Ekspertët e lindjeve nuk mendojnë se shumica e metodave shtëpiake në lidhje me këtë mund të funksionojnë.
Ka vetëm një javë kohë deri në datën e lindjes. Ju po gërmoni në internet për të gjetur një mënyrë për ta lindur bebin lehtësisht në kohën e duhur, ose ndoshta edhe disa ditë më përpara. Mesazhet janë plot me këshilla në lidhje me nxitjen “e natyrshme” të lindjes. Ato variojnë nga ngrënia e ushqimeve pikante deri tek pirja e vajit të kastorit.
Por a funksionon me të vërtetë ndonjë metodë e tillë? Ekspertët e lindjeve thonë se nuk ka asnjë provë të fortë.
“Nuk ka mënyra jo-mjekësore të provuara për të nxitur lindjen në mënyrë natyrale”, thotë Elizabeth Stein, një mami dhe infermiere në Nju Jork. Të vetmet metoda të sigurta dhe të besueshme për fillimin e procesit të lindjes përfshijnë medikamente të dhëna në spital. Shumica e teknikave të tjera janë thashetheme, që nuk duket se ndihmojnë në rastin më të mirë dhe janë potencialisht të dëmshme. Vetëm disa prej tyre shfaqin përmirësime dhe kjo nuk është ende përfundimtare.
Akupunktura mund të ndihmojë për të nxitur lindjen, por është shumë herët për të qenë të sigurt. Në disa pjesë të Azisë, kjo teknikë është përdorur për shekuj me rradhë për të nxitur procesin e lindjes.
Një studim i kryer në Universitetin e Karolinës së Veriut zbuloi se gratë që i ishin nënshtruar terapisë me akupunkturë, ishin më të prirura të fillonin procesin e lindjes pa nevojën e një “shtytjeje” mjekësore.
Studimi përfshinte 56 gra që ishin nga 39.5 – 41 javë shtatzënë (Që një shtatzëni të quhet e plotë, duhet të kalojnë 40 javë). Gjysma e grave iu nënshtrua tre seancave me akupunkturë, ndërsa gjysma tjetër jo.
70% e grave që kryen akupuntkurë, shkuan drejt lindjes në mënyrë natyrale, në krahasim me 50% të grave që morën kujdesin standart (pra që nuk iu nënshtruan akupunkturës). Gratë që bënë akupuntkurë kishin edhe më pak gjasa për të lindur me operacion cezarian: 39% krahasuar me 17%.
“Ne kishim pothuajse një reduktim prej 50% në normën e operacioneve cezariane”, thotë Dr. Terry Harper. Harper, e cila tani praktikon mjekësinë fetale maternale në Albuquerque, thotë se përmasat e vogla të studimit të saj do të thotë se nevojiten më shumë kërkime. Ajo shpreson se akupunktura do të mund të ndihmojë më shumë gra një ditë, të lindin në mënyrë vaginale.
Një tjetër strategji që merr vlerësime pozitive nga mjekët dhe mamitë është induksioni i lindjes në të njëjtën mënyrë që vetë shtatzënia ka filluar: marrëdhëniet seksuale.
“Unë i them pacientëve të mi ta bëjnë këtë gjatë gjithë kohës”, thotë Harper. Edhe pse nuk ka prova që seksi mund të fillojë procesin e lindjes (procesi i lindjes i referohet kohës kur fillojnë kontraktimet), ka një arsye të fortë pse ai mund ta bëjë këtë. Harper thotë se seksi çliron proataglandina, substanca të ngjashme me hormonet që përdoren si medikamente për të filluar procesin e lindjes. Për më tepër nuk ju bën dëm nëse e provoni!
“Unë mendoj se seksi është një ide e e mirë”, pranon Stein. Sigurohuni që të mos ju kenë plasur ujërat dhe që mamia ose doktori t’ju ketë dhënë dritën e gjelbër. Ajo shton se është e rëndësishme që mashkulli të ejakulohet brenda vaginës. “Ky ejakulim përmban prostaglandinat që stimulojnë qafën e mitrës … dhe ndoshta të sjellin kontraktime”.
Kur është fjala për nxitjen e lindjes, metodat e mëposhtme paraqesin vlerësime të ndryshme nga ekspertët e lindjeve. Ose nuk ka prova për të mbështetur këto metoda, ose ato mund të funksionojnë, por mbartin rreziqe. Nëse doni të provoni njërën prej tyre, konsultohuni më parë me mjekun ose maminë tuaj.
Shëtitjet e gjata: Shëtitjet e gjata janë një ushtrim i mirë, thotë Harper, por unë nuk mendoj se ndihmon për të nxitur lindjen. Stein është më kritike. “Shëtitjet e shkurtra janë në rregull, por unë nuk jam tifoze e shëtitjeve të gjata dhe të mundimshme”. Ajo shton se lodhja nuk është një mënyrë e mirë për të filluar procesin e lindjes.
Ushqimet pikante: Kjo është një teori e popullarizuar, por nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë midis stomakut dhe mitrës. Pra, nuk ka asnjë arsye për të menduar se një lloj i veçantë ushqimi do të fillojë kontraktimet. “Unë kurrë nuk kam parë ndonjë gjë që mbështet ushqimin pikant në një mënyrë apo një tjetër”, thotë Harper.
Vaji i kastorit (një lloj bime): Stein ndonjëherë këshillon marrjen e një sasie të vogël vaji kastori pas javës së 38-të të shtatzënisë. “Nuk ka asnjë veprim të drejtpërdrejtë në mitër. Dobia e tij është indirekte përmes stimulimit të zorrëve, të cilat përkulen mbi mitër. Kjo metodë duket se funksionon vetëm kur trupi është gati për të filluar procesin e lindjes”. Por Harper thotë se nuk ka prova të forta që të vërtetojnë se vaji i kastorit nxit procesin e lindjes. “Vaji i kasttorit sjell diarre të tmershme. Unë nuk e rekomandoj pasi ju mund të dehidratoheni akoma më shumë”.
Cohoshi: Disa gra përpiqen të fillojnë procesin e lindjes me cohosh, por mjekët paralajmërojnë se kjo bimë përmban kimikate me bazë bimore që mund të veprojnë si estrogjen në organizëm . “Unë jam me të vërtetë e shqetësuar në lidhje me këtë”, thotë Harper. “Kjo bimë nuk është e studiuar mjfatueshëm”.
Vaji i aguliçes së natës: Harper është më pozitive në lidhje me një tjetër barishte, vaji i aguliçes së natës. Kjo bimë përmban substanca që trupi i konverton në prostaglandina, të cilat zbusin qafën e mitrës dhe e bëjnë të gatshme për procesin e lindjes. “Vaji i aguliçes së natës thuhet se çliron prostaglandina”, thotë Harper. “Por ky pretendim ka nevojë për më shumë studime”.
Nëse ju kaloni datën e terminit (afatin kur supozohet se duhet të lindni), mjeku ose mamia mund t’ju rekomandojnë nxitjen e procesit të lindjes në spital. Harper shton se për gratë me shtatzëni me rrezik të lartë, lindja duhet të fillojë të nxitet shumë afër datës, ose vetëm në datën e caktuar. Për shtatzënitë me rrezik të ulët, shtoi ajo, java e 42-të është afati i fundit.
Nxitja e procesit të lindjes zakonisht fillon me marrjen e prostaglandinave në formë pilulash apo aplikimit të tyre brenda vaginës, në afërsi të qafës së mitrës. Ndonjëherë kjo nxitje është e mjaftueshme për të filluar kontraktimet.
Nëse ky veprim nuk mjafton për të nxitur procesin e lindjes, hapi tjetër është Pitocini, një formë artificiale e hormonit okstincion. Ky hormon stimulon kontraktimet e mitrës. Harper thotë se është e rëndësishme dhe vitale që Pitocini të jepet vetëm kur qafa e mitres të jetë hapur dhe të jetë e gatshme për të filluar lindjen. “Shumica e njerëzve rekomandojnë të fillohet me prostaglandinat, për përgatitjen e qafës së mitrës”.
Ndërkohë që data e lindjes afrohet, shumë çifte mezi presin që procesi i lindjes të fillojë në mënyrë që më në fund të “takojnë” foshnjën e tyre.
Edhe pse kjo është koha më emocionuese e jetës suaj, ju mund të duhet ta merrni me qetësi dhe të mos i nxitoni gjërat. Stein rekomandon që ju të kurseni energjitë, në vend që ta mundoni veten me skema dhe të filloni procesin më shpjet seç duhet.
Me fjalë të tjera, bëni pak gjumë, sa jeni ende në kohë!
Komentoni