Regjistrohu/Kyçu

Bursitet

Sa herë që kockat, tendinat dhe ligamentet lëvizin përkundrejt njëra tjetrës, kryesisht afër nyjeve, qeset e vogla të mbushura me lëng që quhen bursa vajisin pikën e kontaktit. Bursiti është një inflamacion i bursave dhe zakonisht shkaktohet nga mbipërdorimi i një nyjeje, ose kur një nyje është nën presion ose tension për një periudhë të zgjatur kohore.

Çfarë i shkakton bursitet?

Inflamacioni i nyjeve shkaktohet më së shumti nga keqpërdorimi ose mbipërdorimi i nyjeve. Bursitet mund të shkaktohen edhe nga trauma në zonën e bursave ose nga tendinat afër tyre. Veprimtaritë e përsëritura fizike, siç janë të marrurit me klube golfi, mund të shkaktojnë bursite. Kushtet e njohura shpesh si “gjuri i shërbëtorit” vijnë nga inflamacioni i bursës në pjesën ballore të gjurit shkaktuar nga ulja në gjunjë plotësisht në mënyrë të përsëritur. Infeksioni ose kushte të tjera siç janë artritet ose cerma, shkaktojnë ndryshime inflamatore në nyje dhe në tendinat në trup që mund të përfshihen në bursite. Ky tip plagosjesh mund të shoqërohet me reduktimin e mobilizimit të nyjes, skuqjes, ënjtjes dhe në disa raste edhe me lodhje.

Cilat nyje preken?

Një nga zonat më të zakonshme për bursitet janë shpatullat, që kanë numrin më të madh të nyjeve të tërë trupit. Dhimbja zakonisht ndihet përgjatë anës së jashtme në fillim të shpatullave. Të tjera nyje që preken më shpesh janë bërrylat, ijet, kyçet e duarve, nyjet e këmbëve dhe gjunjët.

Cilat janë simptomat e bursiteve?

  • Dhimbje, inflamacion dhe ënjtje e zonës, kryesisht gjatë tërheqjes ose zgjatimit kur bëjmë ushtrime, tërheqje dhe çuarje e nyjeve përtej limiteve normale;
  • Lëvizje e kufizuar e nyjes, me ose pa dhimbje të menjëhershme;
  • Lëkura përreth mund të bëhet e kuqe ose të nxehet.

Si diagnostikohen bursitet?

Mjeku juaj mund t’ju pyesë në lidhje me veprimtarinë fizike të kohëve të fundit dhe të bëjë një ekzaminim fizik. Ndonjëherë ai mund të kërkojë të marrë pak lëng për testim, nëse ka shqetësim që bursa mund të infektohet. Ju mund të dërgoheni për të bërë rreze X të nyjes që dhemb.

Vetëkujdesi për bursitet

Çfarë mund të bëni nëse keni bursit:

  • Uljen e aktivitetit që përfshin nyjen dhe pushimin për të lejuar inflamacionin që të bjerë;
  • Nëse është prekur bërryli, vendose krahun në një mbajtëse që nyja të pushojë;
  • Alternim midis kompresave të ngrohta dhe të ftohta që mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes;
  • Kur dhimbja akute ka rënë, bëj ushtrime të lehta të nyjes duke rritur ngadalë kufirin e lëvizjeve;
  • Për të reduktuar dhimbjen dhe inflamacionin mund të përdoren ilaçet analegjezike anti-inflamatore.

Trajtimi mjekësor për bursitet

  • Ulja e aktivitetit mund të ndihmojë që nyja të pushojë, duke kufizuar lëvizjet, por kjo duhet bërë nën mbikqyrjen e një mjeku ose fizioterapisti;
  • Ilaçet anti-inflamatore dhe analgjezike mund të jepen me recetë për të reduktuar dhimbjen dhe inflamacionin.
  • Diatermia, ose terapia me ngrohje të thellë, që mund të lehtësojë inflamacionin dhe parehatinë e bursiteve po merr popullaritet kohët e fundit. Ajo mund të ndihmojë në ç’tensionimin e muskujve, nervave dhe tendinave;
  • Fizioterapia mund të këshillohet për të ndihmuar në korrigjimin e lidhjeve të muskujve ose në forcimin e nyjes së dëmtuar nga bursiti;
  • Në rastet e shpeshta ose që përsëriten, mund të merren në konsideratë drenazhi i bursitit (kur lëngu del jashtë bursës së ënjtur) dhe bursektomia (në të cilën bursa e prekur hiqet).

Komplikacionet e bursiteve

Komplikacioni kryesor i bursiteve është infeksioni i bursës. Meqë bursa është shpesh nën lëkurë, ajo mund të preket nga disa tipa bakteresh të lëkurës. Kjo kërkon trajtim me antibiotikë dhe ndonjëherë edhe drenazh.


Komentoni