Ekspertët thonë se meshkujt mund të përfitojnë shumë duke qenë të vëmendshëm ndaj simptomave të caktuara të kancerit, të cilat duhet të diskutohen me doktorin sa më shpejt të jetë e mundur. Por kur vjen puna për të caktuar një vizitë tek doktori, dihet që meshkujt duhet t’i tërheqësh zvarrë!
Dr. Leonard Lichtenfeld, është zëvendës drejtor mjekësor për zyrën kombëtare të shoqatës Amerikane të Kancerit. Sipas Lichtenfeld, meshkujt shpesh duhet të nxiten nga gratë për t’u kontrolluar në lidhje me kancerin. Kjo është një fatkeqësi! Kujdesi rutinë parandalues mund të zbulojë kancerin dhe sëmundje të tjera kur janë vetëm në fazat e tyre fillestare. Kur kanceri zbulohet që në fillim, ka më shumë mundësi për trajtimin e tij.
Kjo do të thotë se ka më shumë shanse për një kurë.
Disa nga simptomat e kancerit tek meshkujt janë specifike. Ato përfshijnë disa pjesë të trupit dhe mund të tregojnë direkt për mundësinë që një kancer të jetë i pranishëm. Simptomat e tjera janë të paqarta. P.sh. një dhimbje që prek shumë pjesë të trupit, mund të ketë shumë shpjegime. Kjo mund të jetë një shenjë e kancerit, ose jo. Por ju nuk mund të përjashtoni kancerin si mundësi, pa shkuar tek mjeku.
Si shumica e meshkujve, ju ndoshta nuk e keni marrë kurrë parasysh mundësinë që mund të keni kancer gjiri. Edhe pse nuk është shumë i hasur, ai është i mundur. “Çdo masë e re në zonën e gjirit të një mashkulli, ka nevojë të kontrollohet nga një mjek”, thotë Lichtenfeld.
Përveç kësaj, Shoqata Amerikane e Kancerit identifikon disa shenja të tjera shqetësuese që përfshijnë gjoksin e burrave ashtu si dhe të grave, të cilave duhet t’ju kushtohet vëmendje. Ato përfshijnë:
Kur të konsultoheni me mjekun në lidhje me ndonjë nga këto shenja, duhet të siguroheni që ai të marrë një historik mjekësor të detajuar dhe të kryejë një ekzaminim fizik. Më pas, në varësi të rezultateve, mjeku mund të urdhërojë një mamografi, një biopsi ose teste të tjera.
Ndërsa moshohen, meshkujt shpesh ankohen për dhimbje që shpeshtohen. Por dhimbja, sado e paqartë, mund të jetë një shenjë e hershme e disa llojeve të kancerit. Sidoqoftë, shumica e ankesave për dhimbje, nuk vijnë nga ata që vuajnë nga kanceri.
Çdo dhimbje që vazhdon, sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, duhet të kontrollohet nga mjeku. Ai duhet të kërkojë një historik të detajuar mjekësor dhe pastaj të vendosë nëse ka nevojë për testim të mëtejshëm. Nëse nuk bëhet fjalë për kancer, ju gjithsesi do të përfitoni nga vizita. Kjo është e mundur pasi mjeku mund të diskutojë me ju për të zbuluar se çfarë po e shkakton dhimbjen dhe t’ju rekomandojë trajtimin e duhur.
Kanceri testikular haset më shpesh tek meshkujt mes moshës 20-39 vjeçare. Shoqata Amerikane e Kancerit rekomandon që njerëzit të kryejnë një ekzaminim testikular nga mjeku, si pjesë e një kontrolli rutinë për kancer. Disa mjekë madje sugjerojnë që meshkujt të bëjnë një kontroll mujor, vetjak.
Dr. Evan Yu është asistent profesor i mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit dhe një anëtar asistent në Qendrën Kërkimore për Kancerin- Fred Hutchinson në Seattle. Yu shpjegon se të jesh i vetëdijshëm për simptomat problematike testikulare, kur kryen kontrollet e ndryshme, është një gjë e mençur. “Çdo ndryshim në madhësinë e testikujve, të tilla si rritja apo tkurrja”, thotë Yu, “duhet të përbëjë shqetësim për ju”.
Përveç kësaj, çdo ënjtje, gungë, ose një ndjenjë rëndese në skrotum nuk duhet të injorohet. Disa lloje të kancerit testikular ndodhin shumë shpejt. Prandaj, zbulimi i hershëm është veçanërisht i rëndësishëm. “Nëse ju ndjeni një gungë të fortë (në testikuj), kontrollojeni atë menjëherë”, thotë Yu.
Mjeku duhet të kryejë një ekzaminim testikular dhe një vlerësim të përgjithshëm të shëndetit tuaj. Nëse dyshohet për kancer, analizat e gjaku-t mund të jenë me detyrim. Ju gjithashtu mund t’i nënshtroheni një ekzaminimi me ultratinguj të skrotumit (qeskës që vesh testikujt) dhe mjeku mund të vendosë të bëjë një biopsi. Nëse kryhet një biopsi, ju mund t’ju duhet të hiqni të gjithë testikulin.
Nëse vëreni një gungë ose ënjtje të nyjeve limfatike në sqetull apo në qafë, ose në vende të tjera, kjo duhet të jetë arsye për t’u shqetësuar, thotë Dr. Hannah Linden. Linden është një onkologe mjekësore dhe një profesoreshë e mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit, në fakultetin e Mjekësisë. Ajo është gjithashtu një anëtare e asociuar në Qendrën e Kërkimeve për Kancerin, Fred Hutchinson, në Seattle. “Nëse ju keni një nyje limfatike që zmadhohet vazhdimisht, dhe ka më shumë se një muaj që e keni vënë re, shkoni tek doktori”, shton ajo.
Mjeku duhet t’ju kontrollojë dhe të përcaktojë problemet që mund të shpjegojnë zgjerimin e nyjeve limfatike, të tilla si infeksionet. Nëse nuk ka infeksion, mjeku zakonisht do të urdhërojë një biopsi.
Nëse ju keni ethe të pashpjegueshme, kjo mund të jetë tregues i një kanceri të caktuar. Megjithatë, ethet mund të jenë shenjë e pneumonisë ose ndonjë sëmundjeje apo infeksioni tjetër, që ka nevojë për trajtim.
Shumica e kancerëve shkaktojnë ethe në një pikë të caktuar të zhvillimit të tyre. Shpesh, ethet shfaqen pasi kanceri është përhapur nga vendodhja e tij parësore dhe ka pushtuar një pjesë tjetër të trupit. Ethet gjithashtu mund të shkaktohen nga kancerët e gjakut si limfoma ose leuçemia (leukemi), sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit.
Është më mirë të mos i injoroni ethet që nuk mund të shpjegohen. Këshillohuni me mjekun për të gjetur shkakun e mundshëm të etheve dhe për të përcaktuar trajtimin e duhur.
Rënia e papritur në peshë është një shqetësim, thotë Lichtenfeld. “Shumica prej nesh nuk bien në peshë me lehtësi”. Ai është duke folur për më shumë se dy tre kile, të humbura nga një program stërvitjeje apo nga të ngrënit e paktë, për shkak të një orari të ngjeshur. Në rast se dikush humb më shumë se 10% të peshës së tij trupore në një periudhë prej 3-6 muajsh, është koha për të shkuar tek mjeku, thotë ai.
Doktori duhet të kryejë një kontroll të përgjithshëm fizik, të bëjë pyetje në lidhje dietën dhe stërvitjen që bëni dhe të kërkojë për simptoma të tjera. Mbi bazën e këtij informacioni, mjeku do të vendosë se çfarë analizash të mëtejshme duhen kryer.
“Çdo burrë (apo grua) që ka dhimbje barku dhe është në depresion ka nevojë për një kontroll “, thotë Lichtenfeld. Ekspertët kanë gjetur një lidhje midis depresionit dhe kancerit pankreatik. Simptoma të tjera të kancerit pankreatik mund të përfshijnë verdhëzën, një ndryshim në ngjyrën e feçes, shpesh në gri dhe një ngjyrë më të errët të urinës. Përveç këtyre simpomave, ju mund të përjetoni dhe kruarje në të gjithë trupin.
Ju duhet të prisni që mjeku të kryejë një kontroll të kujdesshëm fizik dhe të kërkojë një historik mjekësor. Ai mund të urdhërojë teste të tilla si ultratingujt, tomografinë e kompjuterizuar, ose të dyja , si dhe teste të tjera laboratorike.
Lodhja është një tjetër simptomë e paqartë që mund të jetë tregues për kancer, tek meshkujt. Fakti është se edhe shumë probleme të tjera mund të shkaktojnë lodhje tek meshkujt. Ashtu si ethet, lodhja mund të shfaqet, mbasi kanceri të jetë zhvilluar. Por, sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, ajo mund të ndodhë në fillim të kancerëve të tillë si leuçemia, kancer i zorres së trash, ose kanceri në stomak.
Nëse shpesh ndiheni tmerrësisht të lodhur dhe gjendja juaj nuk përmirësohet duke pushuar, shkoni tek mjeku. Klinicisti duhet të shqyrtojë lodhjen, së bashku me të gjitha simptomat e tjera, për të përcaktuar shkakun dhe trajtimin e duhur.
Kollitjet, natyrisht priten të shfaqen bashkë me ftohjen, gripin dhe alergjitë. Ndonjëherë, kolla mund të jetë efekt anësor i një medikamenti. Por një kollë që vazhdon për një periudhë të gjatë, për më shumë se tre ose katër javë, ose një ndryshim i kollës, nuk duhet të injorohen, thotë Dr. Ranit Mishori, asistent profesor dhe drejtor i stazhit të mjekësisë familjare në Universitetin e Mjekësisë në Georgetown, në Uashington DC. Këto modele kolle, paralajmërojnë një vizitë tek mjeku. Ato mund të jenë një shenjë e kancerit, ose mund të tregojnë probleme të tjera të tilla si bronkiti kronik apo refluksi i acideve.
Mjeku duhet të shënojë historikun tuaj me kujdes dhe në detaje, të kontrollojë fytin, të dëgjojë mushkëritë tuaja, të përcaktojë funksionin e tyre me një test spirometrik dhe në qoftë se jeni duhanpirës, të urdhërojë një skaner me rreze-x. Pasi shkaku i kollës të jetë identifikuar, mjeku do të punojë për të përcaktuar një plan trajtimi.
Disa meshkuj mund të raportojnë probleme kur pijnë lëngje, por më pas i injorojnë ato, thotë Lichtenfeld. “Me kalimin e kohës, ata ndryshojnë dietën e tyre, në një dietë më të lëngshme. Ata fillojnë të hanë më shumë supëra, por vështirësitë në gëlltitje, thotë ai, mund të jenë një shenjë e një kanceri gastrointestinal, siç është kancer i ezofagut”.
Informoni mjekun tuaj nëse keni probleme me gëlltitjen. Mjeku duhet të marrë një historik të detajuar mjekësor dhe ndoshta të urdhërojë një analizë me rreze-x për kraharorin, si dhe gëlltitje bariumi. Mjeku mund të dërgojë një specialist për të kryer një endoskopi të pjesës së sipërme gastrointestinale, për të shqyrtuar ezofagun tuaj dhe traktin e sipërm gastrointestinal.
Ju duhet të jeni të kujdesshëm jo vetëm ndaj ndryshimeve të nishaneve, një shenjë e njohur e një kanceri të mundshëm të lëkurës, por edhe ndaj ndryshimeve në pigmentin e lëkurës, thotë Dr. Mary Daly. Daly është një onkologe dhe kreu i departamentit të gjenetikës klinike në Qendrën Fox Chase të kancerit, në Filadelfia.
Daly gjithashtu thotë se shfaqja e papritur e gjakderdhjeve në lëkurë ose shkallëzimi (rrudhja) e tepruar, janë arsye për t’u konsultuar me mjekun. Është e vështirë të thuhet se sa kohë duhet të kalojë për të kontrolluar ndryshimet në lëkurë, por shumica e ekspertëve thonë se nuk duhet të prisni më shumë se disa javë.
Për të gjetur se çfarë po i shkakton këto ndryshime, mjeku duhet të dijë historikun tuaj mjekësor dhe të kryejë një ekzaminim të kujdesshëm fizik. Doktori mund të urdhërojë edhe një biopsi për të përjashtuar kancerin si mundësi.
“Sa herë që shihni gjak që vjen nga një pjesë e trupit, ku nuk ju ka ndodhur më parë, shkoni tek mjeku”, thotë Lichtenfeld. “Nëse ju filloni të kollisni apo të pështyni gjak, nëse keni gjak në urinë ose zorrë, është koha për një ekzaminim mjekësor”.
Mishori thotë se është gabim të mendojmë se gjaku në feçe, vjen thjesht nga hemorridet. “Ky mund të jetë kancer i zorres së trash”, thotë ai.
Mjeku duhet të parashtrojë pyetje për simptomat. Ai mund të urdhërojë teste të tilla si kolonoskopia. Ky është shqyrtimi i zorrës së trashë duke përdorur një tub të gjatë, fleksibël me një aparat fotografik në njërën mbaresë të tij. Qëllimi i një kolonoskopie është të identifikojë çdo shenjë të kancerit ose prekancerit apo të identifikojë çdo shkak tjetër të gjakderdhjes.
Nëse pini duhan, ju duhet të jeni veçanërisht vigjilent për çdo copëz të bardhë brenda gojës ose njollë të bardhë në gjuhë. Këto ndryshime mund të jenë treguese të leukoplakisë, një gjendje prekanceroze, që mund të shfaqet pas irritimeve të vazhdueshme. Kjo gjendje mund të përkeqësohet dhe të zhvillojë një kancer në gojë.
Ju duhet të raportoni çdo ndryshim tek mjeku ose dentisti. Dentisti apo mjeku duhet të marrë një historik të detajuar mjekësor, të shqyrtojë ndryshimet dhe pastaj të vendosë se çfarë testesh të tjera mund të nevojiten.
Ndërkohë që meshkujt moshohen, problemet e rrugëve urinare bëhen më të shpeshta, thotë Yu. Këto probleme përfshijnë:
“Çdo njeri do të këtë këto probleme, me kalimin e viteve”, thotë Yu, “por sapo ju të vini re këto simptoma, duhet të konsultoheni me një mjek”. Kjo është veçanërisht e vërtetë, në qoftë se simptomat përkeqësohen.
Mjeku duhet të kryejë një ekzaminim dixhital të rektumit (zorrës së trashë – pjesa fundore), i cili do të tregojë nëse prostata është zgjeruar, ose nëse ka gunga në të. Prostata, shpesh zgjerohet me kalimin e viteve. Ky zgjerim shkaktohet më së shpeshti nga një gjendje jo kanceroze që quhet hiperplasia beninje e prostatës.
Mjeku mund të diskutojë me ju rreth mundësisë për të kryer një analizë gjaku, për të kontrolluar nivelin e antigjenit specifik të prostatës, ose PSA. PSA është një proteinë e prodhuar nga prostata dhe ky test, shërben për të përcaktuar nëse ekziston mundësia e kancerit të prostatës.
Nëse mjeku konstaton anomali në prostatë, ose nëse PSA është më e lartë nga ç’duhet, mjeku mund t’ju drejtojë tek një urolog dhe ndoshta, të urdhërojë një biopsi. Kanceri i prostatës mund të jetë i pranishëm edhe me një nivel normal të PSA-së.
Shumë njerëz, sidomos ndërsa moshohen, mendojnë se po pësojnë një atak në zemër, kur përjetojnë mostretje. Por mostretja e vazhdueshme mund të jetë tregues i kancerit të ezofagut, fytit, ose stomakut. Mostretja e vazhdueshme ose përkeqësimi i saj, duhet të raportohen tek mjeku.
Ai duhet të dijë historikun tuaj mjekësor me detaje dhe të bëjë pyetje në lidhje me episodet e mostretjes. Bazuar në historikun dhe përgjigjet tuaja, mjeku do të vendosë se cilat teste janë të nevojshme për një diagnostikim sa më të saktë.
Komentoni