Dhimbja e mesit është shkaku kryesor i paaftësisë për punë në mbarë botën. Këtë ka zbuluar një studim i fundit.
Sipas një studimi të ri dhimbja e mesit shkakton më shumë paaftësi sesa pothuajse 300 gjendje të tjera mjekësore në mbarë botën dhe gati 1 në 10 njerëz në mbarë botën janë duke vuajtur nga mesi.
Një studim i dytë, i cili shqyrtoi gjendjen në lloje të veçanta të vendeve të punës, gjeti se dhimbja e mesit është përgjegjëse për rreth një të tretën e aftësive të kufizuara në punë.
“Dhimbja e mesit është diçka që shumica e njerëzve e përjetojnë në një pikë të caktuar të jetës së tyre. Kjo është diçka e zakonshme midis njerëzve të gjinive, moshave, vendeve, grupeve socio-ekonomike, niveleve të arsimit dhe punësimit të ndryshëm”, tha autori i studimit të parë, Damian Hoy, një kërkues akademik në Universitetin e Shëndetit të Popullsive ne Queensland, Australi.
“Për shumicën e njerëzve me dhimbje mesi, shkaku është specifik” tha ai, por “ka faktorë të caktuar që duket se i vënë njerëzit në rrezik për të përjetuar dhimbje mesi”.
Mosha e shtyrë, arsimimi i ulët, obeziteti, stresi, ankthi apo depresioni, si dhe profesionet që kërkojnë ngritje peshash të rënda ose që janë tepër stresuese, janë të gjithë faktorët që rrisin rrezikun për të vuajtur nga dhimbja e mesit, sipas Hoy-it.
Një ekspert amerikan tha se rezultatet nuk e kanë habitur atë.
“Dhimbja e mesit është shkaku numër një i ditëve të humbura të punës në Shtetet e Bashkuara”, tha Dr Anders Cohen, shefi i Neurokirurgjisë dhe kirurgjisë së shtyllës kurrizore në Qendrën Spitalore të Brooklyn në Nju Jork Siti.
Për studimin e parë Hoy dhe kolegët e tij shqyrtuar 117 studime të publikuara që përfshinin informacione mbi prevalencën (shkallën e rrezikut që dikush ka për t’u prekur nga një sëmundje e caktuar) e dhimbjes së mesit. Ata gjithashtu ekzaminuan studimet e kryera në 50 vende mbi prevalencën dhe ashpërsinë e dhimbjeve të mesit.
Në krahasim me 291 kushte të tjera shëndetësore, studiuesit panë se dhimbja e mesit shkakton më shumë paaftësi se çdo problem tjetër shëndetësor. Analiza tregoi se dhimbja e mesit goditi 9.4% të njerëzve në vitin 2010.
Meshkujt kanë më shumë gjasa se sa femrat që të kenë dhimbje mesi. Një mesatare prej pak më shumë se 10% e meshkujve kishin dhimbje mesi, krahasuar me 8.7% të femrave.
Prekshmëria nga dhimbja e mesit varionte gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme, nga zona gjeografike. “Prevalenca është më e lartë në Europën Perëndimore, e ndjekur nga Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe më e ulët në Karaibe, pasuar nga Amerika Qendrore dhe Amerika Latine”, tha Hoy.
Në Evropën Perëndimore, prevalenca mesatare e dhimbjeve të mesit ishte 15%, dhe në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, ishte 14.8%. Normat më të ulëta janë gjetur në Karaibe, ku shkalla e prevalencës ishte 6.5% dhe në Amerikën Qendrore, ku ishte 6.6%, raportoi Hoy. Prevalenca e ulët e dhimbjes së mesit ishte në zonat me të ardhura të larta ekonomike në Amerikën e Veriut.
Nivelet e larta të stërvitjes, shtati më i shkurtër, të ardhurat më të ulëta dhe më pak qasje ndaj sigurimeve shëndetësore, mund të jenë arsyet pse vendet në zhvillim kanë raportuar norma paksa më të ulëta të dhimbjes së mesit, sugjeroi Hoy.
Studimi i dytë, i kryer nga hulumtuesit në Australi dhe Shtetet e Bashkuara, shqyrtoi të dhënat nga 187 vende midis viteve 1990 dhe 2010. Pak më shumë se një e treta e të gjithë aftësive të kufizuara lidhura me punën, lidheshin me dhimbjen e mesit.
Rreziku i prekjes nga dhimbjet e mesit ishte pothuajse katër herë më i lartë për njerëzit që punojnë në bujqësi, blegtori, pylltari, peshkim dhe gjueti, në krahasim me profesionet e tjera, njoftoi një ekip i udhëhequr nga Dr Tim Driscoll, në Universitetin e Sidneit, Australi.
Njerëzit që punojnë në prodhim, punëtorët dhe operatorët e automjeteve, kishin një rrezik 54% më të lartë për të vuajtur nga dhimbja e mesit, ndërsa punëtorët e shërbimit kishin 47% më shumë rrezik, sipas studimit. Puna e zyrës lidhej me norma më të ulëta të prekshmërisë nga dhimbja e mesit.
Të qëndruarit në formë është një nga mënyrat më të mira për të parandaluar dhimbjen e mesit, sipas ekspertit të SHBA-ve, Cohen. “I riu mund të jetë atletik dhe në gjendje të mirë”, tha ai . “Në momentin që filloni të bëni jetën e punës, ju nuk mund të mbani të njëjtin nivel të stërvitjes që bëni; kombinojeni këtë me moshën dhe më pas ushtrojuni më tepër në fundjavë”, shpjegoi ai.
Ai tha se është e rëndësishme që të ruani forcën dhe fleksibilitetin, për të mbajtur shpinën në shëndet të mirë.
Për njerëzit që kanë dhimbje mesi Dr Rachelle Buchbinder, një bashkë- autore në studimin e Hoy dhe profesoreshë e epidemiologjisë dhe një tjetër profesor i mjekësisë parandaluese në Universitetin Monash në Australi, kanë këshilla të posaçme për mjekët specialistë.
“Për dhimbjet jospecifike të mesit, që shpjegon shumicën e dhimbjeve të shpinës, menaxhimi i bazuar në prova konkrete, përfshin siguri për një prognozë të favorshme, këshilla për të vazhduar aktivitetet normale dhe të qëndruarit aktivë, analgjezikët me dhe pa recetë, janë të nevojshme”, tha Buchbinder.
Të dy, ajo dhe Cohen shpjeguan se operacioni shpesh nuk është i domosdoshëm.
“Me plakjen dhe rritjen e popullsisë, dhimbja e mesit është një barrë e madhe në vendet në zhvillim”, tha autori kryesor, Hoy. “Kjo pritet të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme dhe ka të ngjarë të ketë një ndikim të madh në jetesë, sistemet shëndetësore të individit dhe ekonomi”.
Komentoni