Regjistrohu/Kyçu

Çrregullimi i hiperaktivitetit dhe mungesës së vëmendjes në martesë dhe në marrëdhëniet romantike

Shumë njerëz mendojnë gabimisht se çrregullimi i hiperaktivitetit dhe mungesës së vëmendjes është një problem që haset vetëm në fëmijëri. Mirëpo gjysma e atyre që kanë pasur çrregullim të hiperaktivitetit dhe mungesë të vëmendjes, gati 5% e amerikanëve, vazhdojnë ta kenë atë edhe në moshë të rritur.

Mungesa e vëmendjes dhe vështirësia për të përfunduar detyrat që i bën fëmijët të kishin vështirësi të uleshin mund të evoluojë në probleme të vetë vlerësimit, vështirësi në përqendrimin në punë dhe në abuzim me drogat. Këto simptoma të këtij çrregullimi mund të krijojnë tension në marrëdhëniet e ndryshme.

Shumë vetë me këtë sëmundje mundet që të mos jenë diagnostikuar asnjëherë. Deri sa ju nuk dini që e keni këtë sëmundje, ju nuk mund të merrni trajtimin e duhur dhe nga kjo mund ta pësojë marrëdhënia juaj.

Si ndikon ky çrregullim në marrëdhëniet?

Simptomat dalluese, harresa, mungesa e vëmendjes, vështirësia për të përfunduar detyrat dhe të qenët impulsiv, mund të bëjnë kërdinë në marrëdhënie të ndryshme tuajat. Të gjithë këto probleme mund të ndërlikohen në qoftë se në lojë janë edhe fëmijët.

Këtu janë disa nga problemet që mund të hasen në qoftë se ju apo partneri juaj e ka këtë çrregullim:

  • Vështirësia në të dëgjuarit dhe të kushtuarit vëmendje. Një individ i tillë mund të flasë pa radhë e të mos i lërë të tjerët të marrin frymë duke e bërë të vështirë komunikimin. Gjithashtu, kjo mund të shkaktojë që partneri të ndihet i parëndësishëm dhe i pavlerësuar.
  • Shqetësime gjatë kryerjes së detyrave. Çrregullimi mund të çojë në aftësi të dobëta organizuese dhe në harresa. Një person i tillë mund të harrojë ditëlindjen e bashkëshortes ose përvjetorin e martesës së tyre, të harrojë të ndalojë tek dyqani duke u kthyer nga puna në shtëpi, siç i ka kërkuar bashkëshortja e tij. Kjo harresë mund të bëjë që ajo të lëndohet dhe të mendojë që bashkëshorti i saj nuk e çan kokën për të, ndërkohë që ai në të vërtetë ka harruar për shkak të këtij çrregullimi. Po e njëjta paaftësi për t’i përfunduar detyrat mund të përkthehet si mungesë angazhimi kur vjen puna për martesë apo marrëdhënie të tjera.
  • Paaftësi për të trajtuar përgjegjësitë. Dikush me këtë sëmundje mund të harrojë të paguajë faturat, të neglizhojë të pastrojë një grumbull degësh nga kopshti pas shtëpisë apo të lërë një pastrues toksik në lavaman ndërsa fëmijët luajnë aty afër.
  • Sjellje impulsive. Këta persona kanë nevojë gjithmonë që të stimulohen dhe mund të mos arrijnë të mendojnë për pasojat e veprimeve të tyre. Kjo mund të çojë në sjellje të pamëshirshme e të papërgjegjshme.
  • Reagim i tepërt emocional. Mund ta ndryshojnë fare lehtë humorin e tyre dhe kjo çon në keqkuptime të mëdha. Debati mund të dalë lehtë jashtë kontrollit, sepse një person me këtë çrregullim është i pazoti të flasë qetësisht për probleme të ndryshme.

Çrregullimi i hiperaktivitetit dhe mungesës së vëmendjes mund të shkatërrojë martesën apo marrëdhënien tuaj në qoftë se nuk dihet diagnoza dhe trajtimi i saj.

Si mundet një person me çrregullim të hiperaktivitetit dhe të mungesës së vëmendjes të ndihmohet për problemet e marrëdhënies së tij?

Hapi i parë është të trajtohen ato simptoma të cilat ndërhyjnë në marrëdhënien tuaj. Në qoftë se nuk jeni diagnostikuar ende, vizitohuni tek një profesionist i shëndetit mendor (psikolog apo psikiatër).

Shumë nga ato trajtime që funksionojnë tek fëmijët, si medikamente stimuluese, këshillime dhe terapi e sjelljes, mund t’i ndihmojnë edhe të rriturit që të përmirësojnë përqendrimin e tyre dhe trajtimin e problemeve në marrëdhënie.

Terapia e martesës apo çifteve mund ta ndihmojnë partnerin tuaj dhe juve që të kuptoni më mirë njëri tjetrin dhe mund të mbyllin çarjet e krijuara në marrëdhënien tuaj si rezultat i këtij çrregullimi.

Disa nga strategjitë për të ndihmuar për problemet e krijuara përfshijnë:

  • Bërja e listave të detyrave për t’u kryer për çdo gjë, nga përgjegjësitë ditore e deri tek artikujt që ju nevojiten nga dyqani. Gjithashtu, mbani një kalendar të datave të rëndësishme dhe të afateve.
  • Kërkojini partnerit që e ka këtë çrregullim që të përsëritë çdo kërkesë, për t’u siguruar që ai apo ajo e kupton çfarë i kërkohet.
  • Bëjeni rutinë të kontrolloni një herë në javë sa keni shpenzuar ose planifikoni gatimet për një javë çdo mbrëmje të dielën.
  • Thjeshtojeni jetën tuaj duke u përpjekur të kryeni një numër të vogël detyrash çdo ditë apo çdo javë.


Komentoni