Regjistrohu/Kyçu

Endoskopia

Endoskopia është një procedurë në të cilën mjeku shikon përmes një tubi të hollë të ndriçuar të futur brenda në trup për të dalluar strukturat e brendshme të trupit dhe për të gjetur nëse ka ndonjë sëmundje. Instrumenti i përdorur për këtë procedurë quhet endoskop. Në disa raste,endoskopi mund të përdoret edhe për të trajtuar sëmundjen, p.sh. kur është pajisur me një sondë  të vogël elektrike dhe përdoret për të shkatërruar zonat me inde jo normale.

Tubi mund të jetë i sertë apo elastik me pajisje me fibër optike dhe me një kamera të vogël të atashuar në fund për të transmetuar pamjet.

Llojet e ndryshme të endoskopisë

Endoskopë të veçantë janë krijuar për pjesë të ndryshme të trupit. Shembuj të investigimeve që bëhen me anë të kalimit të një endoskopi nëpër një hapje natyrale, siç është goja ose anusi, për të diagnostikuar ose për të parë gjendje të ndrtyshme përfshijnë sa më poshtë:

  • Gastroskopia – Për të parë stomakun apo ezofagun. Përdoret për të kontrolluar ulcerë-n, hemorragji apo tumor-e.
  • Kolonoskopia – Për të parë zorrën e trashë. Përdoret për të kontrolluar për tumor-e ose polipe dhe gjendje të tjera të zorrëve.
  • Bronkoskopia – Për të parë rrugët e kalimit të ajrit dhe indet e mushkërive. Përdoret për të larguar trupa të huaj, për të marrë kampione për diagnostikimin e kancerit ose sëmundjeve të tjera të mushkërive dhe për të vlerësuar gjendjen e rrugëve ajrore duke ndjekur thithjen e tymit.
  • Cistoskopia – Për të parë fshikëzën e urinës. Përdoret për të kontrolluar për tumor-e, gurë dhe anomali të tjera.
  • Histeroskopia – Për të parë mitrën. Përdoret për të kontrolluar për ngjitje ose polipe dhe për të investiguar për hemorragji të tepërt menstruale.

Në llojet e tjera të endoskopisë çahet lëkura për të lejuar tubin të futet në zonën që duhet investiguar.

  • Arthroskopia - Për të parë brenda një artikulacioni, siç është gjuri. Përdoret për të kontrolluar për shqyerje të ligamenteve ose kërceve të dëmtuar.
  • Laparoskopia - Për të parë brenda në abdomen. Përdoret për të kontrolluar gjendjen gjinekologji-ke, dëmtimet nga plagosjet të cilat mund të prekin çdonjërin prej organeve brenda në abdomen.

Është krijuar edhe një lloj i ri i endoskopisë në të cilin ju gëlltisni një pajisje që është me madhësinë e një tablete të madhe vitamine dhe nuk ka kabllo dhe tela të jashtëm. Ky endoskop kapsulë pajiset me një kamera dhe dërgon pamje në një regjistrues të vendosur në një pajisje që mbahet në brez, këto imazhe vlerësohen nga mjeku. Kapsula është një përdorimësh dhe nxirret me jashtëqitje. Testi zakonisht nuk shkakton siklet dhe nuk kërkon qetësues. Ai mund të jetë i dobishëm në zorrën e hollë, në të cilën problemet është vështirë të vizualizohen në mënyra të tjera.

Përdorime të tjera të endoskopisë

Përveçse i ndihmon mjekët për të përcaktuar një diagnozë, endoskopi përdoret edhe për të trajtuar një numër gjendjesh shëndetësore. Largimi i polipeve rektale apo të zorrës së trashë, rezeksioni trasuretral i prostatës, operacionet në gju dhe largimi i disa llojeve të fshikëzës së tëmthit janë vetëm disa përdorime operatore të endoskopisë.

Disa endoskopë kanë pjesë të atashuara që mund të përdoren për të këputur copa të indeve të cilat më pas analizohen në laborator (ky proces quhet biopsi), ose për të kaluar një korrent elektrik për të vulosur një pikë të indit që rrjedh gjak.

Procedurat e endoskopisë

Meqenëse procedurat endoskopike japin një pamje të drejtpërdrejtë të organit që ekzaminohet, qoftë përmes një hapje natyrale apo përmes një prerje të vogël në lëkurë, ato mund t’i shpëtojnë pacientët nga investigime të komplikuara dhe nga operacionet kirurgjikale investiguese që shkaktojnë një hapje të madhe në lëkurë dhe në indet që janë nën të.

Kur përgatitemi për shumicën e llojeve të endoskopisë, mosushqyerja është zakonisht e rekomandueshme para procedurës. Informohuni në klinikën ku do të kryhet endoskopia se sa para procedurës ju duhet të rrini pa ngrënë e pa pirë, dhe çfarë duhet bërë me ilaçet që ju merrni zakonisht. Në qoftë se keni diabetin dhe përdorni insulinë, bisedoni me mjekun tuaj se si duhet ta ndryshoni regjimin tuaj të insulinës për këtë periudhë. Në qoftë se keni sëmundje të valvulave të zemrës, do të nevojitet të merrni antibiotikë para disa llojeve të endoskopisë.

Disa lloje të endoskopisë kërkojnë një përgatitje më ekstensive. Para një kolonoskopie p.sh. ju do të keni nevojë të merrni një solucion special për të pastruar zorrët. Spitali apo klinika që e kryen këtë procedurë do të jetë në gjendje t’ju këshillojë për këtë.

Përgjithësisht duhet të shtroheni në spital për të kryer një endoskopi. Për procedura të thjeshta ka të ngjarë të shkoni në shtëpi në të njëjtën ditë, ndërsa për procedura të ndërlikuara mund të kërkohet të qëndroni një natë në spital.

Anestetikët

Varësisht nga pjesa e trupit që shqyrtohet, mund të përdoret ose anestezi  lokale ose e përgjithshme. Mund të merrni një qetësues para procedurës. Endoskopi kalohet me kujdes nëpër hapje dhe pamjet e kamerës kalohen në një ekran para mjekut, ndonjëherë ato mund të shihen edhe nga pacienti. Mund të realizohet një biopsi ose mund të bëhen riparime dhe mund të hiqen pjesë të sëmura. Endsokopi pastaj hiqet dhe në qoftë se është bërë një prerje, ajo do të qepet dhe do të fashohet. Në qoftë se prerja është shumë e vogël, mund të mos jetë nevoja të qepet. Për disa lloj procedurash mund të rekomandohen qetësues të butë të dhimbjeve.

A ekzistojnë komplikacione apo rreziqe?

Komplikacionet nga endoskopia janë të rralla. Janë të mundshme shpime apo dëmtime të organit që po ekzaminohet, por komplikacionet më të zakonshme janë një sasi e vogël hemorragjie (në qoftë se merret një biopsi) dhe një acarim i lehtë i veshjes së brendshme të organit që ekzaminohet.


Komentoni