Regjistrohu/Kyçu

Helmimi aksidental

Fëmijët nga natyra janë eksplorues. Jeta e tyre është e mbushur me sensacione të reja për të cilat ata duan që të zbulojnë sa më shumë. Ky kuriozitet normal mundet që ndonjëherë të çojë në rreziqe. Helmimi i paqëllimshëm është një nga këto rreziqe, kryesisht për fëmijët nën moshën 5 vjeçare.

Është e rëndësishme që të kujtoni se fëmijët e vegjël mësojnë gjëra të reja duke i vënë ato në gojë. Ushqimi është burimi kryesor i kënaqësisë. Por nëse ata shikojnë gjëra të gabuara, mund të ndodhin helmime serioze dhe ndoshta fatale.

Edhe pse në shumë raste helmimi nuk sjell vdekje, janë të shumta rastet kur fëmijët dërgohen në spital nga helmimi i paqëllimshëm.

Helmimi mund të ndodhë në çdo kohë dhe në çdo vend, p.sh. në shtëpi, kur vizitoni miqtë, në festa, kur jeni në lëvizje dhe kur miqtë ju vizitojnë.

Helmimi i fëmijëve mund të jetë aksidental, por përsëri ai mund të parandalohet. Edhe pse është e pamundur që fëmija të vëzhgohet 24 orë në ditë, mbrojtja është jetësore kur ata nuk janë nën vëzhgim – qoftë edhe për një sekondë.

Disa gjëra të rrezikshme

Shumë gjëra të përditshme në shtëpi janë të rrezikshme. Midis këtyre gjërave që mund të shkaktojnë dëme serioze tek fëmijët janë ilaçet (përfshirë edhe produktet si paracetamoli, tabletat me hekur, ilaçet plotësuese dhe produktet bimore), vitaminat, alkooli, drogat ilegale, shumë kremra dhe pomada, kozmetika, parfumet, produktet e pastrimit, luftuesit e kacabujve, sprajet e kopshteve, disa bimë, produktet e makinave dhe filtra e cigareve.

Siguria që fëmijët të mos kenë akses tek helmet është mbrojtja më e mirë. Çdokush mund të marrë përgjegjësinë e reduktimit të shanseve të helmimit të një fëmije, si në rastet kur fëmija është në shtëpi, kur shkon në ndonjë shtëpi tjetër ose në vizita të rastit. Parandalimi kërkon vetëm disa minuta dhe në pjesën më të madhe të rasteve nuk kushton.

Çfarë mund të bëni?

  • Kontrolloni për helme të tëra dhomat. Mos harroni dhomën e gjumit dhe atë të ndjenjes.
  • Vendosni të tëra substancat helmuese larg fëmijëve pas përdorimit apo blerjes. Mos i lini ato në karrige e tavolina. Shumica e helmimeve ndodhin në këtë mënyrë.
  • Nëse bie dera ose telefoni, kur jeni duke përdorur një produkt potencialisht të dëmshëm, merreni atë me vete. Mos i ktheni shpinën fëmijës kur pranë ka helme.
  • Vendosini produktet helmuese lart (të paktën 1.5 metra nga dyshemeja), jashtë vështrimit të tyre, përdorni mbyllës rezistues ndaj forcës së fëmijëve në rafte, dollape ku vendosen ilaçet, tualetet, pastruesit e mjediseve të shtëpisë dhe produktet e kopshtit.
  • Përdorni konteinerë rezistentë ndaj forcës së fëmijëve kur blini ilaçe dhe pastrues të shtëpisë.
  • Mbajini helmet në enën e vet origjinale dhe mbajeni atë në një dollap tjetër nga produktet ushqimore. Kurrë mos i mbani helmet në shishe pijesh freskuese ose në kuti të tjera ushqimesh.
  • Gjithmonë lexoni etiketat.
  • Bëni një ndarje të produkteve mjekësore dhe produkteve të tjera. Mos i quani ilaçet “karamele” për të inkurajuar fëmijët që t’i marrin ato.
  • Mbajini ilaçet larg syrit të fëmijëve.
  • Mbani çantat e dorës larg fëmijëve. Mbani në çantën tuaj të dorës vetëm ilaçe sa për një ditë.
  • Hidhni ilaçet dhe helmet e vjetra.
  • Mos harroni se helmimi ndodh kur nuk respektohet rutina shtëpiake, si p.sh. kur ndryshoni shtëpinë, kur shkoni me leje ose kur keni vizitorë.
  • Sigurohuni që bimët në kopshtin e shtëpisë nuk janë helmuese. Mos mbillni bimë të reja helmuese dhe largoni vazot e bimëve ekzistuese në vendet ku fëmijët e vegjël nuk mund t’i arrijnë.


Komentoni