Regjistrohu/Kyçu

Inflamimi i prostatës

Prostata është pjesë e organeve seksuale mashkullore. Ajo është një gjëndër me madhësinë e arrës dhe rrethon gypin e quajtur uretra, dhe është e vendosur menjëherë nën fshikën e urinës.

Uretra bën dy punë: Ajo përcjell urinën nga fshikëza kur ju urinoni dhe ajo përcjell farën gjatë zbrazjes seksuale ose ejakulimit. Fara është kombinim i spermës dhe një lëngu të cilin e lëshon prostata.

Cilat janë problemet e prostatës?

Për meshkujt nën moshën 50 vjeçe, problemi më i shpeshtë i prostatës është prostatiti.

Për meshkujt mbi moshën 50 vjeçare, problemi më i madh i prostatës është zmadhimi i prostatës. Kjo sëmundje po ashtu quhet hiperplazia beninje e prostatës. Meshkujt e moshuar janë në rrezik më të madh për t’u prekur edhe nga kanceri i prostatës, por kjo sëmundje është më pak e shpeshtë se hiperplazia beninje e prostatës. Për më shumë informata rreth kancerit të prostatës, gjeni në rubrikën e kancerit.

Çfarë paraqet prostatiti?

Prostatit do të thotë se postata është e inflamuar ose e irrituar. Nëse ju keni prostatit, ju mund të keni ndjenjë djegie kur urinoni ose ju mund të duhet të urinoni më shpesh. Ose ju mund të keni ethe ose vetëm të ndjeheni të lodhur.

Inflamacioni në cilëndo pjesë të trupit zakonisht është shenjë se trupi është duke luftuar me ndonjë baktere ose është duke u rikuperuar nga ndonjë lëndim. Disa lloje të prostatitit shkaktohen nga baktere, organizma të vegjël të cilat shkaktojnë infeksion ose sëmundje. Nëse ju keni prostatit bakterial, mjeku juaj mund të shikojë në mikroskop dhe të gjejë baktere në mostrën e urinës tuaj. Mjeku më pas do t’ju përshkruajë ndonjë antibiotik, një bar i cili vret bakteret.

Shumicën e kohës, mjekët nuk gjejnë baktere te meshkujt me prostatit. Nëse ju keni probleme urinimi, mjeku do të kërkojë shkaktarët tjerë të mundshëm, si gurët në veshka ose kancerin.

Nëse nuk gjen asnjë shkaktar, mjeku mund të vendosë se ju keni një sëmundje të quajtur prostatiti jobakterial.

Ju mund të duhet të punoni me mjekun tuaj për të kuptuar se cili trajtim është i duhuri për ju. Ndryshimi i ushqimit ose bërja e banjave të nxehta mund të ndihmojë. Mjeku juaj mund t’ju japë barna të quajtura alfa-bllokues për të relaksuar indin muskulor të prostatës. Asgjë zgjidhje nuk funksionon për secilin me këtë sëmundje. Te disa funksionojnë disa lloje trajtimi, ndërsa te të tjerë lloje të tjera.

Çfarë është zmadhimi i prostatës?

Nëse jeni mbi moshën 50-vjeçare dhe keni filluar të keni probleme me urinimin, arsyeja mund të jetë prostata e zmadhuar ose hiperplazia beninje e prostatës. Derisa burrat plaken, prostata e tyre vazhdon të rritet. Kur ajo rritet, bllokon uretrën. Meqë urina udhëton nga fshikëza e urinës nëpër uretër, presioni nga prostata e rritur mund të ndikojë në kontrollin e fshikës.

Nëse ju keni hiperplazi beninje të prostatës, ju mund të keni një ose më shumë prej këtyre problemeve:

  • Nevojë e shpeshtë dhe urgjente për të urinuar. Ju mund të zgjoheni disa herë gjatë natës për të shkuar në tualet.
  • Vështirësi për të filluar lëshimin eurinës. Edhe nëse ju ndjeni se duhet të nguteni për të arritur sa më shpejt te tualeti, ju mund ta keni vështirë të filloni urinimin.
  • Rrjedhje e dobët e urinës
  • Sasi të vogla të urinës secilën herë që ju shkoni
  • Ndjenjë se ju prapë duhet të ktheheni, edhe pse ju sapo keni përfunduar urinimin.
  • Urinë që mezi rrjedh ose pikon
  • Sasi të vogla të gjakut në urinë.

A është hiperplazia beninje e prostatës shenjë e kancerit?

Jo. Është e vërtetë se disa burra me kancer të prostatës po ashtu kanë hiperplazi beninje të prostatës, por kjo nuk do të thotë se dy sëmundjet janë gjithmonë të lindura. Shumica e meshkujve me hiperplazi beninje të prostatës nuk zhvillojnë kancer të prostatës. Megjithatë, pasi simptomat e hershme janë të njëjta për të dyja sëmundjet, ju duhet të vizitoni mjekun, me qëllim që ai t’i vlerësojë simptomat dhe t’ua japë diagnozën e vërtetë.

A është hiperplazia beninje e prostatës sëmundje serioze?

Vetë hiperplazia beninje e prostatës nuk është sëmundje serioze, deri kur simptomat të bëhen të mërzitshme sa ju të mos mund të jetoni rehat. Por hiperplazia beninje e prostatës mund të çojë në probleme të tjera. Një prej tyre janë infeksionet e traktit urinar.

Nëse ju nuk mund të urinoni aspak, ju duhet të kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë. Ndonjëherë kjo ndodh përnjëherë te meshkujt, pasi ato marrin disa barna pa përshkrim të mjekut ose barna kundër alergjisë.

Në raste të rralla, hiperplazia beninje e prostatës dhe problemet e vazhdueshme me urinimin që i shkakton, mund t’i dëmtojnë veshkat.

Si diagnostikohet sëmundja e prostatës?

Me qëllim që të identifikojë problemin dhe të vendos për trajtimin më të mirë, mjeku do të bëjë disa teste.

Kontrolli digjital rektal – Ky ekzaminim zakonisht është testi i parë që bëhet. Mjeku vesh dorëz dhe e fut gishtin e tij në rektum (anus) dhe prek prostatën, që qëndron menjëherë para rektumit. Ky ekzaminim i jep mjekut një ide të përgjithshëm për madhësinë dhe gjendjen e prostatës.
Analizat e gjakut – mjeku mund t’ju kërkojë të bëni analizat e gjakut për të kërkuar antigjenin specifik të prostatës (PSA). Nëse PSA është e lartë, kjo mund të jetë shenjë se ju keni kancer të prostatës. Por ky test nuk është i përkryer. Shumë njerëz me nivel të lartë të këtij antigjeni nuk kanë kancer të prostatës.

Fotografimi – mjeku mund të kërkoni fotografi të prostatës tuaj, që realizohet përmes rrezeve X ose sonogramit. Pielogrami intravenoz është një rrezatim x i traktit urinar. Për të realizuar pielogramin intravenoz, në venën tuaj do të injektohet një ngjyrues. Më vonë, kur ngjyruesi kalon nga gjaku në urinë, ai paraqitet në rrezet X. Në rastin e sonogramit rektal në rektumin tuaj futet një sondë për të dërguar valë në prostatë nga e cila më pas krijohet një pamje e prostatës.

Studimi i rrjedhjes së urinës – Juve mund t’ju kërkohet të urinoni në një pajisje të veçantë për të matur se sa shpejt urina rrjedh. Rrjedhja e zvogëluar mund të tregojë se ju keni hiperplazi beninje të prostatës.

Cistoskopia – Një mënyrë tjetër për të parë problemin nga brenda është me anë të cistoskopit, që është një gyp i hollë me thjerrëza si një mikroskop. Gypi futet në fshikëzën e urinës përmes retrës, derisa mjeku shikon përmes cistoskopit.

Si trajtohet hiperplazia beninje e prostatës?

Ka disa mënyra për të trajtuar hiperplazinë beninje të prostatës. Ju duhet të bisedoni me mjekun tuaj për të gjetur se cili trajtim është më i miri për ju.

  • Pritja duke vëzhguar – Nëse simptomat tuaja nuk ju shqetësojnë shumë, ju mund të zgjidhni të jetoni me ta se a të merrni tableta çdo ditë ose të bëni ndërhyrje kirurgjike. Por ju duhet bëni vështrime të rregullta për t’u siguruar se sëmundja juaj nuk përkeqësohet. Me anë të pritjes vëzhguese, ju mund të jeni të gatshëm të zgjidhni trajtim sapo ai të jetë i nevojshëm.
  • Barnat – Në vitet e fundit, shkencëtarët kanë zhvilluar disa bana për të zvogëluar ose relaksuar prostatën me qëllim që ta pengojnë atë nga bllokimi i hapjes së fshikëzës urinare.
  • Procedurat jokirurgjikale – Një numër i pajisjeve janë zhvilluar, të cilat lejojnë mjekët të eliminojnë pjesë të prostatës përmes procedurave jo-kirurgjikale. Këto procedura zakonisht realizohet në klinikë ose spital pa pasur nevojë të qëndroni gjatë natës në spital. Procedurat janë transuretrale, që do të thotë se mjeku arrin në zonë duke kaluar përmes uretrës. Mjeku përdor një gyp të hollë të cilin e fut përmes uretrës, për të dërguar nxehtësi të kontrolluar në zona të vogla të prostatës. Një xhel mund të aplikohet në uretër për të parandaluar dhimbjen ose mundimin. Ju nuk do të keni nevojë për barna të cilat ju shtinë në gjumë.
  • Ndërhyrja kirurgjike – Ndërhyrja kirurgjike për të larguar një pjesë të prostatës mund të bëhet përmes uretrës ose përmes ndërhyrjes me prerje, që kërkon prerjen e lëkurës mbi bazën e penisit. Mjeku juaj mund t’u rekomandojë ndërhyrje me prerje nëse prostata juaj është shumë e madhe. Ndërhyrja më e shpeshtë quhet resekcioni transuretral li prostatës (RTUP). Te kjo ndërhyrje, kirurgu fut një gyp të hollë nëpër uretër dhe pret copa të prostatës me një tel të lakuar, derisa shikon përmes cistoskopit. Edhe në rastin e resekcionit tranuretral të prostatës edhe në rastin e ndërhyrjes prerëse, pacienti duhet të mpihet përmes anestezionit të përgjithshëm dhe të qëndrojë në spital për disa ditë.

A do të thotë RTUP edhe largim i prostatës?

Jo. Resekcioni transuretral i prostatës dhe procedurat tjera për hiperplazinë beninje të prostatës largojnë vetëm aq ind sa për të liruar bllokimin e urinës. Në disa raste, prostata mund të vazhdojë të rritet, dhe problemet urinare kthehen. Ju duhet të vazhdoni të kontrolloni prostatën një herë në vit pas operacionit, për t’u siguruar se nuk është zhvilluar hiperplazi e re beninje ose kancer i prostatës.

Largimi i prostatës ose prostatektomia radikale, zakonisht bëhet vetëm në rastet kur duhet të ndalohet kanceri i prostatës të mos shpërndahet.

Cilat janë efektet anësore të trajtimit të prostatës?

Ndërhyrja kirurgjike për hiperplazinë beninje të prostatës mund të ketë efekt të përkohshëm në funksionet seksuale. Shumica e meshkujve rikthejnë tërësisht funksionet seksuale një vit pas ndërhyrjes. Kohëgjatja e saktë varet nga ajo se sa kohë i keni pasur simptomat para ndërhyrjes dhe nga lloji i ndërhyrjes. Pas resekcionit transuretral të prostatës disa meshkuj vërejnë se fara nuk del jashtë penisit gjatë orgazmës. Në fakt kjo shkon prapa në fshikëzën e urinës. Në disa raste kjo sëmundje mund të trajtohet me një ilaç që ndihmon fshikëzën urinare të mbyllet. Mjeku i cili është i specializuar në probleme të fertilitetit mund të jetë në gjendje t’ju ndihmojë nëse ejakulimi prapavajtës (me spermën që kthehet prapa) shkakton probleme për çiftet që përpiqen të kenë fëmijë.

Nëse keni ndonjë problem pas trajtimit për probleme të prostatës, bisedoni me mjekun tuaj. Problemet me ereksionin (ngritjen e penisit) dhe humbja e kontrollit të fshikëzës së urinës janë gjëra që mund të trajtohen.

Nëse prostata juaj largohet krejtësisht për të penguar shpërndarjen e kancerit, ju mund të keni probleme afatgjate seksuale si dhe për të kontrolluar fshikëzën, si për shembull rrjedhje ose pikim.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni