Regjistrohu/Kyçu

Dhimbja e fytit

Dhimbja e fytit zakonisht është shenja e parë e një ftohjeje. Mirëpo, dhimbja e fytit nga ftohja zakonisht përmirësohet ose kalon pas një ose dy ditësh. Ndërkaq, mund të shoqërohet edhe me rrjedhje nga hundët dhe kongjestion (zënia e hundëve).

Infeksioni i fytit me streptokok (faringjiti streptokoksik) është një tjetër shkaktar i dhimbjes në fyt. Në këtë rast, dhimbja është më e madhe dhe qëndron më gjatë.

Tonsiliti është një inflamacion i dhimbshëm ose infeksion i tonsilëve (bajameve) – masa indore të lokalizuara në pjesën e pasme të fytit.

Dhimbja e fytit mund të shkaktohet nga viruset ose bakteret. Shkaktarët më të shpeshtë janë viruset, me ç’rast dhimbja e fytit mund të shoqërohet edhe me simptomat tjera të ftohjes, si rrjedhje nga hundët, kollitje, sy të kuq ose të njomur dhe teshtitje. Shkaktarët tjerë të dhimbjes së fytit janë edhe duhanpirja, ndotja ose irritantët tjerë në ajër, alergjitë dhe ajri i thatë.

Përveç dhimbjes së fytit, te ftohja përfshihen edhe këto simptoma:

  • Rrjedhja e hundëve
  • Teshtitja
  • Kollitja
  • Kokëdhimbje e lehtë
  • Dhimbje të lehta trupore
  • Temperaturë

Edhe pse nuk ka mjekim adekuat për shërimin e dhimbjes në fyt të shkaktuar nga viruset e ftohjes, ekzistojnë mënyra që të ndjeheni më mirë. Pirja e lëngjeve të nxehta, shpëlarja me ujë të ngrohtë të kriposur apo marrja e barnave të caktuar, mund t’i lehtësojë simptomat e dhimbjes ose etheve. Kur jeni të ftohur është me rëndësi që të pushoni mjaftueshëm, të konsumoni ushqim të shëndetshëm dhe të pini shumë lëngje.

Barnat kundër dhimbjes (acetaminophen, ibuprofen, naproxen) mund të lehtësojnë dhimbjet e shkaktuara nga ftohja e fytit. (Aspirina nuk guxon t’u jepet fëmijëve për shkak të lidhjes me sindromën Reye – një çrregullim që mund të shkaktojë dëmtimin e trurit apo vdekjen).

Spërkatësit dhe tabletat për zbutjen e fytit dhe ‘mpirjen’ e përkohshme të dhimbjes janë po ashtu të dobishëm për lehtësimin e gjendjes. Për lirimin e hundëve përdoren spërkatës që përmbajnë dekongjestivë nazalë.

Antibiotikët nuk duhet shfrytëzuar për trajtimin e viruseve të ftohjes dhe dhimbjes së fytit, duke qenë se ata janë të efektshëm vetëm kundër baktereve. Antibiotikët nuk kanë kurrfarë efekti mbi viruset.

Dhimbja e fytit që shkaktohet nga infeksioni me bakterin streptokok, quhet laringjit streptokoksik. Infeksioni merret gjatë kontaktit me pështymën e personit të infektuar apo sekretet nazale. Është më i shpeshtë te fëmijët e moshave, ndërmjet 5-15 vjeç, por mund të haset edhe te të rriturit.

Faringjiti streptokoksik mund të shkaktojë sëmundje më serioze, siç janë ethet reumatike (sëmundje që mund të dëmtojë valvulet e zemrës). Prandaj është shumë e rëndësishme që të merret mjekimi i duhur që zakonisht zgjat 10 ditë.

Simptomat e faringjitit streptokoksik janë zakonisht më të rënda se ato te dhimbja e fytit e shkaktuar nga ftohja, dhe mund të përfshijnë:

  • Dhimbje të vrullshme të fytit
  • Humbje të apetitit
  • Gëlltitje të dhimbshme
  • Tonsilë të kuq me njolla të bardha
  • Temperaturë dhe ethe

Diagnostikimi i saktë i këtij infeksioni bëhet me anë të testit të streptokokut, i cili tregon praninë e bakterit në fyt.

Trajtimi i faringjitit streptokoksik bëhet me anë të antibiotikëve, të cilët shkatërrojnë bakteret që e kanë shkaktuar infeksionin. Penicilina dhe amoksicilina janë antibiotikët më të shpeshtë që përdoren për mjekimin e dhimbjes së fytit të shkaktuar nga streptokoku. Ndërsa te njerëzit që janë alergjikë në penicilinë, jepen antibiotikë tjerë.

Kërkoni ndihmë mjekësore, nëse ndodh që pas terapisë së ordinuar të mjekut shfaqen simptomat e mëposhtme:

  • Temperaturë dhe ethe, një ose dy ditë pasi jeni ndier më mirë
  • Nauze ose vjellje
  • Dhimbje veshi
  • Kokëdhimbje
  • Skuqje lëkure
  • Kollitje
  • Ënjtje të gjëndrave
  • Dhimbje nyjash
  • Frymëzënie
  • Urina e errët, ekzantema ose dhimbja në gjoks (mund të shfaqen tri apo katër javë më vonë).

Ndonjëherë dhimbja e fytit shkaktohet nga tonsiliti, një inflamacion i bajameve që mund të shkaktohet nga viruset ose bakteret. ‘Puna’ e tonsilëve (bajameve) është që të ndihmojnë në luftimin e infeksioneve, mirëpo edhe ato mund të infektohen. Nëse ndodh kështu, atëherë rezultati është tonsiliti dhe dhimbja e fytit.

Krahas dhimbjes së fytit, te tonsiliti ënjten bajamet te të cilat mund të ketë njolla të bardha ose të verdha të shpërndara. Simptomat tjera, janë:

  • Erë e keqe e gojës
  • Temperaturë dhe ethe
  • Ndryshime të zërit për shkak të ënjtjes
  • Gëlltitje e dhimbshme
  • Ënjtje të gjëndrave limfatike në qafë

Nëse infeksioni i tonsilitit është bakteror, atëherë përdoren antibiotikët, ndërsa nëse infeksioni është viral, atëherë antibiotikët nuk ndihmojnë.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni