Kanceri metastatik po ashtu ka të njëjtin emër dhe të njëjtin lloj të qelizave kanceroze si kanceri origjinal, ose primar. Për shembull, kanceri i gjirit që shpërndahet në mushkëri dhe që krijon një tumor metastatik, në të vërtetë hasët kancer metastatik i gjirit dhe jo kancer i mushkërisë.
Nën mikroskop, qelizat e kancerit metastatik në përgjithësi duken si qelizat e kancerit origjinal. Po ashtu, qelizat e kancerit metastatik dhe qelizat e kancerit origjinal, zakonisht kanë disa përbërje molekulare të përbashkëta, si shfaqje e proteinave të caktuara ose prani e ndryshimeve të caktuar në kromozome.
Edhe pse disa lloje të kancerit metastatik mund të shërohen me trajtimet ekzistuese, shumica e tyre nuk mund të shërohen. Megjithatë, ekzistojnë trajtime për të gjithë pacientët me kancer metastatik. Në përgjithësi qëllimi kryesor i këtyre trajtimeve është të kontrollohet rritja e kancerit ose të lehtësohen simptomat e shkaktuara nga ai. Në disa raste, trajtimet e kancerit metastatik mund të ndihmojnë zgjatjen e jetës. Megjithatë, shumica e njerëzve të cilët vdesin nga kanceri, vdesin nga sëmundja metastatike (kanceri shpërndahet nëpër shumë organe të organizmit duke bllokuar punën e tyre).
Disa njerëz me tumore metastazuese nuk kanë simptoma. Metastazat e tyre mësohen përmes rrezatimit X ose testeve të tjera.
Kur simptomat e kancerit metastatik paraqiten, lloji dhe shpeshtësia e simptomave varet nga madhësia dhe lokacioni i metastazës. Për shembull, kanceri që shpërndahet në eshtra me gjasë do të shkaktojë dhimbje dhe mund të çojë në fraktura (thyerje) të eshtrave. Kanceri që shpërndahet në tru mund të shkaktojë simptoma të ndryshme, përfshirë kokëdhimbje, kriza, dhe paqëndrueshmëri. Frymëmarrjet e shkurtra mund të jenë shenjë e metastazës së mushkërive. Ënjtja anormale ose verdhëza (zverdhja e lëkurës) mund të jenë shenjë se kanceri është shpërndarë në mëlçi.
Ndonjëherë kanceri origjinal (primar) i personit zbulohet vetëm pasi një tumor i ri ku ai ka metastazuar shkakton simptoma. Për shembull, një mashkull kanceri i prostatës së të cilit është shpërndarë në eshtrat e pelvikut (legenit) mund të ketë dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës (të shkaktuar nga kanceri në eshtrat e tij) para se të përjetojë ndonjë simptomë nga tumori origjinal në prostatën e tij.
Jo. Tumori metastatik gjithmonë shkaktohet nga qeliza të kancerit të cilat vijnë nga një pjesë tjetër e trupit.
Në shumicën e rasteve, kur një tumor metastazues detektohet, kanceri primar po ashtu mund të gjendet. Kërkimet për kancerin primar mund të përfshijnë teste laboratorike, rreze X, tomografi kompjuterike (CT), skanim me rezonancë magnetike (MR), tomografi pozitron-emetuese (PET), dhe procedura të tjera.
Megjithatë, te disa pacientë, tumori metastatik diagnostikohet, por tumori primar nuk mund të gjendet, pavarësisht testeve të shumta, pasi ai ose është i vogël ose është tërhequr krejtësisht. Patologu e di se tumori i diagnostikuar është metastatik pasi qelizat nuk duken si ato të organeve ose indeve ku tumori është i pranishëm. Mjekët i referohen kancerit primar si i panjohur ose i padukshëm (i fshehur) dhe pacientët thuhet se kanë kancer me origjinë primare të panjohur .
Meqë teknikat diagnostikuese vazhdimisht përmirësohen, numri i rasteve me kancer primar të panjohur është gjithnjë në rënie.
Nëse një person, i cili më herët është trajtuar për kancer, diagnostikohet me kancer për të dytën herë, kanceri i ri në të shumtën e rasteve është kancer metastatik (prej kancerit të mëparshëm), dhe më rrallë kancer i ri primar.
Kanceri metastatik mund të trajtohet me:
Terapi sistematike si: kimioterapi, terapi biologjike, terapi të shënjestruar, terapi hormonale
Terapi lokale si: Ndërhyrje kirurgjike, terapi rrezatuese ose kombinim i tyre.
Lloji i trajtimit në përgjithësi varet nga lloji i kancerit primar; pastaj madhësia, vendndodhja dhe numri i tumoreve metastazuese; mosha e pacientit dhe shëndeti i përgjithshëm; dhe llojet e trajtimit që pacienti i ka pasur në të kaluarën. Te pacientët me kancer primar të panjohur, është e mundshme të trajtohet sëmundja edhe pse kanceri primar nuk është gjetur.
A ka trajtime të reja për kancerin metastatik?
Po. Studiuesit përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të vrarë ose penguar zhvillimin e qelizave të kancerit primar dhe qelizave të kancerit metastatik, përfshirë edhe rrugë të reja për të stimuluar përgjigjen e sistemit imun kundër tumoreve. Për më tepër, kërkuesit përpiqen të gjejnë mënyra për të penguar hapat e veçantë gjatë procesit metastatik.
Por, shumë trajtime të reja ende nuk janë në dispozicion të pacientëve. Kjo pasi, para se një trajtim i ri të mund të jetë në dispozicion, ai duhet të studiohet në eksperimente klinike dhe të shihet sa i sigurt dhe efektiv është në mjekimin e sëmundjes.
“Marrë nga Mjeku” |
Komentoni