Regjistrohu/Kyçu

Goditja në tru

Nëse qelizat e trurit vdesin ose dëmtohen nga goditja në tru, simptomat shfaqen në pjesët e trupit të cilat i kontrollojnë këto qeliza. Shembuj të simptomave të pikës në tru përfshijnë molisje; paralizë ose mpirje të fytyrës, krahëve ose këmbëve (paraliza nënkupton paaftësi për të lëvizur); probleme në të folur; dhe probleme me shikim.

Goditja në tru është një gjendje serioze mjekësore, e cila kërkon kujdes emergjent. Mund të shkaktojë dëmtim të përhershëm të trurit, paaftësi afatgjate, por edhe vdekje. Nëse mendoni se ju ose dikush tjetër përjeton goditje në tru, atëherë thirreni menjëherë ndihmën e shpejtë, në mënyrë që stafi mjekësor të fillojë trajtimin për shpëtimin e jetës! Gjatë pikës në tru, secila minutë ka rëndësi.

Dy format kryesore të goditjes në tru janë: iskemike dhe hemorragjike. Forma më e shpeshtë është ajo iskemike.

Goditja iskemike në tru ndodh atëherë kur bllokohet arteria e cila sjell gjak të pasur me oksigjen në tru. Trombët e gjakut më së shpeshti i shkaktojnë bllokadat, të cilat çojnë deri te goditja iskemike në tru.

Goditja hemorragjike në tru ndodh atëherë kur del gjaku jashtë nga një arterie në tru ose nëse ka rupturë (çarje të arteries). Presioni nga gjaku që del jashtë i dëmton qelizat trunore. Shtypja e lartë e gjakut dhe aneurizmat janë shembuj të gjendjeve të cilat mund të shkaktojnë goditjen hemorragjike. (Aneurizmi paraqet fryrje të arteries, e cila mund të pëlcasë).

Një tjetër gjendje e ngjashme me goditjen në tru është sulmi iskemik i rastit, që quhet si TIA ose ‘mini-goditje’. TIA ndodh nëse qarkullimi i gjakut në një pjesë të trurit bllokohet për një kohë të shkurtë. Në këtë rast, dëmtimi i qelizave trunore nuk është i përhershëm.

Goditja iskemike dhe TIA
Gjendje të ndryshme shëndetësore mund të shtojnë rrezikun e shfaqjes së goditjes iskemike apo TIA-s. Gjendje të tilla janë arteroskleroza, sëmundjet e zemrës dhe çrregullimet e gjakut.

Goditja hemorragjike
Presioni i lartë i gjakut, aneurizmat dhe malformacionet arteriovenoze janë ndër shkaktarët kryesorë që mund të çojnë deri te shfaqja e goditjes hemorragjike në tru.

Sëmundje të ndryshme, gjendje të ndryshme shëndetësore, si edhe shprehi të caktuara mund të shtojnë rrezikun për të pasur goditje në tru – këto quhen faktorë të rrezikut:

  • Shtypja e lartë e gjakut
  • Pirja e duhanit
  • Diabeti
  • Sëmundjet e zemrës (sëmundja koronare e zemrës, kardiomiopatia, pamjaftueshmëria e zemrës dhe fibrilacioni atrial)
  •  Aneurizmat në tru ose malformacionet arteriovenoze
  • Mosha dhe gjinia (mosha e shtyrë, gjinia mashkullore)
  • Raca dhe enticiteti (afro-amerikanët, banorët e Alaskës dhe indianët e Amerikës janë më të rrezikuarit)
  • Histori personale ose familjare të goditjes në tru
  • Konsumimi i alkoolit dhe abuzimi me droga (kokainë, amfetaminë)
  • Nivelet e pashëndetshme të kolesterolit
  • Mungesa e aktivitetit fizik
  • Ushqimi i pashëndetshëm
  • Mbipesha
  • Stresi dhe depresioni
  • Gjendjet mjekësore, si anemia, vaskuliti dhe çrregullimet e gjakderdhjes.

Shenjat dhe simptomat e goditjes në tru zakonisht zhvillohen shpejtë, por ndodh që të zhvillohen brenda orëve apo ditëve. Lloji i simptomave varet nga lloji i goditjes në tru dhe nga pjesa e trurit që është prekur.

Nga shenjat dhe simptomat e një goditjeje në tru, përmendim:

  • Dobësi e papritur
  • Paralizë ose mpirje e fytyrës, krahëve ose këmbëve, sidomos në njërën anë të trupit
  • Konfuzion (huti)
  • Probleme në të folur dhe në të kuptuar
  • Probleme me shikim në njërin ose të dy sytë
  • Probleme me frymëmarrje
  • Marramendje, probleme në të ecur, humbje e baraspeshës ose koordinimit dhe rrëzime të pashpjegueshme
  • Humbje e vetëdijes
  • Kokëdhimbje e menjëhershme dhe e rëndë

(Edhe TIA ka shenjat dhe simptomat e ngjashme, por ato zgjasin më pak se një apo dy orë).

“Marrë nga Mjeku”


Merıta 05/05/2020

Pershemdetje kam problem ne zemer I trtı ımfrakt . per nje vıte e gjys kam genet e Babıte te Ndıer Ju lutem Ku qemdrom problemı mı bu stendat dhe mjekt ketu po eshtyj ne trapı per stenda u ba MKE her bısed PO apet me terapı qka preferomı ? Dhe me cılen pjes behem stendat ! Dhe qfar hapa me pas perdorem apo nuk perdoret kurrfar terapıje Ju Falmderıt Respekt

Komentoni