Një studim i ri tregon se bllokimi i arteries karotide në qafë me sa duket rrit shanset e problemeve me të kujtesës dhe të menduarit.
Hulumtuesit thanë se gjetjet e tyre sugjerojnë se për njerëzit me këtë gjendje mund të nevojitet trajtim më agresiv, gjendje e cila shkaktohet nga formimi i pllakëzave në këtë arterie.
Studimi do të paraqitet të mërkurën në “Akademinë Amerikane të Neurologjisë (AAN), në takimin vjetor të saj në Filadelfia.
“Deri më sot, në qendër të diagnostikimit dhe menaxhimit të bllokimit të arteries karotide ishte parandalimi i goditjeve, meqë ky mendohej se ishte i vetmi dëmtim që këto bllokime i shkaktonin pacientëve”, tha Dr. Brajesh Lal, i qendrës mjekësore VA në Baltimore dhe i Universitetit Mjekësor në Merilend, në një koferencë për shtyp të AAN-së. “Këto rezultate nënvizojnë rëndësinë e vlerësimit të statusit të kujtesës dhe të të menduarit tek njerëzit me ngushtim të arteries karotide”, shtoi Lal.
Në kryerjen e studimit, hulumtuesit ekzaminuan 67 persona që vuanin nga ngushtimi asimptomatik i arterieve karotide, ose nga stenoza. Për këta pjesmarrës, diametri i arteries ishte prerë në gjysmë. Studimi përfshiu 60 persona të cilët kishin bllokim të arteries karotide, por që nuk përfshinin faktorët e rrezikut të tillë si diabeti, presioni i lartë të gjaku-t, kolesteroli i lartë dhe sëmundjet koronare të zemrës.
Hulumtuesit testuan aftësitë e të menduarit të pjesëmarrësve, duke shqyrtuar shpejtësinë e tyre të përpunimit të informacionit, aftësinë e të mësuarit, memorien, vendimarrjen dhe gjuhën.
Ata zbuluan se pjesmarrësit që vuanin nga bllokimi i arteries karotide dolën shumë keq në testin e të menduarit. Ata morën rezultate të ulëta edhe në vlerësimet e fuqisë dhe shpejtësisë së përpunimit, si dhe në testet e të mësuarit dhe kujtesës. Hulumtuesit thanë se rezultatet e gjuhës nuk ndryshonin mes dy grupeve të pjesëmarrësve.
“Nëse këto rezultate konfirmohen në studime më të mëdha, ato do të kenë ndikime të rëndësishme për objektivat e reja të trajtimit dhe do t’i hapin dyert për më shumë pyetje, si psh: A duhet të trajtohen pacientët me më agresivitet me medikamente, me rehabilitim konjuktiv, apo edhe me kirurgji, për të zhbllokuar arterien?”, tha Lal në deklaratën për shtyp të shoqatës.
Ai tha se ai i paraprin studimeve të mëtejshme që do të kërkojnë për shkaqet e kësaj lidhjeje dhe për mundësitë më të mira të trajtimit.
Të dhënat dhe konkluzionet e paraqitura në takime të fushës, tipikisht konsiderohen si paraprake deri sa të botohen në një revistë shkencore që rishikohet dhe vlerësohet nga ekspertë dhe kolegë të fushës.
Komentoni