Regjistrohu/Kyçu

Psoriaza

Çfarë është psoriaza?

Psoriaza është një sëmundje afat-gjate (kronike) e lëkurës e cila nxit paraqiten e njollave të trasha të lëkurës me ngjyrë të kuqe, të bardhë ose të argjendtë.

Te lëkura normale, qelizat e lëkurës zhvillohen gradualisht dhe ndërrohen mesatarisht çdo katër javë. Qelizat e reja të lëkurës zhvillohen në brendi duke zëvendësuar ato të shtesave të jashtme, të cilat bien. Por te psoriaza, qelizat e reja të lëkurës dalin më shpejt në sipërfaqe të lëkurës, gjë që ndodh brenda disa ditëve, në vend të disa javëve. Ato grumbullohen njëra mbi tjetrën dhe formojnë njolla në formë fashe të quajtura pllakëza.

Madhësia e këtyre pllakëzave në lëkurë mund të ndryshojë nga të vogla deri te të mëdha. Këto njolla më së shpeshti paraqiten në gjunjë, bërryla, në lëkurën e kokës, duar, këmbë, ose në pjesën e poshtme të shpinës. Por, këto janë zonat ku ajo më së shumti paraqitet, edhe pse ajo mund të prekë edhe çdo pjesë të trupit.

Ky problem i lëkurës më së shpeshti paraqitet te të rriturit. Por fëmijët dhe tinejxherët po ashtu mund të preken nga kjo. Ajo mund t’i bëjë njerëzit të ndjehen të turpshëm dhe shumë prej tyre, veçanërisht tinejxherë, shmangin ekspozimin e këtyre njollave, si për shembull duke mos dalë në pishina ose raste tjera ku ekspozohet lëkura. Por ka shumë mjekime të cilat mund ta mbajnë psoriazën nën kontroll.

Shkaktarët e saktë së psoriazës nuk dihen por ekspertët besojnë se në këtë është i përfshirë sistemi mbrojtës i organizmit (sistemi imun). Sëmundja po ashtu ka prirje për t’u trashëguar nëpër familje.

Njollat e vogla të psoriazës shpesh mund të mjekohen duke përdorë rregullisht kremra që përmbajnë josteroide. Produktet e katranit (losionet, xhelet dhe shampootë) po ashtu mund të jenë të efektshme, edhe pse ato mund ta shtojnë ndjeshmërinë në diell. Ekspozimi i kufizuar në diell po ashtu mund të ndihmojë; lëkura e paprekur duhet të mbrohet me kremra të diellit. Nëse psoriaza prek lëkurën e kokës, shamponët kundër zbokthit mund të ndihmojnë. Te rastet më të ashpra të psoriazës, ajo mund të mjekohen me preparate më të fuqishme të përshkueshme nga mjeku dhe/ose terapi me dritë ultravjollce.

Edhe stresi mund të kontribuojë në përkeqësimin e psoriazës. Andaj, reduktimi i stresit ndihmon në disa raste.

Shkaktarët e saktë të psoriazës nuk dihen. Por, siç përmendëm edhe te njohuritë bazike rreth psoriazës, ekspertët mendojnë se ky problem i lëkurës paraqitet kur sistemi imur reagon së tepërmi, duke nxitur inflamim (pezmatim) dhe dëmtim të lëkurës.

Në disa raste, psoriaza përcillet nëpër familje. Kërkuesit kanë studiuar familje të gjera të prekura nga psoriaza për të gjetur se si kjo përcillet nga prindërit te fëmijët dhe çfarë mund ta shkaktojë këtë sëmundje. Po thuajse një në tre persona të prekur me psoriazë kanë së paku një person në familje me këtë sëmundje. Por ende nuk është e qartë nëse vetëm faktorët gjenetik mund ta përcaktojnë a do të prekeni ju nga psoriaza.

Njerëzit me psoriazë shpesh e vërejnë kohën kur lëkura e tyre përkeqësohet. Gjërat që mund t’i nxisin këto shpërthime janë klima e ftohtë dhe e thatë, infeksionet, stresi dhe lëkura e thatë. Po ashtu medikamente të caktuar, si barnat anti-inflamatore josteroidale dhe medikamentet që përdoren për të mjekuar tensionin e lartë të gjakut ose sëmundje të caktuara mentale, mund të nxisin një dalje të shpejtë ose përkeqësim të psoriazës tuaj. Pirja e duhanit, veçanërisht te femrat, ju bën më të prirë të prekeni nga psoriaza dhe mund 
ta përkeqësojë nëse ju tashmë e keni atë.

Psoriaza nuk është një sëmundje ngjitëse, ajo nuk përcillet nga një person te personi tjetër.

Simptomat e psoriazës te njerëz të ndryshëm paraqiten në mënyra të ndryshme. Psoriaza mund të jetë e butë, me zona të vogla me puçrra.

Kur psoriaza bëhet mesatare ose e ashpër, lëkura fillon të bëhet e pezmatuar dhe të krijojë disa zona të ngritura të kuqe që kulmojnë me një lëkurë me ngjyrë të argjendtë të lëshuar dhe të rrudhosur. Këto pllakëza, siç theksuam edhe më herët, më së shpeshti paraqiten në gjunjë, bërryla, në lëkurën e kokës, duar, këmbë, ose në pjesën e poshtme të shpinës. Por ato mund të paraqiten kudo në lëkurën e organizmit.

Nëse psoriaza përkeqësohet edhe më tej, lëkura fillon të kruhet dhe të bëhet e ndjeshme. Dhe ndonjëherë krijohen njolla të mëdha dhe ato mund të jenë të pakëndshme. Njollat mund të bashkohen dhe të mbulojnë zona të mëdha të lëkurës, si për shembull gjithë shpinën.

Te disa njerëz, psoriaza mund të bëjë që nyjat të bëhen të ënjtura, të ndjeshme dhe të dhimbshme. Kjo quhet artriti psoriatik. Ky lloj i artritit mund po ashtu të prekë thonjtë e dorës dhe të këmbës, duke shkaktuar çarje të thonjve, ndryshim të ngjyrës dhe dalje të tyre nga shtrati. Lëkura e vdekur mund të ndërtohet nën thonjtë.

Simptomat shpesh zhduken përkohësisht, edhe pa mjekim, dhe më pas rikthehet (shpërthejnë sërish).

Në mënyrë të përmbledhur, simptomat e psoriazës janë këto:

- zona të skuqura dhe të ndritshme në lëkurë (pllakëza), shpesh të mbuluara me luspa të “çliruara” me ngjyrë argjendi. Këto mund të paraqiten kudo, por janë specifike për disa zona të caktuara (gjunjë, bërryla, në lëkurën e kokës, duar, këmbë dhe shpinë). Afro 90 për qind të njerëzve me psoriazë e kanë versionin “pllakëzor” të psoriazës
- zona të vogla me gjakderdhje kur luspat e lëkurës shkëputen ose ngacmohen
- pllakëza të ngritura mesatarisht ose të trasha të thata (shtresë në formë koreje) në lëkurën e kokës
- të kruara veçanërisht gjatë shpërthimit ose kur njollat e psoriazës janë në zona më delikate ku fërkohet lëkura, si nën gjinj ose në mes të këmbëve
- problemet me thonj po ashtu janë të shpeshta, veçanërisht te psoriaza e ashpër. Në këtë grup bëjnë pjesë:

  • o gropëza të holla në thonj (të cilat nuk janë pasojë e infeksioneve me kërpudha)
  • o ndryshim ngjyra në të verdhë të thonjve të këmbëve dhe ndonjëherë edhe të gishtave
  • o ç’kapje e thoit nga shtrati i tij
  • o më rrallë, një grumbullim i lëkurës nën thua.

Nga simptomat tjera më të rralla të psoriazës mund të përshihen edhe:

  • Pllakëza të ngjashme në të njëjtat zona të të dyja anëve të trupit (për shembull, të dy gjunjët ose të dy bërrylat).
  • Shpërthime të shumë njollave në formë të pikave të shiut. I njohur në mjekësi si “guttate psoriasis” kjo sëmundje shpesh vjen si pasojë e ndonjë infeksioni me streptokok dhe është lloji i dytë më i shpeshtë i psoriazës. Ky lloj prek deri në 10 për qind të personave me psoriazë.
  • Ënjtje, ndjeshmëri dhe dhimbje në nyja (artriti psoriatik).

Fenomeni Koebner mund të paraqitet kur një person me psoriazë ka një lëndim (si një prerje, djegie ose ekspozim të tepruar në diell) të zonës së kurës e cila nuk është e prekur nga psoriaza. Njollat e psoriazës më pas paraqiten në lëkurën e lënduar ose në cilëndo pjesë tjetër të lëkurës nga disa ditë deri në dy javë pas lëndimit. Pasi ky reaksion është i shpeshtë, është e rëndësishme për njerëzit të cilët vuajnë nga psoriaza të shmangin irritimin ose lëndimin e lëkurës së tyre.

Disa probleme të tjera të lëkurës kanë simptoma të ngjashme me psoriazën. Disa reaksione të barnave mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme me psoriazën (si lëkurë të skuqur). Bisedoni me mjekun tuaj për barnat të cilat i përdorni.

Çfarë mund të bëni në shtëpi për të përmirësuar gjendjen e psoriazës? Në fakt mund të bëni shumë gjëra për të kontrolluar psoriazën. Ndiqni këto këshilla për kujdes më të mirë të psoriazës:

  • përdorni kremra ose losione, shpëlarës ose zbutës për të mbajtur lëkurën tuaj të njomë
  • provoni të dilni në diel ose në dritë ultravjollce për periudha të shkurtra
  • zbutni dhe largoni me kujdes koret e psoriazës duke vendosur krem në ato kore dhe pastaj duke i leskëruar ato. Largimi i kores mund të ndihmojë lëkurën tuaj të përthithë më shumë kremra ose losione. Largoni ato me kujdes ashtu që të mos e irritoni lëkurën
  • ndiqni udhëzimet e secilit produkt të lëkurës ose secilit ilaç të përshkruar nga mjeku. Mund të kalojë një periudhë e gjatë provuese derisa ju të gjeni cili produkt i lëkurës ose cila metodë ju përshtatet më së miri juve. Për simptomat të lehta të psoriazës, disa medikamente që merren pa përshkrim të mjekut, si produkte të aloe verës, mund të ndihmojnë.

Po ashtu është e rëndësishme të shmangni gjërat të cilat mund të nxisin simptomat e psoriazës të shpërthejnë ose ta përkeqësojnë gjendjen. Gjërat të cilat duhet t’i shmangni janë:

  • Lëndimet e lëkurës. Një lëndim i lëkurës mund të bëjë që pllakëzat e psoriazës të paraqiten kudo në trupë, përfshirë vendin e lëndimit. Këtu përfshihen lëndimet e thonjve ose lëkurës afër tyre, derisa ju i preni ose rregulloni thonjtë tuaj.
  • Stresi dhe ankthi. Stresi mund të bëjë që psoriaza të paraqitet përnjëherë (të shpërthejë) ose mund t’i përkeqësojë simptomat.
  • Infeksioni. Infeksionet si ato të fytit mund të bëjnë që psoriaza të paraqitet përnjëherë, veçanërisht te fëmijët.
  • Barna të caktuara. Disa barna, si barnat anti-inflamatore jo-steroidale, beta-bllokuesit dhe litiumi, mund t’i përkeqësojnë simptomat e psoriazës. Bisedoni me mjekun tuaj. Ju mund të jeni në gjendje të merrni një ilaç tjetër.
  • Tejekspozimi në dritë. Periudha të shkurtra të ekspozimit në diell mund të ulin psoriazën te shumica e njerëzve, por qëndrimi i tepërt në diell mund ta dëmtojë lëkurën dhe të shkaktojë kancerin e lëkurës. Dhe djegiet e lëkurës mund të nxisin shpërthim të psoriazës.
  • Alkooli. Përdorimi i alkoolit mund të shkaktojë shpërthim të simptomave.
  • Duhanpirja. Nëse ju pini duhan, mundohuni të hiqni dorë. Pirja e duhanit, veçanërisht te femrat, ju bën juve më me gjasa të prekeni nga psoriaza dhe mund ta përkeqësojë atë nëse ju e keni.

Studimet e fundit nuk kanë gjetur se ndonjë ushqim i caktuar mund të përmirësojë gjendjen, edhe pse shpesh këshillohet të kihet kujdes. Për disa njerëz, mosngrënia e disa ushqimeve ndihmon psoriazën. Shumica e mjekëve rekomandojnë që ju të hani ushqim të ekuilibruar dhe të shëndetshëm dhe ta ruani peshën në kuadër të normales.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni