Regjistrohu/Kyçu

Ethet e verdha

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë vitit regjistrohen 200.000 raste me ethe të verdha, 30.000 prej të cilëve përfundojnë me vdekje. Ethet e verdha po rriten në nivel ndërkombëtar, për shkak të imunitetit të ulët ndaj këtij infeksioni te popullatat lokale, shpyllëzimit, ndryshimeve klimatike dhe urbanizimit me dendësi të madhe të popullsisë.

Edhe pse rreziku për këtë sëmundje te banorët e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës është i vogël, megjithatë rekomandohet vaksinimi i njerëzve që udhëtojnë nëpër vendet ku sëmundja është e përhapur.

Si transmetohet virusi?

Ethet e verdha përhapen te njerëzit nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Njerëzit nuk mund ta përhapin (ngjisin) virusin te njëri-tjetri me kontakt të zakonshëm, por infeksioni mund të transmetohet në mënyrë direkte në gjak me anë të gjilpërave.

Ethet e verdha e kanë marrë emrin nga dy simptomat më të dukshme: Ethet dhezverdhja e lëkurës. Te disa njerëz, ethet e verdha nuk kanë simptoma fillestare, derisa te të tjerët, simptomat e para shfaqen brenda disa orësh e deri në gjashtë ditë pas ekspozimit ndaj virusit pas pickimit të mushkonjës.

Një infeksion i etheve të verdha ka dy faza. Faza e parë e simptomave mund të zgjasë nga tri deri në katër ditë dhe më pas, te shumica e njerëzve, zhduket.

Simptomat fillestare te ethet e verdha janë:

  • Ethe dhe dridhje
  • Simptoma të ngjashme me gripin (dhimbje muskujsh, kokëdhimbje dhe vjellje).

Faza e dytë më toksike e infeksionit shfaqet te 15 për qind e pacientëve. Mund të zhvillohet edhe një gjendje e quajtur ethet hemorragjike, me gjakderdhje të brendshme, temperaturë të lartë dhe dëmtim të mëlçisë, veshkave dhe sistemit qarkullues.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se mbi 50 për qind e njerëzve që arrijnë këtë fazë të rëndë, vdesin, ndërsa vetëm gjysma shërohen

Simptomat e fazës së dytë të etheve të verdha janë:

  • Verdhëza (dëmtimi i mëlçisë) që shkakton zverdhje të lëkurës dhe syve
  • Hepatiti (inflamacion i mëlçisë)
  • Gjakderdhje e brendshme
  • Vjellje gjaku
  • Shok
  • Dështim multisistemik i organeve që çon deri te vdekja.

Ethet e verdha diagnostikohen në bazë të simptomave, informatave rreth udhëtimit në vendet ku është e përhapur sëmundja dhe me anë të analizave të gjakut.

Trajtimi

Meqenëse nuk ka mjekim për infeksionin viral, trajtimi mjekësor i etheve të verdha fokusohet në lehtësimin e simptomave – si ethet, dhimbja muskulore dhe dehidrimi.

Për shkak të rrezikut nga gjakderdhja e brendshme duhet shmangur aspirina dhe barnat tjera ani-inflamatore josteroide (NSAID).

Shtirja në spital zakonisht është e domosdoshme.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni