Dendësia minerale e eshtrave është një matje e nivelit të mineraleve në eshtra, që tregon se sa të dendura dhe të fuqishme ato janë. Nëse ju keni DME të ulët krahasuar me vlerat normale, ju keni osteopeni. Nëse keni osteopeni ju keni rrezik të shtuar që me kalimin e kohës dendësia minerale e eshtrave të dobësohet nën nivelet e lejuara dhe sëmundja të kalojë në një stad më serioz që quhet osteoporozë.
Çfarë e shkakton osteopeninë?
Dobësimi i eshtrave është një proces normal i plakjes pasi, duke filluar nga mosha e mesme, qelizat ekzistuese të eshtrave riabsorbohen nga organizmi më shpejt se sa krijohen të rejat. Kur kjo ndodh, eshtrat humbi mineralet, masën dhe strukturën duke u bërë më të dobëta dhe duke shtuar rrezikun për thyerje.
Të gjithë njerëzit fillojnë ta humbin masën e eshtrave pasi kjo arrin kulmin e dendësisë në moshën 30-vjeçare. Sa më të trashë janë eshtrat në moshën 30-vjeçare, aq më vështirë ju do të prekeni nga osteopenia ose osteoporoza.
Disa njerëz të cilët kanë osteopeni mund të mos e humbin masën e eshtrave. Ato mund në mënyrë natyrale të kenë një dendësi më të ulët të eshtrave. Osteopenia po ashtu mund të vijë nga një varg çrregullimesh të ndryshme, sëmundje, ose trajtime. Femrat janë më të prira të zhvillojnë osteopeni dhe osteoporozë se sa meshkujt. Arsyeja e kësaj është sepse femrat kanë vlera më të ulët të dendësisë minerale të eshtrave dhe sepse dobësimi i eshtrave shpejtohet nga ndryshimet hormonale të cilat ndodhin gjatë menopauzës.
Edhe te meshkujt edhe te femrat faktorët në vazhdim mund të ndihmojnë në paraqitjen e osteopenisë:
Nëse keni histori familjare të osteoporozës, nëse jeni i dobët me trup, nuk bëni shumë aktivitet fizik, pini duhan, pini vazhdimisht pije me kola, dhe pini sasi të tepruara të alkoolit, jeni me rrezik të shtuar për t’u prekur nga osteopenia dhe osteoporoza.
Cilat janë simptomat?
Osteopenia nuk ka simptoma. Ju nuk ndjeni dhimbje ose ndryshime kur eshtrat tuaja bëhen më të dobët, edhe pse rreziku i thyerjes së tyre rritet pasi eshtrat bëhen më pak të dendur.
Si diagnostikohet osteopenia?
Osteopenia diagnostikohet duke bërë testin e densitetit mineral të eshtrave, që zakonisht bëhet për të parë nëse ju keni osteoporozë (një shkallë më e rëndë e dobësimit të eshtrave). Analiza më e saktë për të matur dendësinë minerale të starave është testi DEXA, edhe pse ka edhe metoda tjera.
Sa më herët ta dalloni osteopeninë mund t’ju ndihmojë ta trajtoni duke parandaluar kalimin e saj në osteoporozë dhe problemet me thyerje të eshtrave. Mjekët shpesh këshillojnë të bëhen analiza rutinë të dendësisë së eshtrave për femrat e moshës mbi 65 vjeçare. Nëse ju keni rrezik më të rritur për fraktura (si për shembull familjarë me këtë sëmundje), është më mirë t’i bëni këto teste më herët. Bisedomi me mjekut tuaj për faktorët e rrezikut dhe kur duhet të filloni të bëni analizat e dendësisë së eshtrave.
Ju mund të përdorni një lloj testi kalkulator të quajtur FRAX të zhvilluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të ndihmuar të parashikoni rrezikun e prekjes nga osteoporoza në 10 vitet e ardhshme.
Gjërat të cilat shtojnë rrezikun për t’u prekur nga osteopenia janë:
Ekspertët këshillojnë që edhe meshkujt e moshuar të kenë kujdes për të shmangur rreziqet që çojnë te osteoporoza. Shumë meshkuj nuk mendojnë se janë në rrezik nga osteopenia ose osteoporoza pasi kjo sëmundje shihet si një sëmundje që prek femrat e moshuara. Pasi meshkujt kanë nivele më të larta të dendësisë së eshtrave se sa femrat në moshë të mesme, këto problem ndodh të paraqiten në moshë më të vonshme te burrat. Por, përveç ndryshimeve hormonale të menopauzës të cilat i bëjnë gratë më të prira për t’u prekur nga ky dobësim i eshtrave, faktorët tjerë të gjithë janë të barabartë si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Meshkujt po ashtu mund të jenë në rrezik më të shtuar nëse kanë nivele më të ulëta të testosteronit.
Si trajtohet osteopenia?
Osteopenia trajtohet duke marrë hapa konkret për ta penguar kalimin e saj në osteoporozë, dhe te disa njerëz, duke përdorur medikamente. Ndryshimet në stilin e jetës mund të ndihmojnë të ulet humbja e fortësisë së eshtrave që mund të çojë në osteopeni dhe osteoporozë.
Ajo çfarë ju hani është shumë e rëndësishme për zhvillimin e eshtrave. Kalciumi është minerali më i nevojshëm për ndërtimin e eshtrave. Burimet më të mira të kalciumit janë vetë qumështi dhe produktet tjera të tij (djathi, jogurti), pastaj perimet e gjelbra, dhe produktet e pasura me kalcium.
Mjeku juaj po ashtu mund t’ju udhëzojë të përdorni suplemente kalciumi, shpesh të kombinuara me vitaminë D. Vitamina D ndihmon organizmin tuaj të absorbojë kalciumin dhe mineralet tjera. Këtë vitaminë mund ta gjeni në vezë, peshq (salmon, sardele) si edhe te disa vajra të peshkut. Kjo lloj vitamine po ashtu i shtohet qumështit dhe mund të merren edhe në formë të tabletave shtesë (suplementëve) si kombinim i kalciumit dhe vitaminave. Përveç ushqimit, trupi juaj edhe vetë krijon vitaminë D si përgjigje ndaj rrezatimit në diell.
Ushtrimet fizike janë të rëndësishme për të pasur eshtra të forta, pasi eshtrat forcohen si përgjigje ndaj presionit. Ushtrimet e lehta trupore si ecja, ngjitja dhe vallëzimi janë zgjidhje të mira. Nëse stërvitjeve të lehta ia shtoni edhe ngritjen e peshave të lehta ose tërheqjen e rripave elastikë, kjo mund të ndihmojë forcimin e eshtrave në pjesën e sipërme të trupit. Bisedoni me mjekun ose fizioterapeutin se cilat ushtrime janë më të mira për ju.
Si shtesë ndaj ushqimit dhe ushtrimeve, ndërprerja e pirjes së duhanit dhe shmangja e konsumimit të sasive të mëdha të alkoolit dhe pijeve me kola po ashtu mund të ulë rrezikun e dobësimit të eshtrave.
Ka edhe barna të cilat ndihmojnë trajtimin e dobësimit të eshtrave. Por këto më shpesh përdoren nëse osteopenia ka kaluar në një shkallë më serioze – në osteoporozë. Medikamentet të cilat mund të përdoren janë bisfosfonatet, raloksifeni dhe zëvendësimet e hormoneve.
“Marrë nga Mjeku” |
Komentoni