Regjistrohu/Kyçu

Fshikëza e shkarë

Fshikëza është një organ i zgavruar në pelvis i cili depoziton urinën. Presioni i krijuar kur fshikëza mbushet me urinë shkakton nevojën për të urinuar. Gjatë urinimit, urina largohet nga fshikëza dhe del jashtë trupit nëpërmjet ureterit.

Tek gratë, pareti i përparmë i vaginës mbështet fshikëzën. Ky paret mund të dobësohet apo të lëshohet me kalimin e moshës. Një stres i konsiderueshëm trupor siç është lindja e një fëmije mund të dëmtojë këtë pjesë të paretit vaginal. Në qoftë se ai keqësohet, fshikëza mund të shkasë, në kuptimin që nuk mbështetet më në paretin e vaginës dhe bie në vaginë. Kjo mund të shkaktojë probleme, si vështirësi në urinim, siklet dhe mospërmbajtje nga stresi (rrjedhje të urinës të shkaktuar nga teshtitja, kolla dhe tendosja).

  • Fshikëzat e shkara (të quajtura edhe cistocele ose fshikëza të rrëzuara) ndahen në katër gradë, bazuar në atë se sa shumë fshikëza bie në vaginë.
  • Grada 1 (e butë): Vetëm një pjesë e vogël e fshikëzës bie në vaginë.
  • Grada 2 (e moderuar): Fshikëza bie mjaft SA QË ARRIN HAPJEN E VAGINËS.
  • Grada 3 (e rëndë): Fshikëza zgjatet nga trupi përmes hapjes vaginale.
  • Grada 4 (e plotë): E tërë fshikëza zgjatet plotësisht jashtë vaginës, zakonisht e shoqëruar me forma të tjera të shkarjes së organeve të legenit.

Fshikëzat e shkara zakonisht shoqërojnë menopauzë-n. Para menopauzës, trupi i gruas krijon hormonin e estrogjenit, që ndihmon të mbahen të fortë muskujt e vaginës dhe ata rreth saj. Trupat e grave pushojnë së krijuari shumë estrogjen pas menopauzës dhe këta muskuj priren të dobësohen si rezultat i kësaj.

Shkaqet e një fshikëze të shkarë

 Faktorët e mëposhtëm zakonisht shoqërohen me shkaqet e një fshikëze të shkarë:

  •  Lindja e fëmijëve: Ky është shkaku më i zakonshëm i një fshikëze të shkarë. Procesi i lindjes është stresues për indet dhe muskujt vaginalë, që mbajnë fshikëzën e një gruaje.
  • Menopauza: Estrogjeni, një hormon që ndihmon të ruhet forca dhe shëndeti i muskujve në vaginë, nuk prodhohet pas menopauzë-s.
  • Tendosja: Ngritja e objekteve të rëndë, tendosja gjatë jashtëqitjes, një sëmundje e gjatë që shkakton të kollitur, apo një kapsllëk i zgjatur mund të dëmtojë muskujt e dyshemesë pelvike.

Simptomat e një fshikëze të shkarë

 Simptoma e parë që vënë re gratë me fshikëz të shkarë është prania e indit në vaginë, gjë që shumë gra e përshkruajnë si diçka që ndjehet si një topth.

Simptoma të tjera të një fshikëze të shkarë përfshijnë:

  • Parehati dhe dhimbje në pelvis;
  • Ind që zgjatet nga vagina (ai mund të jetë i butë dhe i gjakosur);
  • Urinim me vështirësi;
  • Një ndjesi që fshikëza nuk është e zbrazët menjëherë pas urinimit;
  • Mospërmbajtje nga stresi (rrjedhje urine gjatë teshtitjes, kollitjes ose tendosjes);
  • Infeksione më të shpeshta të fshikëzës;
  • Marrëdhënie të dhimbshme (dispareunia);
  • Dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës.

Disa gra mund të mos përjetojnë ose të vënë re simptoma të një fshikëze të shkarë (të gradës 1).

Kur duhet kërkuar ndihmë për një fshikëz të shkarë

Çdo grua që vë re simptoma të një fshikëze të shkarë duket të kontaktojë mjekun e saj. Një fshikëz e shkarë zakonisht shoqërohet me shkarje të organeve të tjera brenda pelvisit të një gruaje. Pra, rekomandohet përkujdesja shëndetësore në kohë në mënyrë që të vlerësohen dhe të parandalohen simptoma dhe komplikime problematike të shkaktuara nga indi dhe muskuli i dobësuar në vaginë. Organet e shkara nuk mund të shërohen vetiu dhe shumica e tyre keqësohen me kalimin e kohës. Janë në dispozicion disa mjekime për të korrektuar një fshikëz të shkarë.

Ekzaminime dhe teste për një fshikëz të shkarë

Kërkohet një ekzaminim i organeve gjenitale dhe pelvisit, i njohur si ekzaminimi pelvik, në mënyrë që të diagnostikohet një fshikëz e shkarë. Një fshikëz që ka hyrë në vaginë e konfirmon diagnozën. Për shkaqe më pak të dukshme, mjeku mund të përdorë një cistouretrogramë në zbrazje, e cila mund ta ndihmojë në diagnostikim. Kjo është një seri radiografish që merren gjatë urinimit. Këto e ndihmojnë mjekun të përcaktojë formën e fshikëzës dhe shkakun e vështirësisë në urinim. Mjeku po ashtu mund të testojë apo të marrë radiografi të pjesëve të ndryshme të abdomenit për të përjashtuar shkaqe të tjera të parehatisë ose të vështirësisë në urinim.

Pas diagnostikimit, mjeku mund të testojë nervat, muskujt dhe intensitetin e rrymës së urinës për të ndihmuar të vendosë se çfarë trajtimi është i përshtatshëm.

Një test i quajtur urodinamikë ose video urodinamikë mund të kryhet sipas vendimit të mjekut. Këtyre testeve ndonjëherë u referohen si “EKG-të e fshikëzës”. Ato masin raportet e volumit dhe presionit në fshikëz dhe mund të jenë shumë të rëndësishme në vendimmarrjen e urologut.

Cistoskopia është edhe ai një test që mund të përdoret për të identifikuar alternativat e trajtimit.

Trajtimi i fshikëzës së shkarë

Një fshikëz e shkarë e gradës 1 që nuk shkakton dhimbje dhe siklet zakonisht nuk kërkon trajtim mjekësor apo kirurgjikal. Mjeku mund të rekomandojë që një grua me një shkarje të tillë të butë të eliminojë ngritjen e peshave të rënda ose tendosjet megjithëse ka pak prova që e mbështesin këtë rekomandim.

Për rastet që janë më serioze, mjeku merr parasysh faktorë të ndryshëm, si moshën e gruas, shëndetin në përgjithësi, preferencën për trajtimin dhe seriozitetin e fshikëzës së shkarë për të përcaktuar se cili trajtim është i përshtatshëm.

Trajtimet jo kirurgjikale për një fshikëz të shkarë përfshijnë sa më poshtë:

  • Bllokues: Është një pajisje e vendosur brenda vaginës për ta mbajtur fshikëzën në vend. Ajo mund të hiqet dhe të pastrohet në intervale të rregullta për të parandaluar infeksionin. Disa pajisje të tilla janë ndërtuar që të mund të vendosen e të hiqen nga vetë gruaja. Tipat e tjerë duhen hequr e vendosur nga mjeku. Krahas kësaj përdoret një krem estrogjen për të parandaluar infeksionin dhe erozionin e paretit të vaginës.
  • Terapia e zëvendësimit të estrogjenit: Shumë gra me fshikëza të shkara mund të përfitojnë nga një terapi e tillë. Estrogjeni ndihmon për të forcuar e ruajtur muskujt në vaginë.

Përkujdesja shëndetësore në shtëpi për fshikëzën e shkarë

Për rastet e buta dhe të moderuara të fshikëzës së shkarë, mjeku mund të rekomandojë modifikimin e aktivitetit siç është eliminimi i ngritjes së peshave dhe tendosjet. Gjithashtu mund të rekomandohen ushtrimet e Kegel-it. Këto ushtrime përdoren për të shtrënguar muskujt e dyshemesë pelvike. Këto ushtrime mund të përdoren për të trajtuar raste të buta apo të moderuara ose për të plotësuar trajtime të tjera që janë më serioze.

Mjekimet për fshikëzën e shkarë

Terapia e estrogjenit mund të përdoret për një fshikëz të shkarë për të ndihmuar trupin që të forcojë muskujt brenda dhe rreth vaginës. Terapia e zëvendësimit të estrogjenit nuk mund të përdoret nga çdokush. Trupi i gruas pushon së prodhuari estrogjen në sasinë e duhur pas menopauzë-dhe muskujt e vaginës mund të dobësohen si rezultat i kësaj.

Në rastet e buta, estrogjeni mund të jepet në një përpjekje për të përmbysur simptomat e shkarjes së fshikëzës, siç janë dobësimi vaginal dhe mospërmbajtja. Për shkallë më të rënda terapia e zëvendësimit të estrogjenit mund të përdoret krahas llojeve të tjerë të trajtimit. Estrogjeni mund të jepet me tabletë apo mund të përdoret si krem. Kremi ka një absorbim shumë të vogël sistemik dhe ka një efekt të fuqishëm lokal atje ku përdoret. Përdorimi lokal ka më pak rrezik se sa marrja nga goja. Përdorimi i estrogjeneve në vaginë dhe në zonën e ureterit mund të jetë i dobishëm për lehtësimin e simptomave të urinimit, si urgjenca dhe shpeshtësia, madje edhe kur kemi të bëjmë me një fshikëz të shkarë.

Kirurgjia e fshikëzës së shkarë

Rastet e rënda të shkarjes së fshikëzës të cilat nuk mund të administrohen ndryshe kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale për t’i korrektuar. Zakonisht ndërhyrja kirurgjikale kryhet nëpërmjet vaginës dhe objektivi është që të sigurohet fshikëza në pozicionin e duhur. Fshikëza korrektohet me anë të një prerje në murin vaginal. Zona e shkarë mbyllet dhe pareti përforcohet. Varësisht nga procedura, ndërhyrja kirurgjikale mund të kryhet me anestezi lokale apo të përgjithshme. Për ndërhyrjet e vogla kirurgjikale shumë gra shkojnë në shtëpi në të njëjtën ditë të operacionit.

Pas operacionit gratë mund të presin që të kthehen në aktivitetin e tyre normal pas gjashtë javësh. Megjithatë, kirurgët rekomandojnë reduktimin apo eliminimin e aktiviteteve që shkaktojnë tendosje deri në gjashtë muaj.

Terapi të tjera për shkarjen e fshikëzës

  •  Stimulimi elektrik. Një mjek mund të përdorë një sond të drejtuar në muskuj të caktuar brenda vaginës ose në dyshemenë pelvike. Sonda është e lidhur me një pajisje që mat dhe furnizon korrent elektrik që i kontraktojnë muskujt. Këto kontraktime ndihmojnë që muskujt të forcohen. Një lloj tjetër është ai që përdor stimulimin magnetik të nervit nga jashtë trupit. Ky trajtim aktivizon muskujt e dyshemesë pelvike dhe mund të ndihmojë për të trajtuar mospërmbajtjen.
  • Reagimi biologjikPërdoret një sensor për të monitoruar aktivitetin e muskujve në vaginë dhe në dyshemenë pelvike. Mjeku mund të rekomandojë ushtrime që mund të forcojnë muskujt për të përmbysur apo për të lehtësuar disa simptoma të lidhura me një fshikëz të shkarë. Sensori mund të monitorojë kontraktimet muskulore gjatë ushtrimeve fizike dhe mjeku mund të jetë në gjendje të përcaktojë nëse muskujt e shënjestruar do të përfitojnë nga ushtrimet.

 Ndjekja e gjendjes së fshikëzës

Një grua që i është nënshtruar trajtimit duhet të programojë vizitat e mëvonshme tek mjeku për të vlerësuar progresin. Bllokuesit kanë nevojë të hiqen dhe pastrohen në intervale të rregullt për të parandaluar komplikimet.

Parandalimi i shkarjes së fshikëzës

Për të parandaluar shkarjen e fshikëzës një dietë e pasur me fibra dhe hidratimi i mirë e reduktojnë rrezikun që një person të ketë kapsllëk. Sforcimi gjatë jashtëqitjes duhet të shmanget në qoftë se është e mundur. Gratë me një kapsllëk të zgjatur duhet të kërkojnë vëmendje nga mjeku në mënyrë që të pakësojnë mundësinë e shkarjes së fshikëzës. Ngritja e peshave të rënda po ashtu lidhet me këtë dhe duhet të eliminohet në qoftë se është e mundur. Obeziteti është një faktor risku. Kontrolli i peshës mund të ndihmojë që të parandalohet shkarja e fshikëzës.

Prognoza për një fshikëz të shkarë

Një fshikëz e shkarë rrallëherë është një sëmundje kërcënuese për jetën. Shumica e rasteve që janë të buta mund të trajtohen pa ndihmën e ndërhyrjes kirurgjikale dhe shumica e rasteve të rënda mund të korrektohen plotësisht me anë të një ndërhyrje kirurgjikale.

 


Komentoni