Regjistrohu/Kyçu

Grykët tek fëmijët

Të gjithë prindërit e dinë se fëmijët e vegjël preken lehtë nga grykët dhe e ftohura, kryesisht në stinë të ftohta të vitit, në muajt e lagësht të dimrit. Normalisht këto infeksione (që njihen si infeksione të traktit të sipërm respirator ose ITSR) kalojnë shpejt dhe nuk shkaktojnë shumë alarm. Ato shkaktohen nga viruset dhe nuk mund të kurohen. Trajtimi është çështje e reduktimit të simptomave me gjëra të tilla si paracetemol (panadol) për temperaturën dhe dekongjenstanët për t’a bërë jetën më të mirë.

Por ndonjëherë infeksioni mund të bëhet më serioz, duke e vendosur fëmijën në rrezik. Një nga këto kushte është edhe gjendja e grykëve. Ky është një infeksion viral që prek laringun (kutinë e zërit) dhe trakenë (pjesën e sipërme të kanalit të frymëmarrjes). Grykët janë të zakonshme tek fëmijët midis moshave 6 muajshe dhe 3 vjeç. Përkeqësohen gjatë natës.

Cilat janë simptomat e grykëve?

Fëmija i prekur ka kollë të thatë të fortë që mund të vështirësohet e të shkojë deri në fishkëllima të forta, kur ai merr frymë. Tek fëmijët e vegjël rrugët e sipërme të frymëmarrjes në disa raste edhe mund të bllokohen. Kjo mund të kërcënojë edhe jetën e fëmijës dhe kërkon përkujdesje urgjente spitalore. Nëse mendoni se fëmija juaj ka vështirësi në frymëmarrjeje merrni në telefon menjëherë urgjencën, që fëmija juaj të marrë trajtim të shpejtë.

Si trajtohen grykët?

Trajtimi i grykëve në fazat e buta të sëmundjes konsiston në ndihmën që duhet t’i jepet fëmijës në realizimin e frymëmarrjes duke e risiguruar atë (një fëmijë i trembur merr frymë shpesh dhe pak, gjë që nuk lejon që në mushkëritë e tij të shkojë shumë ajër). Mbajtja e fëmijës drejt e ndihmon atë që të mbajë hapur rrugët e frymëmarrjes dhe kjo e bën marrjen e frymës më të lehtë.

Vendosja e fëmijës në një gjendje ku është ngrohtë dhe me lagështirë ajrore, përdoret për trajtimin e grykëve prej kohësh. Bërja e një banje me ujë të ngrohtë është një nga mënyrat për t’a bërë këtë, por duhet bërë me kujdes nga dëmtimet ujit të nxehtë. Është e mundur që të merren edhe mjete speciale (humidifikatorë, vaporues) që mund të krijojnë një atmosferë me lagështirë. Megjithatë, pikëpamja aktuale është që thithja e ajrit me lagështirë nuk përmirëson gjendjen.

Nëse kjo gjendje e fëmijës nuk largohet, kërkoni ndihmë. Shenjat e rrezikut janë kur frymëmarrja është e vështirë, fëmija është i lodhur, pjesa e përparme e gjoksit shkon prapa kur fëmija merr frymë, ka fishkëllima kur fëmija është duke fjetur, fëmija duket i zverdhur ose i mavijosur dhe fillon e lodhet e irritohet shpejt. Nëse keni dyshime thërrisni ambulancën ose dërgojeni fëmijën tek mjeku ose departamenti i emergjencës.


Komentoni