Burrat me dy apo më shumë defekte në spermën e tyre kanë më shumë se dyfish rrezik të vdesin më herët. Burrat jo pjellorë për shkak të defekteve në spermën e tyre ka më shumë të ngjarë të vdesin herët se sa burrat me një spermë normale.
Gjatë një periudhe prej rreth tetë vjetësh, burrat me dy a më shumë çrregullime në spermën e tyre kanë pasur një rrezik për të vdekur që ishte më shumë se dyfishi i atij të burrave me spermë të shëndetshme, raportojnë studiuesit në botimin online të 16 majit të revistës Human Reproduction.
Duke e ditur këtë, mjekët që trajtojnë burrat për mungesë pjellorie do t’i këshillonin ata të adoptonin zakone të shëndetshme që mund të shtojnë aftësinë e tyre për të mbijetuar, thotë DR. Michael Eisenberg, asistent profesor i urologjisë në Universitetin e Stanfordit.
“Mund të jetë një dritare mundësie këtu. Kur ata takohen me mjekun e tyre, mund të bëjnë disa gjëra të tjera në dobi të tyre. Unë e shikoj këtë si nj mundësi për t’i kushtuar më shumë kujdes shëndetit dhe për të qenë më proaktiv”.
Për këtë studim, Eisenberg dhe kolegët e tij shqyrtuan të dhënat mjekësore të rreth 12 000 burrave të moshave nga 20 deri në 50 vjeç të vizituar për të vlerësuar mungesën e mundshme të pjellorisë. Mjekët kishin regjistruar informacion mbi cilësinë e spermës së pacientëve, si volumi total i spermës, numri i spermatozoideve, lëvizshmërinë dhe formën e tyre. Studiuesit krahasuan të dhënat e pacientëve me regjistrimet e vdekjes për të gjurmuar nivelet e vdekshmërisë së tyre, duke marrë në konsideratë problemet shëndetësore që mund të komprometonin cilësinë e spermës.
Ndërkohë që asnjë anomali e vetme e spermës në vetvete nuk parashikonte vdekje të hershme, burrat me dy a më shumë anomali të tilla kishin 2.3 herë më shumë rrezik të vdisnin gjatë periudhës së studimit se sa ata pa anomali. Sa më i madh të ishte numri i anomalive, aq më i lartë ishte rreziku i vdekjes.
Volumi i ulët i spermës, përqendrimi, aktiviteti, numri i spermatozoideve dhe numri total i spermatozoideve aktivë lidheshin në mënyrë specifike me një rrezik më të madh. Spermatozoidet me forma jo normale duket se lidheshin me një rrezik më të lartë të vdekjes.
Kjo përqindje e rritur e vdekjeve, e cila bie në sy tek burrat me parametra jo normale të spermës nënvizon urgjencën dhe nevojën për të hetuar shkaqet e mungesës së pjellorisë tek burrat dhe jo thjesht vazhdimin me teknologjitë e asistuara të riprodhimit. Gjithashtu, është e rëndësishme të identifikohen shkaqet e mundshme të modifikueshme të mungesës së pjellorisë tek meshkujt mbi të cilat mund të ndërhyhet për të reduktuar këtë përqindje të shtuar të vdekshmërisë.
Është e rëndësishme të mbahet parasysh se studimi nuk ishte destinuar të provonte që çrregullimet në spermë çojnë në një përqindje më të lartë vdekshmërie, por vetëm për të treguar se ka një lidhje midis këtyre faktorëve.
Megjithatë, studiuesit kanë një numër teorish se si cilësia e dobët e spermës mund të lidhet me rrezikun e nj vdekje të parakohshme.
P.sh. riprodhimi është një aktivitet thelbësor i njeriut. Është shumë e lehtë të kuptohet që në qoftë se ju nuk mundeni të prodhoni spermë, ka mundësi që janë edhe gjëra të tjera që trupi juaj nuk mund t’i bëjë mirë.
Defektet e spermës mund të shkaktohen edhe nga nivelet e ulëta të testosteronit, një hormon i rëndësishëm mashkullor që lidhet me jetëgjatësinë. Gjithashtu, nuk duhen përjashtuar faktorët e tjerë shoqërorë që lidhen me pjellorinë. Në qoftë se shihen studimet burrat që kanë fëmijë gëzojnë një jetë të gjatë dhe një vdekshmëri më të ulët. Gratë që janë jo pjellore ka të ngjarë që përballen me një rrezik të ngjashëm të vdekjes, megjithëse ky studim vlerësonte vetëm burrat.
“Besoj se mungesa e pjellorisë na jep një dritare për të parë shëndetin e mëvonshëm të një burri dhe mendoj se kjo mund të zbatohet për të dy sekset”, thotë Eisenberg. “Ne mund të presim të shohim të njëjtat efekte edhe tek gratë”.
Komentoni