Ovariumet (vezoret) janë dy organe të vogla të vendosura në secilën anë të mitrës në trupin e një femre. Ato prodhojnë hormone duke përfshirë estrogjenin, i cili nxit menstruacionin.
Për çdo muaj, ovariumet lirojnë një ‘vezë të vogël’. Qeliza vezë lëshohet nëpër tubat uterine (fallopiane) duke qenë e gatshme për fertilizim (fekondim). Cikli i krijimit dhe lirimit të qelizës vezë quhet ovulacion.
Shkaktarët e cisteve të vezoreve
Ekzistojnë disa tipa të cisteve të vezoreve, ndërsa më i shpeshtë është cisti funksional. Ky formacion krijohet kur nuk lirohet qeliza vezë ose kur nuk shpërbëhet folikuli (ku formohet qeliza vezë) pas lëshimit të qelizës vezë.
Tipat tjerë të cisteve janë:
- Ovariumet policistike. Në sindromën policistike të ovariumeve, folikulet në të cilat qelizat vezë piqen normalisht, nuk hapen – ashtu që formohet cisti.
- Endometriomat. Te femrat me endometriozë, indi i mitrës zhvillohet në pjesë të tjera të trupit duke përfshirë edhe ovariumet. Mund të shkaktojnë dhimbje të mëdha dhe të pengojnë fertilitetin (pjellorinë).
- Cistadenomat. Këto ciste formohen nga qelizat në sipërfaqe të vezoreve. Janë zakonisht të mbushura me lëng.
- Cistet dermoide. Përmbajnë ind të ngjashëm me atë të pjesëve të tjera të trupit, si lëkura, flokët dhe dhëmbët.
Çfarë i shkakton tumoret e ovariumeve?
Tumoret mund të formohen në ovariume ngjashëm si formohen në pjesët tjera të trupit. Nëse tumoret nuk janë kanceroze, atëherë quhen beninj. Nëse janë kanceroze, quhen malinj.
Tri llojet e tumoreve të ovariumeve janë:
- Tumoret e qelizave epiteliale – fillojnë nga qelizat në sipërfaqe të ovariumeve. Këto janë forma më e shpeshtë e tumoreve të ovariumeve.
- Tumoret e qelizave embrionale – fillojnë në qelizat që prodhojnë qelizat vezë. Mund të jenë edhe beninjë edhe kancerozë. Më shpesh janë beninjë.
- Tumoret e stromës – krijohen nga qelizat që prodhojnë hormonet femërore.
Mjekët nuk janë të sigurt se çfarë e shkakton kancerin e ovariumeve. Mirëpo, ata kanë identifikuar disa faktorë rreziku:
- Mosha (sidomos femrat pas menopauzës)
- Duhanpirja
- Mbipesha
- Moslindja e fëmijëve ose mosdhënia gji (ndërkaq, përdorimi i kontraceptivëve duket se e zvogëlon rrezikun)
- Marrja e barnave për fertilitet (siç është clomifene)
- Terapia hormon-zëvendësuese
- Histori familjare ose personale me kancer të ovariumeve, të gjirit ose kolorektal.
Simptomat e cisteve dhe tumoreve të ovariumeve
Cistet e vezoreve zakonisht nuk japin simptoma. Ndodh që nuk mund ta kuptoni se keni cist derisa të keni bërë një vizitë te mjeku me ekzaminimin rutinor të pelvikut. Megjithatë, cistet e ovariumeve mund të shkaktojnë probleme nëse përdridhen, gjakderdhin ose këputen.
Nëse keni ndonjë nga simptomat e mëposhtme, është e rëndësishme që të bëni një kontroll, për arsye se ato mund të jenë edhe simptoma të tumoreve të ovariumeve. Kanceri i ovariumeve zakonisht përhapet para se të zbulohet.
Simptomat e cisteve dhe tumoreve të ovariumeve janë:
- Dhimbje ose fryrje në bark
- Vështirësi gjatë urinimit ose nevojë e shpeshtë për të urinuar
- Dhimbje topitëse në pjesën e poshtme të shpinës
- Dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale
- Menstruacione të dhimbshme dhe gjakderdhje anormale
- Shtim në peshë
- Nauze (mundim në lukth, ndjenjë për të vjellë) ose vjellje
- Humbje oreksi, ngiheni shpejtë.
Si diagnostikohen cistet dhe tumoret e ovariumeve?
Obstetri/gjinekologu ose mjeku juaj i rregullt mund të vërejë një kokërr gjatë ekzaminimit rutinor të pelvikut. Shumica e tumoreve të ovariumeve janë beninje. Mirëpo, një numër i vogël i tyre mund të jetë kanceroze, prandaj është rëndësishme që çdo ‘rritje’ të kontrollohet. Ndërkaq, sidomos femrat pas menopauzës duhet të kontrollohen, pasi janë më të rrezikuara nga kanceri i ovariumeve.
Testet që bëhen për të zbuluar cistet dhe tumoret e vezoreve:
- Ultrazëri
- CT (tomografia e kompjuterizuar), MRI (rezonanca magnetike), PET (tomografia me emetim të pozitronit)
- Niveli i hormoneve (hormonit luteinizues – LH, hormonit folikulostimulues – FSH, estradiolit dhe testosteronit)
- Laparoskopia
- Kërkimi i proteinës CA-125 në gjak (nivelet e kësaj proteine janë më të larta te femrat me kancer të ovariumeve)
Trajtimi i cisteve dhe tumoreve të vezoreve
Shumica e cisteve të ovariumeve do të largohen vetvetiu. Nëse nuk keni simptoma shqetësuese, sidomos nëse nuk e keni kaluar menopauzën, mjeku juaj do t’u këshillojë që të pritni, por me mbikëqyrje. Ai nuk do t’ju mjekojë, por do të bëjë kontroll çdo tre muaj për të shikuar në cisti ka pësuar ndonjë ndryshim eventual.
Barnat kontraceptive mund ta lehtësojnë dhimbjen nga cistet e ovariumeve. Ata parandalojnë ovulacionin duke zvogëluar probabilitetin e formimit të cisteve të reja.
Ndërhyrja kirurgjike është një opsion nëse cisti nuk tërhiqet, rritet ose ju shkakton dhimbje. Janë dy lloje operacionesh:
- Laparoskopia – bëhet një prerje shumë e vogël dhe përdoret një instrument i hollë si teleskop, i cili futet në abdomen për të larguar cistin. Kjo teknikë ka sukses për cistet më të vogla.
- Laparotomia – përfshin një prerje më të madhe në bark. Mjekët e preferojnë këtë procedurë për ciste më të mëdha dhe për tumore të ovariumeve. Nëse tumori është kanceroz, atëherë kirurgu do të largojë sa më shumë pjesë nga indi i tumorit. Varësisht nga përhapja e kancerit, kirurgu mund të largojë edhe ovariumet, mitrën, tubat fallopiane, omentumin, indin yndyror rreth zorrëve dhe nyjat e afërme limfatike.
Trajtimet tjera të tumoreve kanceroze të ovariumeve janë:
- Kimioterapia – barnat jepen në mënyrë intravenoze, nga goja ose drejtpërdrejtë në abdomen për të vrarë qelizat kanceroze. Duke qenë se këto barna i vrasin edhe qelizat normale, medikamentet e kimioterapisë mund të japin shumë efekte anësore, si nauzea dhe vjellje, rënie të flokëve, dëmtim të veshkave dhe shtim të rrezikut për infeksione.
- Rrezatimi – rrezet X me energji të lartë që i vrasin ose zmbrapsin qelizat kanceroze. Rrezatimi bëhet ose nga jashtë trupit ose vendoset në brendi në afërsi të tumorit. Edhe ky trajtim mund të shoqërohet me efekte anësore, si skuqje e lëkurës, nauze, barkqitje dhe lodhje. (Rrezatimi nuk përdoret shpesh për të luftuar kancerin e ovariumeve).
Ndërhyrja kirurgjike, kimioterapia dhe rrezatimi mund të shfrytëzohen një nga një ose së bashku. Është e mundshme që tumoret kanceroze të ovariumeve të rishfaqen, nëse kjo ndodh, atëherë do të nevojitet sërish ndërhyrje kirurgjike, të kombinuar me kimioterapi dhe rrezatim.
Komentoni