Regjistrohu/Kyçu

Sindroma paramenstruale

 

Sindroma paramenstruale përfshin ndryshimet fizike dhe shpirtërore, që janë të lidhura ngushtë me menstruacionet.

Ato zakonisht fillojnë 2 javë para periodave dhe ndalojnë 3 ditë pasi ato kanë filluar.

Sindroma paramenstruale është e zakonshme dhe prek rreth 75% të grave me menstruacione, edhe pse simptomat janë zakonisht të buta. Më pak se 15% e këtyre grave kanë simptoma të rënda dhe kanë nevojë për këshilla mjekësore.

Simptomat paramenstruale përfshijnë ndryshimet e gjendjes shpirtërore (ankth, depresion, irritim dhe agresion), lodhje, vështirësi në përqendrim, dëshirë për ushqim, ndryshim në libido (ndryshim në dëshirën për seks), fryrje (si p.sh. ënjtje të nyjeve të këmbëve ose ndjenjë e rritjes në peshë), ndryshime në lëkurë, dhimbje gjoksi ose ndjeshmëri dhe dhimbje koke.

Kur simptomat e gjendjes shpirtërore përkeqësohen mund të përjetohet një gjendje e rëndë e çrregullimit disforik paramenstrual (ÇDPM).

Kur duhet të kërkohet ndihmë mjekësore?

Duhet të shkoni tek mjeku nëse:

  • Simptomat janë të moderuara deri në të rënda dhe interferojnë në mënyrë të dukshme me stilin normal të jetesës;
  • Përjetoni ndryshime të dukshme të gjendjes shpirtërore, kryesisht kur ndryshimet e gjendjes shpirtërore janë aq të mëdha sa vihen re edhe nga të tjerët (mundet që të jetë ÇDPM);
  • Keni ndjeshmëri në gjoks që është e dhimbshme;
  • Keni fryrje dhe mbajtje fluidesh që është një gjendje e rëndë dhe jo e përshtatshme; dhe
  • Keni gjakrrjedhje ose dalje lëngjesh vaginale jo-normale.

Çfarë mund të bëni?

Mund të reduktoni simptomat paramenstruale duke:

  • Praktikuar teknikat e relaksimit;
  •  Bërë ushtrime aerobike në mënyrë të rregullt;
  •  Ngrënë karbohiodrate;
  • Reduktuar konsumin e kripës; dhe
  • Evituar kafeinën dhe alkoolin.

Mbajtja e një ditari të lidhur me ciklin menstrual, simptomat dhe trajtimet mund të ndihmojë në përcaktimin e ndryshimeve.

Mund të dëshironi që të përdorni suplemente, që janë të disponueshme nga farmacistët, për lehtësimin e tensionit paramenstrual. Disa gra kanë rezultate ndaj përdorimit të vitaminës B6 (piridoksinë) ose edhe ndaj përdorimit të suplementeve të vajit të aguliçeve.

Meqenëse simptomat variojnë, duhet të bëhen përpjekje për të përdorur produkte të ndryshme. Çdo produkt duhet të përdoret për 3–4 muaj, në mënyrë që të mund të përcaktohet efektiviteti.

Mjeku ose farmacisti këshillojnë se cili trajtim është më i miri për ju. Për simptoma të rënda mund të rekomandohet edhe trajtimi me ilaçe me recetë.

Gratë me ÇDPM mund të marrin me recetë inhibitorë serotonine antidepresive si p.sh. fluoksetinë ose sertralinë.


Komentoni