Regjistrohu/Kyçu

Pneumonia

Pneumonia dhe simptomat e saja mund të varirojnë nga të lehta deri në të rënda. Shumë faktorë ndikojnë në atë se sa serioze është pneumonia – siç është lloji i mikroorganizmit që e shkakton, mosha dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore.

Pneumonia është më serioze te:

  • Foshnjat dhe fëmijët e vegjël
  • Të moshuarit (mbi 65 vjeç)
  • Njerëzit që kanë probleme tjera shëndetësore (pamjaftueshmëri të zemrës, diabet apo sëmundje obstruktive kronike të mushkërive)
  • Njerëzit që kanë sistem të dobët imunitar si pasojë e sëmundjeve ose faktorëve të tjerë (p.sh të sëmurët me AIDS, ata që marrin hemoterapi apo ata që kanë bërë ndonjë transplantim organi).

Llojet e Pneumonisë

Pneumonia emërohet në bazë të mënyrës se si infektohet personi apo në bazë të mikroorganizmit që e shkakton atë.

Pneumonia e fituar në shoqëri (CAP, e fituar jashtë spitaleve) – shumica e njerëzve e marrin infeksionin duke i inhaluar mikroorganizmat (sidomos gjatë fjetjes) që jetojnë në gojë, hundë dhe fyt. Është forma më e shpeshtë e pneumonisë, shfaqet sidomos gjatë dimrit.

Pneumonia e fituar në spital (HAP) ose në qendra tjera mjekësore – Disa njerëz sëmuren nga pneumonia gjatë qëndrimit në spital për shkak të ndonjë sëmundjeje tjetër. Rreziku më i madh ekziston te personat që qëndrojnë në ventilator (aparat që ndihmon për frymëmarrje). HAP është më e rrezikshme se CAP, sepse pacienti tashmë është i sëmurë. Po ashtu, spitalet kanë mikroorganizma shumë më rezistuese ndaj antibiotikëve.

Pneumonia aspiruese – Kjo formë e pneumonisë mund të shfaqet në rast se futni ushqim, pije, vjellje ose pështymë nga goja në mushkëri.

Pneumonia atipike – Baktere të ndryshme, si Legionella pneumophila, Mycoplasma pneumonia dhe Chlamydophila pneumoniae – shkaktojnë pneumoninë atipike (një formë e CAP). Pneumonia atipike transmetohet nga një person te tjetri.

Shkaktarët

Lloje të ndryshme mikroorganizmash mund ta shkaktojnë pneumoninë – bakteret, viruset dhe më rrallë kërpudhat. Organizmi është i përgatitur që të pengojë futjen e mikroorganizmave në mushkëri dhe të mbrohet nga infeksioni. Megjithatë, nganjëherë, mikroorganizmat arrijnë të futen në mushkëri dhe të shkaktojnë infeksion. Kjo ndodh kur:

  • Sistemi imunitar është i dobësuar
  • Mikroorganizmi është shumë i fortë
  • Organizmi dështon në filtrimin e mikroorganizmave nga ajri që thith

Mikroorganizmat që e shkaktojnë pneumoninë:

  • Bakteret – janë shkaktarët më të shpeshtë të pneumonisë te të rriturit. Njerëzit mund të sëmuren nga pneumonia bakterore vetvetiu ose pasi të jenë ftohur. Ky lloj pneumonie prek një lob të mushkërisë, prandaj quhet pneumoni lobare. Streptococcus pneumoniae ose pneumococcus është shkaktari më i shpeshtë i pneumonisë bakterore. Legionella pneumophila, Mycoplasma pneumonia dhe Chlamydophila pneumoniae shkaktojnë të ashtuquajturën pneumoni atipike.
  • Viruset – janë shkaktarët më të shpeshtë të pneumonisë te fëmijët më të vegjël se pesë vjeç. Viruset respiratore shkaktojnë rreh 1/3 e pneumonive. Rastet më të shpeshta të pneumonive virusale janë më të lehta dhe shërohen brenda një deri në tri javë, pa mjekim. Megjithatë, disa raste janë më serioze dhe kërkojnë trajtim spitalor. Virusi i gripit është shkaktari më i shpeshtë i pneumonisë virusale te të rriturit. Viruset tjera që shkaktojnë pneumoni janë virusi respirator sinsitial, rinoviruset, virusi herpes simplex, SARS etj.
  • Kërpudhat – Coccidioidomycosis, Histoplasmosis dhe Cryptococcus, janë disa nga kërpudhat që shkaktojnë pneumoni. Pneumocystis jiroveci (i njohur si Pneumocystis carinii) nganjëherë konsiderohet si pneumoni mikotike, megjithatë nuk trajtohet me barna të zakonshëm antimikotikë. Kjo formë e infeksionit është më e shpeshtë te personat që kanë HIV/AIDS ose kancer, që kanë bërë transplantim organi apo që marrin barna të cilat ua dobësojnë sistemin imunitar.

Faktorët e rrezikut

Kjo sëmundje mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave, mirëpo foshnjat deri në moshën dyvjeçare (pasi sistemi i tyre imunitar është ende në zhvillim e sipër) dhe të moshuarit mbi 65 vjeç – janë më të rrezikuarit.

Po ashtu, jeni të prirë që të sëmureni nga pneumonia nëse keni ndonjë sëmundje të mushkërisë ose tjetër sëmundje serioze (fibrozë cistike, astma, sëmundje obstruktive, bronkektazi, diabet, pamjaftueshmëri të zemrës dhe anemi). Jeni më të rrezikuar nga pneumonia nëse gjendeni në njësinë e kujdesit intensiv në spital, sidomos nëse përdorni aparat që ju ndihmon të merrni frymë. Sistemi i dobët imunitar shton rrezikun për pneumoni.

Duhanpirja, alkooli mungesa e higjienës, po ashtu shtojnë rrezikun për pneumoni.

Simptomat

  • Temperaturë të lartë
  • Ethe, dridhje
  • Kollitje me këlbazë (që nuk përmirësohet, por keqësohet)
  • Probleme me frymëmarrje gjatë aktiviteteve normale ditore
  • Dhimbje në gjoks kur merrni frymë ose kolliteni
  • Ndjeheni më keq pasi jeni ftohur ose keni pasur grip

Edhe nauzea (mundim në lukth), vjellja dhe barkqitja mund të jenë të pranishme te njerëzit e sëmurë nga pneumonia.

Diagnostifikimi

Nuk është lehtë të diagnostikohet pneumonia, për shkak të ngjashmërisë së simptomave me ftohjen apo gripin. Nuk mund të kuptohet se bëhet fjalë për një sëmundje më serioze, derisa të zgjatë më shumë.

Anamneza (historia e sëmundjes, si ka filluar, kur ka filluar, simptomat etj.),ekzaminimi fizik (auskultimi i mushkërive) dhe rezultatet nga testet (rëntgenografia e gjoksit, analizat e gjakut, testimi i sputumit – pështymës për të zbuluar shkaktarin, CT, kultura e lëngut nga pleura, bronkoskopia) do ta zbulojnë sëmundjen tuaj.

Trajtimi i pneumonisë

Mjekimi i pneumonisë

Qëllimi i trajtimit nënkupton mjekimin e infeksionit dhe parandalimin e komplikimeve. Trajtimi i përgjithshëm ka të bëjë me marrjen e barnave të përshkruara nga mjeku dhe respektimin e rekomandimeve të tij.

Pneumonia bakterore trajtohet me antibiotikë, ndërsa këto barna nuk kanë efekt te pneumonia virusale. Në rastet më të rënda, mjekimi ndodh në spital për shkak të rrezikut nga komplikimet që mund të rrezikojnë jetën.

Parandalimi

Për parandalimin e pneumonisë janë zhvilluar vaksina për preventivën e pneumonisë nga pneumokoku dhe asaj që vjen si pasojë e gripit.
Në krahasim me njerëzit që nuk vaksinohen, të vaksinuarit në rast infeksioni kanë simptoma më të lehta, zgjasin më shkurtë dhe ka më pak komplikime.

 

 


Komentoni