Regjistrohu/Kyçu

Mjekësia bërthamore dhe radioaktiviteti

Mjekësia bërthamore është një degë e mjekësisë e cila përdor sasi të vogla të materialeve radioaktive për të diagnostikuar dhe për të trajtuar sëmundjen. Teknikat e përdorura në mjekësinë bërthamore përfshijnë;

  • Skanimin e kockës;
  • Tomografinë me emetim të pozitroneve – PET;
  • Tomografinë me emetimin e kompjuterizuar të fotoneve të vetëm – SPECT;
  • Imazherinë kardiovaskulare.

Si funksionon ajo?

Mjekësia bërthamore përdor kimikate radioaktive të quajtura medikamente radioaktive të cilat merren nga trupi ose nëpërmjet injeksionit në venë, nga goja apo duke i thithur bashkë me ajrin. Këto medikamente radioaktive çlirojnë vazhdimisht rrezatim të padukshëm të quajtur rreze gama. Pasi që lënda radioaktive strehohet në pjesën e duhur të trupit tuaj, një kamera speciale përdoret për të skanuar trupin dhe për të marrë “fotografi” të cilat regjistrojnë rrezatimin që emetohet nga trupi juaj. Këto “fotografi’ përpunohen nga një kompjuter për të ndërtuar imazhe nga trupi.

Ndryshe nga rrezet e thjeshta X dhe disa lloji imazhesh të tjera diagnostikuese, të cilat mund të tregojnë vetëm anatominë dhe strukturën e trupit, mjekësia bërthamore mund të tregojë se si funksionon një organ dhe nëse ai është duke funksionuar siç duhet.

Siguria dhe rreziqet

Rrezatimi

Materialet radioaktive të përdorura zakonisht në mjekësinë bërthamore janë të sigurta sepse:

  • Ata eliminohen me shpejtësi nga trupi;
  • Ato e humbasin me shpejtësi radioaktivitetin e tyre, materialet e përdorur kanë perioda të shkurtra të gjysmë zbërthimit (disa orë apo disa ditë).

Përveçse janë të sigurta, testet që përdorin mjekësinë bërthamore janë edhe pa dhimbje.

Pasi i nënshtroheni një testi të mjekësisë bërthamore, ju do të jeni me një radioaktivitet të dobët, kështu që do t’ju kërkohet që të shmangni kontaktin me fëmijët e vegjël për një kohë të shkurtër për të shmangur ekspozimin e tyre ndaj një rrezatimi të panevojshëm. Ju mund të inkurajoheni të pini më shumë lëngje për të ndihmuar shkarkimin e mbeturinave të materialeve radioaktive nga trupi juaj.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji

Në qoftë se jeni shtatzënë ose duke e ushqyer me gji fëmijën tuaj, duhet t’i tregoni mjekut menjëherë. Studimet e mjekësisë bërthamore shpesh shmangen tek gratë shtatzëna.

Po ashtu edhe gratë që ushqejnë me gji duhet të shmangen për një periudhë të shkurtër pas testi-t.

Reaksionet alergjike

Reaksionet alergjike ndaj materialeve radioaktive janë shumë të rralla dhe pothuajse gjithmonë të vegjël.

Skanimet e kockave

Një përdorim i zakonshëm i mjekësisë bërthamore është skanimi i kockave. Ai mund të tregojë fraktura  të cilat mund të mos jenë të dukshme në radiografitë normale. Gjithashtu skanimet e kockave janë të dobishme në zbulimin e artritit, kancerit ose infeksioneve të kockës.

Mpiksjet e gjakut në mushkëri

Skanimi bërthamor mund të përdoret për të zbuluar mpiksjet e gjaku-t në mushkëri (embolizmi pulmonar).

Skanimet e zemrës

Rrjedha e gjaku-t në muskulin e zemrës mund të studiohet nëpërmjet skanimit radioaktiv dhe ai mund të jetë shumë i dobishëm në infarktet e dyshuara të miokardit dhe në diagnostikimin e dhimbjeve të gjoksit siç është angina. Mjekësia bërthamore mund të tregojë edhe se sa mirë e pompon gjaku-n zemra juaj.

Skanimet me tomografinë me emetim të pozitroneve 

Tomografia me emetim të pozitroneve shpesh përdoret për të marrë imazhe të zemrës, trurit apo kancerit në trup. Disa qeliza të kancerit shfaqen si vende të ndritshme sepse ato përdorin më shumë glukozë se sa qelizat normale të shëndetshme. Këto skanime mund të tregojnë aktivitet në disa zona të trurit, duke ndihmuar kështu që të diagnostikohen tumor-et.

Skanimet SPECT

Tomografia e kompjuterizuar me emetim të fotoneve individuale mund të tregojë rrjedhën e gjaku-t për në zemër dhe aktivitetin e trurit. Përdoret për të diagnostikuar demencën, krizat, plagosjet në kokë, arteriet e bllokuara të koronareve dhe çrregullimet në kocka.

Trajtimi me anë të përdorimit të mjekësisë bërthamore

Mjekësia bërthamore përdoret edhe për trajtimin dhe jo vetëm për diagnostikimin e sëmundjeve, veçanërisht në rastet e kancerit. Trajtimi zakonisht përfshin gëlltitjen e lëndëve radioaktive me kapsula ose në formë të lëngshme. Shembuj për sëmundjet ku përdoret kjo formë e trajtimit janë kanceri i tiroideve, gjëndra hiperaktive e tiroideve, disa lloje artriti, disa lloje të limfomave, disa sëmundje gjaku-t, metastazat e kockave, tumor-et karcinoide dhe të gjëndrave adrenale.


Komentoni