Regjistrohu/Kyçu

Arterioskleroza

Arterioskleroza dhe ateroskleroza janë dy koncepte të cilat shpesh përdoren si një, edhe pse në fakt janë dy koncepte të ndryshme, por të ngjashme.

Arterioskleroza paraqet forcim të arterieve. Kjo sëmundje jo vetëm që i trash artierit, por po ashtu shkakton edhe fortësim dhe humbje të elasticitetit të tyre. Me kalimin e kohës, arteriet bëhen më të forta dhe gradualisht dëmtohen nga presioni i lartë i gjakut.

Ateroskleroza është lloji më i shpeshtë i arteriosklerozës, ose forcimit të arterieve. Ateroskleroza shkaktohet nga mbledhja e pllakëzave të gjakut në enët e gjakut. Me kalimin e kohës këto pllakëza e trashin murin e enës së arteries, si pasojë e të cilës rezulton forcimi dhe humbja e elasticitetit të tyre.

Pra, pacienti me arteriosklerozë mund të mos ketë aterosklerozë, por një pacient me aterosklerozë ka arteriosklerozë.

Arterioskleroza është shkaktari i zakonshëm i sulmeve në zemër, pikës në tru, dhe sëmundjeve të tjera të enëve periferike, që me një emër quhen sëmundje kardiovaskulare. Sëmundja kardiovaskulare është një prej sëmundjeve më vdekjeprurëse në botë.

Shtrohet pyetja se si zhvillohet arterioskleroza, kush e sjell atë dhe pse? Ka shumë gjëra për t’u thënë për arteriosklerozën dhe paraqitjen e saj. Por gjëja më e rëndësishme është se kjo është një sëmundje që mund të parandalohet ndërsa edhe të mjekohet me sukses.

Çfarë e shkakton arteriosklerozën?

Para se të shpjegojmë sëmundjen, le të shohim diçka rreth enëve të gjakut. Arteriet janë enët e gjakut të cilat e dërgojnë atë nga zemra nëpër gjithë organizmin tuaj. Ato janë të mbështjella nga një shtresë e hollë e qelizave e quajtur endotelium. Endoteliumi mbron brendinë e arterieve dhe e mban atë të butë, që mundëson gjakut të qarkullojë lirshëm.

Ekspertët thotë se arterioskleroza paraqitet kur presioni i lartë i gjakut, konsumi i duhanit ose kolesteroli i lartë dëmtojnë endotelin e arterieve. Në këtë mënyrë fillojnë të krijohen të ashtu-quajturat pllakëzat e kolesterolit.

Së pari kolesteroli i keq, LDL, depërton në brendi të enëve të gjakut përmes endotelit të dëmtuar. Kolesteroli aty krijon disa shtresa, ku kapen qelizat e bardha të gjakut (qelizat mbrojtëse), me qëllim për të tretur LDL kolesterolin. Me kalimin e viteve, qelizat dhe kolesteroli që grumbullohen shndërrohen në shtresa të forta të cilat kapen në murrin e enës dhe gradualisht mbyllin arterien.

Këto pllakëza janë një përzierje e yndyrave (kolesterolit), qelizave dhe grimcave, dhe krijojnë xhunga të cilat vazhdimisht bëhen më të mëdha derisa bllokojnë enën e gjakut.

Arterioskleroza tenton të paraqitet gjithkund në trup. Ekspertët thonë se nëse ju keni enë të bllokuara në zemër, jeni në rrezik të lartë të prekeni edhe nga goditja në tru, ose e kundërta.

Arterioskleroza zakonisht nuk shfaq simptoma deri në moshën e mesme ose të shtyrë. Vetëm kur ngushtimi i enëve bëhet i ashpër, ajo e pengon kalimin e gjakut dhe mund të shkaktojë dhimbje. Bllokimet po ashtu mund të pëlcasin menjëherë, duke bërë që gjaku të mpikset brenda arteries në vendin e pëlcitjes.

Ateroskleroza dhe sulmi i pllakëzave

Pllakëzat aterosklerotike mund të sillen në mënyra të ndryshme. Ato mund të qëndrojnë brenda murit të arterieve. Aty, pllakëzat rriten deri në një madhësi të caktuar dhe mund të ndalojnë. Pasi nuk e bllokojnë qarkullimin e gjakut, këto pllakëza mund të mos japin simptoma.

Por ata mund të zhvillohen në mënyrë graduale, të kontrolluar në drejtim të qarkullimit të gjakut. Kështu ato mund të shkaktojnë bllokime të enëve të gjakut. Dhimbjet në gjoks ose këmbë, janë simptomë e zakonshme e kësaj sëmundje.

Në rastin më të keq: pllakëzat mund të shkaktojnë pëlcitje të menjëhershme, duke lejuar gjakun të mpikset brenda arteries. Në tru kjo shkakton pikën (sulmin në tru); në zemër shkakton sulmin e zemrës.

Pllakëzat ateroskelerotike i shkaktojnë tre llojet kryesore të sëmundjes kardiovaskulare:

  • Sëmundjen e arteries koronare – Pllakëzat e krijuara në arteriet e zemrës shkaktojnë anginë (dhimbje në gjoks). Pëlcitja e përnjëhershme e pllakëzës dhe mpiksja mund të bëjnë muskulin e zemrës të vdesë. Ky është sulmi i zemrës, ose infarkti miokardiak.
  • Sëmundjen kardiovaskulare – Pllakëzat e pëlcitura në arteriet e trurit shkaktojnë pikën, me mundësi të mëdha të dëmtimeve të përhershme në tru. Bllokimi i përkohshëm i ndonjë arterie mund të çojë edhe te sulmet e përkohshme ishemike, që janë shenjë paralajmëruese e pikës në tru; megjithatë në këtë rast nuk ka lëndime të trurit.
  • Sëmundja e arterieve periferike – Ngushtimi i arterive të këmbëve të shkaktuara nga pllakëzat. Sëmundja e arterieve periferike shkakton qarkullim të dobët të gjakut. Kjo shkakton dhimbje në ecje dhe shërim të ngadalshëm të plagëve.   

Arterioskleroza është një sëmundje progresive, e cila vazhdimisht zhvillohet, por po ashtu edhe një që mund të parandalohet. Ekspertët mendojnë se në 90 për qind të rasteve, janë nëntë faktorë kryesor që mund të fajësohen:

  • Pirja e duhanit
  • Kolesteroli i lartë
  • Presioni i lartë i gjakut
  • Diabeti
  • Obeziteti abdominal
  • Stresi
  • Mosngrënia e pemëve dhe perimeve
  • Përdorimi i tepruar i alkoolit (më shumë se një pije në ditë për femrat, ose një ose dy për meshkujt)
  • Mos-aktiviteti i rregullt fizik (stërvitjet).

Ju mund të vëreni se të gjitha këto kanë diçka të përbashkët: Ju mund t’i kontrolloni ato! Ekspertët mendojnë se ulja e faktorëve të rrezikut mund të çojë në gjasa më të pakta për sëmundje kardiovaskulare.

Për njerëzit me risk mesatar ose të lartë – ata të cilët kanë pasur sulm në zemër ose në tru, ose që vuajnë nga angina – përdorimi i një aspirine (100 mg) në ditë mund të jetë shumë i rëndësishëm. Aspirina ndihmon parandalimin e krijimit të mpiksjeve të gjakut. Bisedoni me mjekun tuaj para se të filloni të pini aspirinë, pasi kjo mund të ketë edhe efekte anësore.

Sapo të ketë ndonjë bllokim të enës, ky problem nuk largohet menjëherë. Me barna dhe ndryshime në stilin e jetës, pllakëzat mund të ngadalësohen ose të ndalojnë së rrituri. Ato mund madje të tërhiqen lehtësisht me trajtim më agresiv.

  • Ndryshimet në stilin e jetës - Ulja e faktorëve të rrezikut, të përmendura më lartë, mund të çojë në ngadalësim ose ndalim të procesit arteriosklerotik. Kjo do të thotë se ushqimi i shëndetshëm, stërvitjet dhe mos-pirja e duhanit, ndihmojnë të pengoni arteriosklerozën. Këto nuk do ta largojnë pllakëzën që ka bllokuar enën, por ato janë dëshmuar se ulin rrezikun për sulme në zemër dhe në tru.
  • Barnat - Përdorimi i barnave të cilat ulin nivelin e kolesterolit dhe ato të cilat ulin tensionin e lartë të gjakut, ngadalësojnë dhe mbase ndërpresin zhvillimin e arteriosklerozës, si edhe ulin rrezikun tuaj për sulme në zemër dhe në tru.
  • Duke përdorur teknikat invazive, mjekët mund po ashtu të hapin rrugët e bllokuara nga arterioskleroza, ose të hapin rrugë të reja duke i anashkaluar bllokimet. Të tilla teknina janë:
  • Angiografia dhe vendosja e stentave – Kateterizimi kardiak me angiografi të arterieve koronare është procedura më e aplikuar angiografike. Duke përdorur një tub të hollë që futet në arteriet në këmbët ose kraharorin tuaj, mjekët mund të arrijnë te arteriet e bllokuara. Bllokimet e arterieve mund të shihen drejtpërdrejtë përmes rrezeve X. Angioplastia dhe vendosja e stentave shpesh mund të hapë një arterie të bllokuar
  • Operacioni bypass - Kirurgët heqin një enë të shëndetshme të gjakut (shpesh nga këmba ose gjoksi). Ata e shfrytëzojnë më pas këtë enë të shëndetshme për të anashkaluar (anglisht “bypass”) një segment të bllokuar nga arterioskleroza.

Këto procedura përfshijnë një rrezik të shtuar të komplikimeve të tjera. Ato zakonisht i shpëtojnë njerëzit me simptoma të dukshme ose me kufizime të shkaktuara nga arterioskleroza.

“Marrë nga Mjeku”


Komentoni