Një gjendje kome është një gjendje e zgjatur në pavetëdije. Gjatë një gjendje kome, një person është i gjallë dhe duket sikur ai ose ajo është duke fjetur. Megjithatë, ndryshe nga një gjumë i thellë, personi nuk mund të zgjohet me çfarëdo stimulimi, duke përfshirë dhimbjen.
Çfarë e shkakton një koma?
Koma shkaktohet nga një dëmtim i trurit. Dëmtimi i trurit mund të ndodhë për shkak të rritjes së tensionit, gjakderdhjes, humbjes së oksigjenit, ose një grumbullimi toksinash. Dëmtimi mund të jetë i përkohshëm dhe i kthyeshëm. Por mund të jetë edhe i përhershëm.
Më shumë se 50% e rasteve në gjendje kome lidhen me trauma në kokë ose turbullime në sistemin e qarkullimit të gjaku-t në tru. Problemet që mund të çojnë në gjendje kome përfshijnë:
- Trauma: Lëndimet në kokë mund të shkaktojnë që truri të ënjtet dhe/ose të gjakoset. Kur truri ënjtet si rezultat i traumës, lëngu ushtron presion ndaj kafkës. Eventualisht ënjtja mund të shkaktojë që truri të ushtrojë presion poshtë drejt trungut nervor, gjë që mund të dëmtojë sistemin aktivizues rektikular, një pjesë e trurit që është përgjegjëse për zgjimin dhe vetëdijen.
- Ënjtja: Ënjtja e indit të trurit mund të ndodhë edhe pa ndonjë shqetësim. Disa herë mungesa e oksigjenit, prishja e balancës elektrolitike ose hormonet mund ta shkaktojnë atë.
- Gjakderdhja: Gjakderdhja në shtresat e trurit mund të shkaktojë një koma për shkak të ënjtjes dhe shtypjes mbi pjesën e lënduar të trurit. Kjo shtypje shkakton që truri të zhvendoset duke çuar në dëmtim të trungut cerebral dhe në sistemin aktivizues rektikular të përmendur më sipër.
- Goditja: Kur nuk ka rrjedhje të gjakut në një pjesë të madhe të trungut cerebral ose humbje gjaku të shoqëruar me ënjtje, mund të ndodhë një koma.
- Sheqeri në gjak: Tek njerëzit me diabet mund të ndodhë një koma kur nivelet e sheqerit në gjak qëndrojnë shumë të larta. Kjo është një gjendje e cila quhet hiperglicemi. Hipoglicemia ose sheqeri në gjak në nivel shumë të ulët mund të çojë edhe ajo në koma. Ky lloj i komës zakonisht është i kthyeshëm, sapo që sheqeri në gjak korrektohet.
- Humbja e oksigjenit: Oksigjeni është i rëndësishëm për funksionimin e trurit. Arresti kardiak shkakton një ndërprerje të befasishme të rrjedhës së gjakut dhe të oksigjenit në tru, që quhet hipoksi ose anoksi. Pas reanimimit kardiopulmonar, të mbijetuarit e arrestit kardiak shpesh bien në koma. Humbja e oksigjenit mund të ndodhë edhe në rastet e mbytjes apo asfiksimit.
- Infeksionet: Infeksionet e sistemit nervor qendror, si meningjiti ose encefaliti mund të shkaktojnë koma.
- Toksinat: Substancat që normalisht gjenden në trup mund të akumulohen deri në nivele toksike në qoftë se trupi nuk arrin t’i largojë ato siç duhet. Si shembull, amoniaku për shkak të sëmundjes së mëlçisë, dyoksidi i karbonit nga një atak astmatik i rëndë, ose ureja nga mosfunksionimi i veshkave mund të akumulohen deri në nivele toksike në trup. Drogat dhe alkooli në sasi të mëdha gjithashtu mund ta ndërpresin funksionimin e neuroneve në tru.
- Krizat: Një krizë e vetme rrallë prodhon koma. Por kriza të vazhdueshme, të quajtura status epilepticus munden. Krizat e përsëritura mund ta ndalojnë trurin të rigjenerohet në periudhën midis krizave. Kjo do të shkaktojë pavetëdije të zgjatur dhe koma.
Cilat janë llojet e ndryshme të komës?
Llojet e komës mund të përfshijnë:
- Encefalopati toksiko-metabolike - Kjo është një gjendje akute e mosfunksionimit të trurit me simptoma të konfuzionit dhe/ose deliriumit. Kjo gjendje zakonisht është e kthyeshme. Shkaqet e encefalopatisë toksiko-metabolike janë të larmishme. Ato përfshijnë sëmundje sistemike, infeksion, mosfunksionim të një organi dhe gjendje të tjera fizike.
- Lëndimi anoksik i trurit - Kjo është një gjendje e trurit e shkaktuar nga mungesa totale e oksigjenit në tru. Mungesa e oksigjenit për disa minuta shkakton vdekjen e qelizave të indeve të trurit. Lëndimi anoksik i trurit mund të jetë rezultat i një ataku kardiak, plagosje në kokë ose një traumë, mbytja, mbidoza e drogave ose helmimi.
- Gjendja e vazhdueshme vegjetative - Kjo është një gjendje e pavetëdijes së rëndë. Personi nuk percepton atë ç’ka e rrethon dhe është i paaftë për lëvizje të vullnetshme. Me një gjendje të vazhdueshme vegjetative ekzistojnë frymëmarrja, qarkullimi i gjakut dhe ciklet e gjumit dhe zgjimit.
- Sindroma e bllokimit - Kjo është një gjendje e rrallë neurologjike. Personi është në paralizë gjenetale me përjashtim të muskujve të syve, por mbetet i zgjuar, vigjilent dhe me një mendje normale.
- Vdekja e trurit - Kjo është ndërprerje e pakthyeshme e të gjithë funksioneve të trurit. Vdekja e trurit mund të jetë rezultat i një lëndimi të gjatë ose të përhapur të trurit.
A ka ndonjë trajtim efikas të komës?
Trajtimi për një koma varet nga shkaku. Njerëzit që janë pranë një pacienti komatoz duhet t’ju japin mjekëve sa më shumë informacion që është e mundur për t’i ndihmuar ata të përcaktojnë shkakun. Vëmendja e menjëhershme mjekësore është jetësore për të trajtuar gjendjet potencialisht të kthyeshme. Për shembull, në qoftë se është një infeksion që prek trurin, mund të nevojiten antibiotikë. Mund të kërkohet glukoza në rastin e një shoku diabetik. Gjithashtu, mund të jetë e domosdoshme ndërhyrja kirurgjikale për të lehtësuar presionin në tru për shkak të ënjtjes ose për të larguar një tumor.
Janë disa medikamente që mund të ndihmojnë për të mjekuar ënjtjen dhe në qoftë e domosdoshme, mund të jepet mjekim për të ndaluar krizat.
Në përgjithësi, trajtimi i një gjendjeje kome është mbështetës. Njerëzit në koma shtrohen në pavijonet e reanimacionit dhe shpesh mund të nevojitet një mbështetje e të gjithë funksioneve jetësore deri sa gjendja e tyre të përmirësohet.
Cila është prognoza e një kome?
Prognoza e një kome ndryshon për gjendje të ndryshme. Shanset e shërimit të një personi varen nga shkaku i komës, nëse problemi mund të korrigjohet dhe kohëzgjatja e komës. Në qoftë se problemi mund të zgjidhet, personi shpesh mund të kthehet në nivelin e funksionimit normal. Megjithatë, në qoftë se dëmtimi i trurit është i rëndë, një person mund të bëhet i paaftë përgjithmonë ose të mos e rifitojë më kurrë vetëdijen.
Komat që vijnë si rezultat i helmimit nga drogat kanë një nivel më të lartë të rigjenerimit nga komat e lidhura me mungesën e oksigjenit.
Mund të jetë shumë e vështirë të parashikohet rigjenerimi kur një person është në koma. Çdo person është i ndryshëm dhe më e mira është të këshilloheni me mjekun. Siç edhe do të pritet, sa më gjatë të jetë një person në koma, aq më e keqe është prognoza. Megjithatë, shumë pacientë mund të zgjohen pas shumë javëve në koma. Por ata mund të kenë paaftësi të konsiderueshme.
Komentoni