Mund të nevojitet të mendohet sërish për shërbimet e shëndetit mendor të nënave. Një studim sugjeron që depresioni i nënave është më i zakonshëm pasi fëmijët arrijnë moshën 4 vjeç se sa kur ata janë foshnja.
Studiuesit australianë thonë se sistemi aktual për ruajtjen e shëndetit mendor të nënës, ka të ngjarë që nuk merret me më shumë se gjysmën e nënave që përjetojnë depresion në vitet e para të qenies prind.
Studimi ndoqi 1 507 gra të cilat kishin përdorur gjashtë spitale publike në Melburn që nga shtatzënia e hershme e deri në 4 vjet pas lindjes.
Studiuesit po ashtu shqyrtuan faktorët e mundshëm të riskut për simptomat e depresionit, duke përfshirë depresionin e mëparshëm, ndryshimet në marrëdhënie, dhunën në shtëpi dhe problemet sociale. Gjendja shpirtërore e nënave u testua duke përdorur pyetësorët standard të shëndetit mendor në 3, 6, 12 dhe 18 muaj pas lindjes dhe përsëri 4 vjet pas lindjes.
Pas 4 vjetësh, 14.5% e grave raportuan depresion, shifra më e lartë e të gjithë periudhave të testimit.
Gratë me një fëmijë 4 vjeçar, kishin dy herë më shumë të ngjarë që të ishin me depresion se sa gratë me fëmijë të moshave të tjera.
Faktori kryesor i riskut për simptoma të depresionit 4 vjet pas lindjes ishte pasja e një depresioni të mëparshëm në shtatzëninë e hershme ose në 12 muajt e parë pas lindjes.
Më shumë se gjysma e grave që përjetonin simptoma të depresionit në 12 muajt e parë pas lindjes nuk raportuan simptoma deri të paktën 6 muaj pas lindjes.
Pas 4 vjetësh, 40% e grave që raportuan simptoma të depresionit nuk i kishin raportuar më parë simptomat.
Nënat më të reja, të moshës 18-24 vjeç po ashtu kishin më shumë të ngjarë të binin të depresion. Ngjarje stresuese të jetës dhe problemet sociale luanin edhe ato një rol, si edhe të ardhurat e ulëta dhe dhuna në shtëpi.
Studimi u botua në revistën britanike Journal of Obstetrics and Gynaecology. Në një deklaratë, Dr. Hannah Woolhouse, njëra nga autorët e studimit thotë: “Këto rezultate japin një rast imponues për të rikonceptuar kuadrin e politikave aktuale për mbikëqyrjen e shëndetit mendor të nënave”.
“Duket se sistemet aktuale të mbikëqyrjes së shëndetit mendor të nënave në Australi dhe në Mbretërinë e Bashkuar, nuk do të arrijnë të shqyrtojnë pothuaj gjysmën e grave të cilat përjetojnë depresion në vitet e hershme të qenies prind. Në veçanti, gratë të cilat nuk kanë fëmijë të tjerë në vazhdim mund të jenë të cenueshme për rënien në boshllëk sepse nuk do të përfshihen në shërbimet parësore të kujdesit shëndetësor.
Gjithashtu duhet të fokusohemi në shëndetin social dhe marrëdhëniet sepse kemi gjetur një lidhje të fortë midis simptomave të depresionit dhe dhunës nga ana e partnerit”.
Duke reaguar ndaj studimit me anë të një deklarate Janet Fylle, këshilltare profesioniste për politikat në Kolegjin Mbretëror të Mamive thotë: “Nevojiten të bëhen përmirësime në zbulimin e problemeve të shëndetit mendor në shtatzëni dhe në trajtim e kujdes më pas. Studimi nënvizon që shërbimet shëndetësore nuk kanë sukses me gratë e prekura në mënyrë të përsëritur nga probleme të shëndetit mendor dhe kjo çon në vuajtje dhe ankth për gratë dhe familjet e tyre”.
Komentoni