Regjistrohu/Kyçu

Degjenerimi makular

(Retina është ind i ndjeshëm në dritë që gjendet në pjesën e pasme të syrit). Meqenëse sëmundja zhvillohet me kalimin e moshës, njihet si degjenerimi makular i lidhur me moshën. Edhe pse degjenerimi makular thuajse kurrë nuk shkakton verbëri të plotë, kjo gjendje mund të jetë burim i paaftësisë së dukshme të të shikuarit.

Ekzistojnë dy forma të degjenerimit makular të lidhur me moshën:

  • Forma e thatë – karakterizohet nga prania e depozitimit të materialit të verdhë në makulë, që quhen ‘drusa’. Sasia e paktë e ‘drusave’ nuk shkakton ndryshime në shikim; megjithatë duke u rritur në madhësi dhe në numër, ato mund të çojnë deri të turbullimi ose shtrembërimi i shikimit, të cilin njerëzit e vërejnë gjatë leximit. Në format më të avancuara të degjenerimit të thatë makular, ndodh edhe hollimi i shtresës së qelizave të ndjeshme në dritë në makulë që dërgon deri te atrofia ose vdekja e indit. Te forma atrofike e degjenerimit të thatë makular, pacientët mund të kenë njolla të verbra në qendër të shikimit. Në stadet e avancuara, pacientët humbin shikimin qendror.
  • Forma e njomë – karakterizohet nga rritja e enëve anormale të gjakut nga horoidea nën makulë. Ndryshe quhet neovaskularizim horoidal. Këto enë të gjakut lëshojnë gjakun dhe lëngun brenda retinës, duke shkaktuar shtrembërimin e shikimit, i cili i bën vijat e drejta të duken të valëzuara, dhe po ashtu shfaqen njolla të verbra dhe humbje e shikimit qendror. Këto enë anormale të gjakut mund të çojnë deri te humbja e përhershme e shikimit qendror.

Shumica e pacientëve me degjenerim makular kanë formën e thatë të sëmundjes dhe nuk e humbin shikimin qendror. Megjithatë, forma e thatë e degjenerimit makular mund të dërgojë deri te shfaqja e formës së njomë (në 10 për qind të rasteve).

Është shumë e rëndësishme që njerëzit me degjenerim makular të monitorojnë me kujdes shikimin dhe të vizitohen rregullisht te oftalmologu.

Nga vetë emri – degjenerimi makular i lidhur me moshën – kuptohet se kjo sëmundje është më e shpeshtë te personat e moshuar. Në fakt, është shkaktari kryesor i humbjes së rëndë të shikimit te të moshuarit mbi 60 vjeç.

Degjenerimi makular mund të trashëgohet nga prindërit te fëmijët. Nëse dikush në familjen tuaj ka ose e ka pasur këtë sëmundje, atëherë edhe ju jeni të rrezikuar që ta zhvilloni atë. Bisedoni me oftalmologun rreth rrezikut tuaj individual.

Konsumimi i duhanit, shtypja e lartë e gjakut, niveli i lartë i kolesterolit, mbipesha dhe raca e bardhë – janë po ashtu faktorë të rrezikut për degjenerimin makular.

Në fazat e hershme, degjenerimi makular mund të mos ketë simptoma dhe mund të jetë i pavërejtur derisa të përparojë ose të prekë të dy sytë. Simptoma e parë e degjenerimit makular zakonisht është një turbullim, një njollë e turbullt në mes të shikimit tuaj. Kjo njollë mund të bëhet më e madhe dhe më e errët me kalimin e kohës.

Simptomat e degjenerimit makular janë:

  • Zona të errëta dhe të turbullta në qendër të shikimit
  • Perceptim i dobësuar ose i ndryshuar i ngjyrave

Nëse përjetoni ndonjë nga këto simptoma, vizitoni një specialist për sy (oftalmolog) sa më shpejtë që është e mundur.

Degjenerimi makular i lidhur me moshën mund të zbulohet gjatë një ekzaminimi rutinor të syrit. Prania e ‘drusave’ (depozitimi i materialit të verdhë në makulë) është një nga shenjat më të hershme te kjo sëmundje. Mjeku juaj mund t’i shohë ato gjatë ekzaminimit të syve. Pastaj, mjeku mund të kërkojë nga ju që të shikoni në ‘rrjetin Amsler’. Disa nga linjat e drejta (në rrjetin Amsler) mund t’ju duken të valëzuara ose mund t’ju duket se disa nga vijat mungojnë. Këto mund të jenë shenja të degjenerimit makular. Nëse mjeku juaj zbulon ekzistimin e degjenerimit makular, atëherë ju mund t’i nënshtroheni një procedure të quajtur angiografi ose një OCT (tomografia optike koherente).

Zbulimi i hershëm i degjenerimit makular të lidhur me moshën mund të jetë shumë i rëndësishëm, sepse ka trajtime që mund ta vonojnë ose reduktojnë seriozitetin e sëmundjes.

Aktualisht nuk ka shërim për degjenerimin makular, mirëpo mjekimi mund ta parandalojë humbjen e rëndë të shikimit ose mund ta ngadalësojë dukshëm përparimin e sëmundjes.

  • Barnat anti-angiogjenezës. Këto medikamente pengojnë zhvillimin e enëve të reja të gjakut dhe rrjedhjet nga enët anormale të gjakut në sy (që shkaktojnë degjenerimin e njomë makular). Ky trajtim paraqet një ndryshim të madh në mjekimin e kësaj gjendjeje dhe pacientët mund të rikthejnë shikimin e humbur. Trajtimi duhet përsëritur gjatë vizitave të radhës.
  • Vitaminat. Studimet kanë treguar se vitaminat C, E, beta-karoteni (pararendës i vitaminës A), zinku dhe bakri, mund ta zvogëlojnë rrezikun e humbjes së shikimit te pacientët me degjenerim të thatë makular mesatar ose të përparuar.
  • Terapia me laser. Drita e laserit me energji të lartë nganjëherë mund të shfrytëzohet për shkatërrimin e enëve anormale të gjakut gjatë zhvillimit të tyre (që për pasojë shkaktojnë degjenerimin makular).
  • Terapia fotodinamike me laser. Trajtim i dyfishtë, gjatë të cilit një bar i ndjeshëm në dritë (Verteporfin) përdoret për shkatërrimin e enëve anormale të gjakut. Mjeku e injekton barin në qarkullimin e gjakut në mënyrë që të absorbohet nga enët anormale të gjakut në sy. Më pas, ai ndriçon një laser të ftohtë në sy për ta aktivizuar barin, duke dëmtuar enët anormale të gjakut.
  • Ndihmesa për shikim të dobët. Aparate, të cilat kanë thjerrëza speciale ose sisteme elektronike që prodhojnë imazhe të zmadhuara të objekteve të afërta. U ndihmojnë njerëzve që kanë humbje të shikimit nga degjenerimi makular.

Shkencëtarët janë duke studiuar trajtime të reja për degjenerimin makular.Ndërhyrja kirurgjike submakulare (për largimin e enëve anormale të gjakut apo të vet gjakut) dhe translokimi retinal (për shkatërrimin e enëve anormale të gjakut që gjenden menjëherë nën qendrën e makulës) janë trajtime të reja që janë ende në fazën eksperimentale.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni