Regjistrohu/Kyçu

Ethet tropikale

Ethet tropikale shkaktohen pas pickimit të mushkonjave që bartin virusin. Virusi nuk përhapet nga njeriu në njeri në rast të kontakteve të zakonshme. Njerëzit të cilët janë të infektuar me ethet tropikale duhet të ruhen nga pickimi i mushkonjave, pasi që nëse një mushkonjë e kafshon personin e infektuar – infektohet dhe mund t’ua transmetojë virusin njerëzve të tjerë.

Epidemitë janë të shpeshta në shumë vende në Amerikën Latine dhe në Azinë Juglindore. Sëmundja është e shpeshtë edhe në Afrikë, në disa pjesë të Lindjes së Mesme, Paqësorin Verior, Porto Riko dhe në vende tjera tropikale dhe subtropikale. Udhëtarët që vizitojnë këto vende mund ta marrin sëmundjen.

Simptomat e etheve tropikale mund të jenë të lehta dhe të rënda. Në rastet e lehta, simptomat më të shpeshta janë:

  • Temperaturë e lartë befas (deri në 41 °C)
  • Kokëdhimbje
  • Dhimbje të syve
  • Dhimbje të nyjave dhe muskujve
  • Nauze, vjellje dhe humbje apetiti.

Pas etheve fillestare, te disa njerëz mund të shfaqen simptoma më serioze:

  • Shenja të gjakderdhjes, si:
  1. Njolla të kuqe gjaku nën lëkurë
  2. Gjakderdhje nga hunda, goja ose gingiva (mishi i dhëmbëve)
  3. Vjellje gjaku
  4. Jashtëqitje të zeza (me gjak)
  • Dhimbje të forta barku
  • Shenja të tjera shoku.

Këto janë shenja të etheve tropikale hemorragjike. Në raste të rralla mund të jenë vdekjeprurëse.

Ethet tropikale diagnostikohen në mënyrë që mjeku juaj ju pyet rreth simptomave dhe ndonjë udhëtimit të kohëve të fundit. Po ashtu, do të bëhen teste të gjakut për të konfirmuar se bëhet fjalë për ethet tropikale.

Trajtimi

Nuk ka medikamente që mjekojnë ethet tropikale. Rastet e lehta mund të trajtohen në shtëpi duke pushuar dhe duke konsumuar sasi të mëdha të lëngjeve për të parandaluar dehidrimin. Mund të merrni acetaminophen (Tylenol) për dhimbje, por jo barna anti-inflamatore, si aspirina, ibuprofeni ose naprokseni – të cilët mund të shtojnë rrezikun për gjakderdhje. Njerëzit me forma të lehta të etheve tropikale, zakonisht ndjehen mirë pas dy javësh.

Ethet tropikale hemorragjike, forma më serioze e etheve tropikale, zakonisht kërkojnë trajtim në spital. Nevojitet marrje e lëngjeve në mënyrë intravenoze për të trajtuar dehidrimin. Po ashtu, mund të nevojitet transfuzion i gjakut për të zëvendësuar gjakun e humbur. Mjekët do ta monitorojnë nga afër gjendjen e pacientit për të përcjellë shenjat e shokut.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni