhet të bisedojnë me mjekun nëse duhet të bëjnë “screening”-teste para moshës 50 vjeçe, çfarë testesh duhet të bëjnë, të shohin dobitë dhe rreziqet e secilit test, dhe të konsultohen sa shpesh duhet t’i bëjnë ato.

Testet e mëposhtme “screening” mund të përdoren për të detektuar polipet, kancerin, ose zonat tjera anormale. Mjeku mund t’i shpjegojë më shumë për secilin test:

  • Testi i gjakut të padukshëm fekal – Ndonjëherë kanceret ose polipet shkaktojnë gjakosje, dhe testi në fjalë mund të dallojë sasi të pakta të gjakut në feces. Nëse ky test gjen gjak, atëherë duhet bërë edhe teste të tjera për të gjetur burimin e gjakut. Edhe sëmundje të tjera jokanceroze (si hemorroidet), po ashtu mund të shkaktojnë gjak në feces.
  • Sigmoidoskopi – Mjeku kontrollon brenda rektumit dhe pjesën e poshtme të kolonit me një gyp të ndritshëm të quajtur sigmoidoskop. Nëse polipet gjenden, mjeku i largon ato. Procedura e largimit të polipeve quhet polipektomi.
  • Kolonoskopi – Mjeku ekzaminon brenda rektumit dhe gjithë kolonit duke përdorur një gyp të gjatë, të ndriçuar të quajtur kolonoskop. Mjeku largon polipet të cilat mund të gjenden.
  • Klizma e bariumit me kontrast të dyfishtë – Pacientit i jepet klizmë me tretësirë bariumi, dhe ajri pompohet në rektum. Pastaj në kolon dhe rektum kryhen disa fotografime me rreze X. Bariumi dhe ajri ndihmojnë kolonin dhe rektumin të shfaqet në fotografi. Polipet dhe tumoret po ashtu vërehen gjatë kësaj procedure.
  • Kontrolli digjital rektal: Kontrolli digjital rektal shpesh është pjesë e ekzaminimit rutinë fizik. Mjeku juaj fut një gisht me dorës dhe të lubrifikuar në rektumin tuaj për të ndjerë zonat anormale.
  • Kolonoskopia virtuale – Kjo metodë është duke u studiuar. 

Nëse biopsia tregon se kanceri është i pranishëm, mjeku juaj do të duhet të kuptojë shkallën në të cilën ka arritur sëmundja për të planifikuar trajtimin më të mirë për ju. Shkalla bazohet nëse tumori ka pushtuar indin përreth, nëse kanceri është shpërndarë dhe, nëse po, në cilat pjesë të organizmit.

Mjeku mund t’ju këshillojë të bëni këto teste:

  • Analizën e gjakut – Mjeku do të kontrollojë antigjenin karcinoembrionik (AKE) dhe substanca të tjera në gjak. Disa njerëz të cilët kanë kancer kolorektal dhe sëmundje të tjera kanë nivel të rritur të AKE-së.
  • Koloskopinë – Nëse kolonoskopia nuk është aplikuar në rastin e diagnostikimit, mjeku mund të kontrollojë për zona anormale në gjithë gjatësinë e kolonit dhe rektumit me kolonoskop.
  • Ultrazërin endorektal - Një sondë ultrazëri futet në rektumin dhe në indet përreth dhe dërgon valë zëri të pakapshme për veshin e njeriut, të cilat reflektohen nga indet dhe lexohen nga kompjuteri. Mjeku më pas i sheh dhe interpreton pamjet e krijuara (sonogramin), që mund të tregojnë sa thellë është zhvilluar dhe nëse kanceri është shpërndarë në nyjat limfatike ose indet përreth.
  • Rrezatimin X të gjoksit – Rrezatimet X të gjoksit mund të tregojnë nëse kanceri është shpërndarë në mushkëri.
  • Skanimin me CT - Një pajisje me rreze X e lidhur me kompjuter bën disa fotografi të detajizuara të zonave të ndryshme në organizmin tuaj. Pacientit mund t’i jepet edhe një injektim me ngjyrë, i cili i bën zonat anormale më të dukshme dhe fotografitë më të qarta. CT-ja po ashtu mund të tregojë në se kanceri është shpërndarë në mëlçi, mushkëri, ose organe të tjera.

Mjeku po ashtu mund të kërkojë edhe teste të tjera (si pasqyrim me rezonancë magnetike) për të parë nëse kanceri është shpërndarë. Ndonjëherë përcaktimi i shkallës së kancerit nuk arrihet të kompletohet deri pas operacionit për të larguar tumorin.

Mjekët e përshkruajnë kancerin kolorektal nga këto faza:

  • Shkalla 0: Kanceri gjendet vetëm në shtresën më të brendshme mbështjellëse të kolonit ose rektumit. Karcinoma “in situ”, është një emër tjetër për kancerin kolorektal të Shkallës 0.
  • Shkalla I: Tumori është zhvilluar në murin e brendshëm të kolonit ose rektumit. Tumori nuk ka kaluar përmes murit.
  • Shkalla II: Tumori është zgjeruar edhe më thellë në ose përmes murit të kolonit ose rektumit. Ajo mund të ketë pushtuar indin në afërsi, por qelizat e kancerit nuk janë shpërndarë në nyjat limfatike.
  • Shkalla III: Kanceri është shpërndarë në nyjat limfatik në afërsi, por jo edhe në pjesët tjera të organizmit.
  • Shkalla IV: Kanceri është shpërndarë në pjesët tjera të organizmit, si mëlçi ose mushkëri.

Rishfaqja: Ky është kanceri i cili është trajtuar dhe është rikthyer pas një periudhe kohore, kur kanceri nuk ka mundur të detektohet. Sëmundja mund të rikthehet në kolon ose rektum, ose ndonjë pjesë tjetër të organizmit.

Zgjidhjet e trajtimit në rastin e kancerit kolorektal varen nga vendndodhja e tumorit (kolon ose rektum) dhe nga shkalla e sëmundjes. Trajtimi për kancer kolorektal mund të përfshijë operacionin, kimioterapinë, terapinë biologjike ose terapinë rrezatuese. Disa njerëz kanë trajtim të kombinuar.

Kanceri i kolonit ndonjëherë trajtohet më ndryshe se kanceri rektal. Trajtimet të cilat më së shumti përdoren për kancerin e kolonit ose atë të rektumit janë cekur edhe ndaras në fund të këtij teksti.

Trajtimi i kancerit mund të jetë lokal ose sistemik.

  • Terapia lokale: Operacioni kirurgjik dhe terapia e rrezatimit janë terapi lokale. Ata largojnë ose shkatërrojnë kancerin në ose afër kolonit dhe rektumit. Kur kanceri kolorektal shpërndahet në pjesë të tjera të organizmit, terapia lokale mund të përdoret për të kontrolluar sëmundjes në këto zona specifike.
  • Terapia sistemike: Kimioterapia dhe terapia biologjike janë terapi sistemike. Barnat futen në qarkullimin e gjakut dhe e shkatërrojnë ose kontrollojnë kancerin përmes organizmit.

Meqë trajtimi i kancerit shpesh dëmton edhe qelizat dhe indet e shëndetshme, efektet anësore janë të shpeshta. Efektet anësore varen kryesisht nga lloji dhe kohëzgjatja e trajtimit. Efektet anësore mund të mos jenë të njëjta për çdo person dhe ata mund të ndryshojnë nga një seancë në tjetrën. Para se trajtimi të fillojë, stafi juaj shëndetësojë do t’ua shpjegojë efektet e mundshme dhe do t’ju ofrojë këshilla se si t’i menaxhoni ato.

Ndërhyrja kirurgjike

Operacioni kirurgjik është trajtimi më i shpeshtë te kanceri kolorektal. Ekzistojnë disa mënyra të ndërhyrjes kirurgjike:

  • Kolonoskopia: Përmes kësaj metode mund të largohet ndonjë polip i vogël malinj nga koloni ose pjesa e sipërme e rektumit. Disa tumore të vogla në pjesën e poshtme të rektumit po ashtu mund të largohen përmes anusit tuaj pa kolonoskop.
  • Laparoskopia: Fazat e hershme të kancerit të kolonit mund të largohen me ndihmën e një gypi të hollë të ndriçuar (laparoskop). Gypi futet në kolon përmes disa prerjeve që bëhen në abdomen. Përveç tumorit mjeku largon edhe një pjesë të shëndetshme përreth tumorit. Nyjat limfatike në afërsi mund po ashtu të largohen. Kirurgu kontrollon edhe pjesën tjetër të zorrës dhe mëlçinë tuaj për të parë nëse kanceri është shpërndarë edhe ty.
  • Operacioni i hapur: Kirurgu krijon një prerje të madhe në abdomenin tuaj për të larguar tumorit dhe një pjesë të afërt të shëndetshme të kolonit dhe rektumit. Disa nyje limfatike në afërsi po ashtu largohen. Kirurgu do të kontrollojë edhe pjesën e mbetur të zorrës dhe mëlçisë për të parë nëse kanceri është shpërndarë.

Kur një pjesë e kolonit ose rektumit largohet, kirurgu mund t’i rilidhë pjesët e shëndetshme. Megjithatë, ndonjëherë rilidhja nuk është e mundshme. Në këto raste kirurgu krijon një rrugë të re, përmes të cilës fecesi del nga organizmi. Kirurgu krijon një hapje (stoma) në murin e abdomenit, lidh pjesën e sipërme të zorrës me stomën, dhe mbyll fundin tjetër. Operacioni për të krijuar stomën quhet kolostomi. Një qese e hollë kapet në stoma për të mbledhur mbeturinat e fecesit.

Për shumicën e njerëzve, stoma është e përkohshme. Ajo nevojitet vetëm derisa koloni ose rektumi të shërohet nga operacioni. Pas shërimit, kirurgu i lidh pjesët e zorrës dhe mbyll stomën. Disa njerëz, veçanërisht ata me tymor në pjesën e poshtme të rektumit, kanë nevojp për stomë të përhershme.

Koha e shërimit pas operacionit ndryshon nga njëri person te tjetri. Pacienti mund të mos jetë i rehatshëm në disa ditët e para. Barnat,që do t’ju përshkruajë mjeku, mund t’ju ndihmojnë të kontrolloni dhimbjen. Para operacionit, ju duhet ta diskutoni planin e lehtësimit të dhimbjeve me mjekun ose infermieren.

Është normale të ndjeheni të lodhur ose të dobët për një kohë. Pas operacionit ndonjëherë mund të kenë edhe kapsllëk ose diarre. Po ashtu mjeku do t’ju kontrollojë vazhdimisht për shenja të gjakderdhjes, infeksionit ose problemeve tjera.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni