Në qoftë se një grua është seksualisht aktive dhe ajo është pjellore, në kuptimin që është fizikisht e aftë që të mbetet shtatzënë, ajo duhet të pyesë veten: “A dua unë të mbetem shtatzënë tani? ”Në qoftë se përgjigja e saj është “Jo”, ajo duhet të gjejë ndonjë metodë të kontrollit të lindjeve (kontracepsion).
Terminologjia për “kontrolli e lindjeve” përfshin “kontracepsionin, parandalimin e shtatzënisë, kontrollin e pjellshmërisë dhe planifikimin familjar. Por pavarësisht terminologjisë, personat seksualisht aktivë mund të zgjedhin nga një larmi metodash për të reduktuar mundësinë e mbetjes shtatzënë. Megjithatë, asnjë nga metodat e kontrollit të lindjeve në dispozicion në ditët e sotme nuk ofron një mbrojtje të përsosur kundër infeksioneve të transmetueshme seksualisht, me përjashtim të abstinencës.
Me terma të thjeshta, të gjithë metodat e kontrollit të lindjeve bazohen ose në pengimin e spermës së një mashkulli që të arrijë në vezën e femrës (fekondimi) ose në pengimin e vezës së fekonduar të ngulet në mitrën e femrës dhe të fillojë të rritet. Metoda të reja të kontrollit të lindjeve vazhdojnë të krijohen dhe të testohen. Dhe çfarë është e përshtatshme për një çift në një pikë mund të ndryshojë me kohën dhe me rrethanat.
Për fat të keq asnjë nga metodat e kontrollit të lindjeve përveç abstinencës nuk konsiderohet 100% efektive.
Janë disa metoda të ndryshme hormonale për kontrollin e lindjeve. Diferencat midis tyre janë:
• Lloji i hormonit;
• Sasia e hormonit; dhe
• Rruga me të cilën hormoni hyn në trupin e njeriut.
Hormonet mund të jenë estrogjen dhe/ose progesteron. Këto hormone mund të merren nga goja, të mbillen në indin e trupit, të injektohen nën lëkurë, të absorbohen nga një bandazh mbi lëkurë apo të vendosen në vaginë. Mënyra e vendosjes përcakton nëse ekspozimi i hormonit është i vazhdueshëm ose i ndryshueshëm.
Tableta për femrat është një kontraceptiv nga goja i formuar nga hormone sintetike. Tableta konsiderohet se është 97 deri 99% efektive në qoftë se përdoret siç duhet. Tableta është gjithashtu plotësisht reversibël. Ajo ka qenë në dispozicion qysh nga viti 1960.
Janë dy lloje tabletash për kontrollin e lindjeve në dispozicion:
• Tabletë e kombinuar; dhe
• Tableta me vetëm progestin, e njohur si mini tableta.
Tableta e kombinuar: Tableta e kombinuar përmban hormonet estrogjen dhe progestin, një formë e progesteronit. Kur një femër përdor tabletën e kombinuar vezët në vezoret e saj nuk maturohen dhe ovulacioni nuk ndodh. Ajo nuk mbetet shtatzënë sepse nuk ka vezë që të fekondohet nga sperma.
Tableta e kombinuar tradicionale merret në paketë 21 ditore ose 28 ditore në varësi nga prodhuesi. Paketa 21 ditore ka tableta për 21 ditët aktive dhe nuk ka tableta për ditët “e pushimit”. Paketa 28 ditëshe ka tabletat për 21 ditët aktive dhe shtatë tableta neutrale për shtatë ditët e mbetura.
Mini tableta: Mini tableta përmban vetëm një hormon, progestin, i cili trash mukozën e qafës së mitrës duke e bërë më të vështirë për spermën ta kalojë në të. Ajo gjithashtu e bën veshjen e mitrës më pak receptive për mbjelljen e vezës së fekonduar. Tableta vetëm me progesteron rekomandohet disa herë për femrat që kanë arsye mjekësore për të cilat duhet të shmangin marrjen e hormoneve estrogjene. Gjithashtu, rekomandohet shpesh për nënat që kujdesen për foshnjat sepse nuk ka efekte të padëshiruara në ushqyerjen me gji. Në të vërtetë është vënë re një periudhë më e gjatë e ushqyerjes me gji si dhe vonesa në plotësimin ushqimor me qumësht në rastet kur është përdorur mini tableta.
Mini tableta merret për çdo ditë, nuk ka ditë aktive dhe ditë pushimi.
Pavarësisht se çfarë lloji tabletash për kontrollin e lindjeve përdor një grua, ajo duhet t’i marrë ato në të njëjtën kohë çdo ditë. Ajo duhet të minimizojë shansin që të harrojë ta marrë tabletën, gjë që nuk është e pazakontë. Kjo është veçanërisht kritike në rastin e mini tabletës. Harresa për marrjen e minitabletës, ose marrja e saj në kohë të ndryshme të ditës, mund ta dëmtojë në masë të konsiderueshme efektshmërinë e saj.
Kur një grua fillon të marrë tabletën, ajo mund të mos jetë e mbrojtur nga shtatzënia deri sa ta ketë marrë atë për dhjetë ditë të njëpasnjëshme. Në qoftë se harron ta marrë tabletën pasi ka filluar, ajo mund të jetë në rrezik të mbetet shtatzënë.
Në qoftë se harron ta marrë tabletën, ajo duhet ta marrë menjëherë sapo të kujtohet, edhe në qoftë se kjo do të thotë që do të marrë dy tableta në një ditë. Në qoftë se harron të marrë dy tableta ajo duhet t’i marrë ato kur kujtohet dhe tabletën e asaj dite në kohën e rregullt. Në qoftë se harron tre tableta ajo duhet ta ndërpresë përdorimin e tabletave për katër ditë të tjera që të plotësohet një javë dhe pastaj të fillojë ta marrë me një paketë të re, qoftë kur ka apo nuk ka periodën e të përmuajshmeve. Ajo mund të përdorë një metodë alternative të kontrollit të lindjeve ose të ndalojë aktivitetin seksual gjatë javës kur ka ndaluar së marri tabletën. Në qoftë se një grua harron vazhdimisht ta marrë tabletën, ajo ndoshta duhet të marrë në konsideratë një metodë tjetër të kontrollit të lindjeve.
Tableta mundet që ta humbasë efektshmërinë e saj në qoftë se një grua ka të vjella apo diarre për çfarëdo lloj arsye. Disa medikamente, duke përfshirë disa sedativë dhe disa antibiotikë si penicilina dhe tetraciklina mund ta reduktojnë efektshmërinë e tabletës.
Disa gra përjetojnë simptoma të përkohshme të hemorragjisë së lehtë vaginale, zbutje të gjinjve dhe të përziera gjatë muajit të parë deri në muajin e tretë të marrjes së tabletave. Të përzierat mund të lehtësohen në qoftë se tableta merret pas ushqimit. Disa herë gratë i tremben shtimit në peshë kur përdorin kontraceptivë nga goja, studimet demonstrojnë se nuk ka shtim të konsiderueshëm në peshë dhe nuk ka ndonjë ndryshim të madh në ndryshimin në peshë në metoda të ndryshme të kontracepsionit. Ndryshimet negative të gjendjes shpirtërore, si depresioni dhe njolla të pigmenteve në fytyrë mund të ndodhin kur përdoren kontraceptivë nga goja. Për shkak të progesteronit, tek disa gra mund të shkaktohet hollimi i mukozës së mitrës dhe humbja e periodave. Kjo ndodh në 1% të grave në vitin e parë të përdorimit. Për sa kohë një grua i merr siç duhet tabletat, mungesa e periodave nuk është e dëmshme dhe nuk sinjalizon për humbje të efektshmërisë të tabletave. Shumica e efekteve anësore të tabletave të kombinuara ose mini tabletave reduktohet dy ose tre muaj pas përdorimit. Është e rëndësishme të mbahet mend kjo në mënyrë që të mos kalohet në produkte të tjera pa pasur arsye.
Nuk ekziston rrezik për defekte në lindje për foshnjat që lindin kur gratë e kanë përdorur tabletën, por një grua nuk duhet të përdorë asnjë lloj tablete kur është shtatzënë. Një grua që ushqen foshnjën me gji nuk duhet të përdorë tableta të kombinuara sepse kjo gjë mund të reduktojë sasinë e qumështit të gjirit dhe përqendrimin e proteinave dhe yndyrave në të.
Gratë që pinë duhan dhe marrin tabletat kanë rrezik të sëmundjeve kardiake dhe të ndonjë goditje. Ky rrezik nuk ekziston tek gratë që nuk pinë duhan. Mpiksjet e gjaku-t në këmbë dhe gjetkë janë më të shpeshta në rastin e përdorimit të kontraceptivëve nga goja por risku është më i vogël se sa mpiksja që ndodh gjatë shtatzënisë. Megjithatë, kontraceptivët nga goja nuk rekomandohen për gratë që kanë tendencë për mpiksje të gjakut, për ato me sëmundje të njohur të koronareve,hemorragji vaginale apo kanceri të gjirit. Duhanpirëset mbi 35 vjeç dhe gratë me një çrregullim të konsiderueshëm në mëlçi nuk duhet të përdorin kontraceptivë nga goja.
Një grua duhet të kontaktojë me mjekun kur përjeton ndonjë nga këto efekte anësore gjatë marrjes së tabletave kontraceptive:
• Dhimbje koke të forta;
• Ngërç në këmbë;
• Ndryshime në shikim;
• Dhimbje barku;
• Dhimbje gjoksi;
• Frymëmarrje të vështirësuar;
• Kollitje me gjak; ose
• Ënjtje dhe dhimbje të këmbëve.
Marrja e tabletave ka një numër përfitimesh. Të dyja llojet e tabletave mund të rregullojnë ciklin e të përmuajshmeve dhe të reduktojnë rrjedhjen e të përmuajshmeve, ngërçin gjatë tyre, sëmundjet inflamatore dhe aneminë për mungesën e hekurit. Tableta e kombinuar mund të reduktojë aknet, rrezikun e një shtatzënie jashtë mitre, cistet jokanceroze të gjirit dhe cistet në mitër.
Të përmuajshmet e një gruaje duhet të fillojnë përsëri brenda rreth tre muajve nga ndalimi i përdorimit të tabletave. Megjithatë zgjatja e vonesës ndryshon nga një grua në tjetrën. Megjithëse kontraceptivët nga goja janë efektive në 97%, ato nuk e mbrojnë një grua nga sëmundjet e transmetueshme seksualisht.
Është një formë sintetike me veprim të gjatë e hormonit progesteron. Vepron duke penguar ovulacionin dhe duke krijuar një mukozë të trashë të qafës së mitrës, gjë që pengon përparimin e spermës. Efektshmëria e DMPA për parandalimin e shtatzënisë është pothuaj 100%. Mund të injektohet nga një profesionist çdo tre muaj në muskul. Një formulë me dozë më të vogël injektohet nën lëkurë. Injeksioni duhet të bëhet brenda pesë ditëve të para të ciklit. Më pas gruaja është e mbrojtur pas 24 orëve.
Një grua mund të ndalojë së pasuri të përmuajshme pasi e përdor këtë injeksion një vit. Pas dy vjetësh nga përdorimi 70% e grave nuk do të kenë hemorragji. Kjo ndodh sepse vezoret kalojnë në gjendje pushimi. Kur ato nuk lëshojnë vezë çdo muaj, rritja e rregullt e mukozës së mitrës nuk ndodh.
Periodat duhet të fillojnë përsëri 18 muaj pasi ajo ndalon së marri injeksionet. Një grua mund të mbetet shtatzënë zakonisht brenda 12 deri 18 muajsh pas ndalimit të përdorimit të injeksionit. Në qoftë se një nënë e re nuk e ushqen me gji foshnjën e saj, ajo mund t’i rifillojë injeksionet menjëherë pas lindjes së fëmijës. Nënat që ushqejnë me gji foshnjat e tyre mund të rifillojnë injeksionet gjashtë javë pas lindjes. Injeksionet nuk e reduktojnë qumështin dhe nuk kanë efekte të dëmshme tek foshnja.
Efektet anësore më të zakonshme të injeksioneve janë ciklet e parregullta, ndalimi i periodave dhe shtimi në peshë. Efekte të tjera mund të jenë marrje mendsh, nervozizëm, siklet në stomak, dhimbje koke, lodhje ose zbutje e gjinjve. Është e rëndësishme që një grua të kuptojë që pasi e ka marrë injeksionin çdo lloj efekti anësor nuk mundet të neutralizohet apo të eliminohet. Ajo duhet t’i tolerojë ato deri sa të zgjasë efekti i injeksionit, domethënë tre muaj.
Gjithashtu, ky injeksion ka pasur efekte negative në densitetin mineral të kockës, veçanërisht në rastet e përdorimit për një kohë të gjatë, megjithatë studimet kanë treguar që densiteti i kockës rivendoset pasi ndërpritet injektimi.
Gratë mund të jenë në gjendje të përdorin DMPA kur shmangia e estrogjenit është e domosdoshme për arsye mjekësore. Një mjek i kualifikuar duhet të jetë në gjendje të ndihmojë për t’u bërë dallimi i duhur. Injeksioni nuk duhet përdorur nga gratë që kanë një histori të kancerit në gji, mpiksje të gjaku-t, sëmundje të mëlçisë, hemorragji vaginale të pashpjegueshme ose atak kardiak.
Injeksionet e DMPA janë të efektshme mbi 99% në qoftë se merren sipas një grafiku korrekt. Një grua që përdor kontraceptivë me injeksion ka avantazhin që të jetë në gjendje të mbetet shtatzënë në një kohë të mëvonshme, thjesht duke ndërprerë përdorimin. Injeksioni nuk e rrit riskun për kancer, duke përfshirë edhe kancerin e gjirit dhe redukton shumë riskun për kancer të mitrës.
Kontraceptivët hormonalë me injeksion nuk mbrojnë kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Është krijuar një bandazh me ngjitës që siguron kontracepsion hormonal nëpërmjet lëkurës. Bandazhi është me madhësinë e një gjysmë dollari dhe mund të vendoset në krah, në bark ose në mollaqe. Një grua e mban bandazhin për një javë dhe pastaj e zëvendëson atë me një bandazh të ri.
Këta bandazhe të quajtur Ortho-Evra janë të ngjashme me tabletat në kuptimin që përmbajnë edhe estrogjen edhe progesteron dhe janë po aq të efektshme sa dhe tabletat. Një grua duhet vetëm të mbajë mend që ta zëvendësojë bandazhin një herë në javë. Megjithatë, disa studime kanë treguar që bandazhi mund të shoqërohet me një risk më të madh se sa tabletat lidhur me efektet anësore negative, siç janë problemet e mpiksjes së gjaku-t.
Gratë që kanë arsye mjekësore e që nuk u rekomandohen tabletat mund të gjejnë që edhe Ortho-Evra të jetë jo e rekomandueshme për to për shkak të ngjashmërisë në përbërësit hormonal të dy llojeve të kontraceptivëve.
Është e rëndësishme të sigurohet që bandazhi të ketë kontakt të mirë me lëkurën. Bandazhi mund të krijojë probleme për ato gra që notojnë apo bëjnë shpesh dush sepse lagështia mund të dëmtojë kontaktin me lëkurën. Disa gra mund të kenë një acarim të lëkurës në vendin ku bandazhi ngjitet. Kontraceptivi mund të mos ketë sukses tek gratë me peshë të madhe, mbi 90 kilogram. Si edhe të gjithë metodat e tjera hormonale të kontrollit të lindjeve edhe kjo metodë nuk mbron kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Një pajisje në formë unaze që përmban hormonet estradiol dhe etonogestrel mund të vendoset në vaginë. Ajo mbetet atje për tre javë vazhdimisht, pastaj hiqet për një javë që të lejojë një periodë. Ajo vazhdimisht çliron nivele të ulëta të hormonit në gjak për tre javë të plota.
Një transplantim kontraceptiv është në dispozicion në Shtetet e Bashkuara. Ai siguron kontracepsion me anë të lëshimit të ngadalshëm të progestin etonogestrel për një periudhë prej tre vjetësh. Ky transplantim është një shufër e hollë e futur në pjesën e sipërme të krahut me anestezi lokale. Mbrojtja nga shtatzënia ndodh brenda 24 orësh nga vendosja e shufrës. Një avantazh i kësaj metode është që pjellshmëria kthehet menjëherë pas heqjes së shufrës.
Si edhe të gjithë metodat hormonale të kontrollit të lindjeve, edhe kjo metodë nuk mbron nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Komentoni