Regjistrohu/Kyçu

Depresioni postnatal: Kujdesi i partnerit për të

Të paturit e një fëmije nënkupton një periudhë të bukur, por përshtatja me një fëmijë në familje mund të jetë shumë stresuese dhe e vështirë për prindërit.  Kur një nënë e re është duke përjetuar depresionin postnatal, kjo periudhë mund të jetë konfuze dhe shqetësuese për të, partnerin e saj dhe pjesëtarët e familjes. Ky artikull synon të sigurojë strategji dhe mbështetje për partnerin, familjen dhe miqtë e dikujt me depresionin postnatal.

Çfarë nënkupton për ju PND-ja?

Jini të vetëdijshëm se shumë nga streset dhe problemet që ju përjetoni gjatë periudhës së depresionit postnatal mund të mos jenë një tregues i marrëdhënies tuaj, por janë pasoja të sëmundjes. Partnerja juaj mund të thotë ose të ndjejë gjëra që në të vërtetë nuk i mendon, por janë simptomat e sëmundjes dhe mënyra sesi ndihen në atë kohë. Mundohuni të mos i merrni këto gjëra personale dhe përpiquni të kuptoni se është depresioni postnatal ai që po flet.

Ju mund të ndiheni shumë të shqetësuar ose të merakosur rreth mirëqenies së partneres tuaj ose aftësisë së saj për t’u kujdesur për foshnjën ose ndonjë fëmije tjetër që ju mund të keni. Kjo eksperiencë mund të jetë e para që mund të keni patur në lidhje me sëmundjen mendore, dhe mund të mos keni dëgjuar kurrë përpara në lidhje me depresionin postnatal. Mund ta keni shumë të vështirë që ta lini partneren dhe të shkoni në punë, dhe ju mund të përjetoni marrjen e saj në telefon shumë shpesh, duke ju kërkuar që të ktheheni në shtëpi.

Një grua me depresionin postnatal mund të humbë interesin në kryerjen e marrëdhënieve me partnerin. Përpiquni të mos ta merrni shume personalisht këtë fakt. Ajo mund të ndihet e papërshtatshme ose e pa vetëdijshme rreth trupit të saj ose aftësisë së saj për të qenë plotësisht e përfshirë në këtë aspekt intim të marrëdhënies. Faktorët e tjerë siç janë shërimi nga shtatzënia ose lindja, efekti i ilaçeve dhe frika e shtatzënisë së mëvonshme mund të jenë gjithashtu çështje ndikuese.

Mënyrat e të ndihmuarit të partneres tuaj

Ndonjëherë mund të jetë shumë e vështirë për të ditur sesi të ndihmoni partneren, dhe mund të ndjeni se çfarëdolloj gjëje që ju mund të bëni ose thoni nuk e ndihmon atë që të ndihet më mirë. Mund të keni ndjesinë e të provuarit të shumë gjërave por asnjëra prej tyre mund të mos ketë funksionuar. Vazhdoni të provoni pasi mund të funksionojë. Ndërkohë që është e natyrshme që ju të keni ndjesinë se jeni të gatshëm për të ndihmuar e për të rregulluar stresin e partneres tuaj, pasi ajo mund të ketë nevojë për më shumë trajtime dhe suport në krahasim me atë që ju mund t’i jepni. Mundojuni që të fokusoheni në sigurimin e mbështetjes praktike dhe suportit emocional dhe sigurojeni që ajo t’i marrë të gjitha këto shërbime ekstra.

Më poshtë janë disa nga gjërat që duhet të bëni për të ndihmuar në mbështetjen e partneres dhe vetes tuaj:

Ofrimi i mbështetjes tuaj për trajtimin e saj

  • Sigurojuni që partnerja juaj ka kërkuar vlerësimin e duhur mjekësor dhe monitorimin e vazhdueshëm. Nëse është e mundur, mundojuni të shkoni me të në takimet mjekësore dhe të jeni aktivisht të përfshirë në trajtimet e saj (në pjesën me të madhe të rasteve). Gjithashtu, partnerja juaj do të përfitojë nga burimet e tjera mbështetëse të tilla si këshillimet, grupet e suportit ose përfshirja e familjarëve dhe miqve. Në fund të fundit, vendimet në lidhje me kujdesin e saj do të jenë të saj por ju mund të diskutoni së bashku mundësitë dhe këshillat e trajtimit me profesionistë të kujdesit shëndetësor, dhe të vendosni për kursin më të mirë të trajtimit.
  • Mos kini frikë të kërkoni informacion të saktë në lidhje me depresionin postnatal dhe trajtimin e tij nga mjeku ose punonjësi shëndetësor. Marrja e informacionit në lidhje me depresionin postnatal është me rëndësi, në mënyrë që të mund të kuptoni disa nga simptomat e sëmundjes dhe të jeni të vetëdijshëm për atë që mund të jetë mënyra më mbështetëse për të ndihmuar partnerin tuaj dhe veten. Mund të ketë raste ku do të vini në dyshim rëndësinë e sëmundjes, por të jeni të sigurt se depresioni postnatal dhe simptomat e tij janë shumë reale për partneren tuaj dhe me trajtimin e duhur mund të zgjidhen.
  • Marrja e ilaçeve mund të paraqesë një çështje shqetësuese për shumë njerëz. Mund të dëshironi të mësoni në lidhje me ilaçet dhe sesi ato duhet të merren nga farmacisti juaj, mjeku apo linjat e informacionit të ilaçeve. Përpiquni që të jeni mbështetës nëse mjekimi është i nevojshëm dhe të inkurajoni atë për ta marrë ashtu siç është përshkruar – kjo është shumë e rëndësishme për shërimin e saj.
  • Nëse është sugjeruar që partnerja juaj (nëna dhe fëmija) duhet të shtrohen në spital, kjo si fillim mund të duket shumë e frikshme. Sigurojuni që ajo të marrë trajtimin e duhur e të nevojshëm për shërimin e saj. Të paturit e fëmijës me vete nënkupton që raporti nënë – fëmijë nuk ndërpritet dhe mund të përmirësohet nga një qëndrim në spital. Bëni të pamundurën për ta takuar shpesh në mënyrë që të ruani kontaktin me partneren dhe fëmijën. Të shkuarit në shtëpi dhe të gjeturit e shtëpisë bosh, në të cilën prisnit që të gjenit fëmijën dhe bashkeshorten, mund të jetë e trishtueshme. Mund t’a përdorni këtë kohë për të pushuar ose ndoshta për të kaluar më shumë kohë me fëmijën tjetër (nëse kjo nuk ishte fëmija juaj i parë) ose me familjen dhe miqtë.

Ofrimi i mbështetjes emocionale

  • Mos u mërzisni nëse ndiheni sikur nuk dini se çfarë të thoni. Është një kohë e vështirë për të dy ju dhe do të mësoni më të mirën sesi ta përballoni këtë së bashku. Mundohuni që të jeni i durueshëm dhe i sigurt, sesa të përgjigjeni me këshilla, pasi partnerja juaj mund të keqkuptojë se çfarë jeni duke thënë ose mund të ndihet e paaftë.
  • Përpiquni që të përjetoni përvojat e saj ose brengosjet dhe të kuptoni se ato janë shumë të vërteta për të, edhe nëse ju mendoni që shqetësimet e saj nuk janë aq realiste.
  • Kurajoni atë që të shprehë ndjenjat e saj dhe të mos i fshehë ato. Përgatituni që ta dëgjoni atë ndërsa flet edhe nëse ju ndjeni se po dëgjoni të njëjtat gjëra. Mundojuni të kujtoni se ajo nuk ka nevojë që ju të fiksoni gjëra ose t’i ofroni asaj një zgjidhje, por vetëm ta dëgjoni dhe ajo të kuptojë që ju po e dëgjoni.
  • Mundojuni që të mos jeni dekurajues nëse ajo duket e tërhequr ose nëse ju nuk merrni një përgjigje nga ajo. Do të vijë koha që ajo do të jetë e gatshme që të përgjigjet dhe të shprehë mirënjohje për mbështetjen.
  • Kurajoni dhe mbështesni arritjet e saj, edhe gjërat më të vogla. Të diturit që ju jeni mirë më çfarëdolloj gjëje që ajo mund të menaxhojë dhe se ju do të jeni me të në çdo rast, mund të jetë shumë mbështetëse.
  • Përpiquni që të mos i thoni asaj që ajo është përtace nëse punët e shtëpisë nuk janë bërë dhe ajo është duke pushuar. Ajo mund të ndihet e lodhur dhe kjo është një simptom e zakonshme e depresionit postnatal. Pushimi është shumë i rëndësishëm dhe gjërat e tjera mund të presin.
  • Gjatë gjithë kohës siguroni lidhjen e saj me fëmijën. Mund të ketë periudha kur ajo lufton për të marrë përsipër kujdesin e fëmijës dhe ju ose të tjerët kujdeseni për të, por gjithmonë sigurojeni atë që ajo është mamaja e fëmijës, dhe se do të vijë një ditë kur ajo do të mund të kujdeset vetëm vetë për fëmijën e saj.
  • Përpiquni të shmangni marrjen e vendimeve të mëdha, nëse është e mundur të prisni derisa ajo të rimëkëmbet.
  • Do t’ju thuhet se depresioni postnatal është i përkohshëm, por ajo mund të ndjejë sikur nuk do të mund të largohet kurrë (e cila është simptom e sëmundjes). Duhet të siguroni partneren duke i thënë diçka si “unë e kuptoj që ju ndiheni keq tani, por mjeku beson se ju do të ktheheni tek ajo që ishit shumë shpejt”, në vend që të thoni “Mos u shqetësoni , do të kalojë”.
  • Gjithmonë përpiquni të siguroni atë që do të qëndroni pranë saj, pasi ajo mund të shqetësohet që  ju mund të mërziteni me të, sëmundjen e saj dhe ta lini.
  • Mundojuni të siguroni partneren tuaj që jeni mirë edhe nëse ajo nuk është e interesuar për seks për momentin. Prekja dhe ledhatimet mund të jenë më të përshtatshme në këtë moment sesa seksi. Është e rëndësishme që ju të dy të komunikoni sesi doni të ndiheni dhe sesi ju ndiheni. Nëse seksi është akoma një problem, ndoshta është mirë që të flisni me mjekun tuaj.

Ofrimi i mbështetjes praktike

  • Ndihmoni me punët e shtëpisë dhe me kujdesin e fëmijës sa më shumë që të mundeni. Kjo mund të jetë e vështirë nëse ju punoni me orë të zgjatura, por ajo mund të përfitojë nga çdo përfshirje që ju mund t’i jepni asaj. P.sh. identifikoni një detyrë që ju mund ta bëni pjesë të rutinës tuaj, siç është larja e foshnjës.
  • Nëse pjesëtarët e familjes ofrohen për t’ju ndihmuar, pranojeni ofertën. Nuk ka asgjë të keqe në të lejuarit e të tjerëve që t’ju ndihmojnë me gjëra të tilla si punët e shtëpisë ose pazari.
  • Ofrojuni që të gatuani darkë ose që të shkoni për të marrë ushqim.

Problemet që mund të lindin për ju

  • Mund të ndiheni më të lodhur ose të rraskapitur nëse gjumi juaj është ndërprerë dhe jeni të shqetësuar rreth mirëqenies së partnerit tuaj.
  • Mund të ndiheni në ankth ose konfuz në atë se çfarë është duke i ndodhur partnerit dhe nëse ajo ose foshnja janë në rregull. Mund të provoni një ndjenjë humbjeje që gruaja që ju njihnit nuk është më dhe nuk dini sesi ta ndihmoni që ajo të rikthehet.
  • Mund të ndjeni nevojat elementare të jetës së shtëpisë dhe përgjegjësitë shtesë të të kujdesurit ndaj fëmijës të cilat janë të tepërta për kohën tuaj dhe ngarkesën në punë. Mund të ndiheni të shqetësuar në lidhje me financat e familjes tuaj, veçanërisht nëse duheni më shumë në shtëpi.
  • Mundojuni të shmangni tërheqjen e partnerit tuaj dhe orët e gjata në punë. Menaxhimi i stresit dhe shqetësimit tuaj me rritjen e përdorimit të drogave dhe alkoolit ka të ngjarë që të shkaktojë probleme të tjera.
  • Mund të përjetoni një humbje të kontakteve sociale dhe të ndiheni të pa mbështetur, pasi nevoja që të qëndroni në shtëpi dhe me familjarët e tjerë rritet.
  • Ekziston një rrezik depresioni tek meshkujt pas lindjes së fëmijës; vlerësimet janë në rreth 10%, veçanërisht nëse keni përjetuar depresionin më parë. Të paturit e një partneri me depreison dhe stresi i tepërt, si dhe përgjegjësitë me të cilat ju përballeni mund t’ju vendosin nën një stres. Sigurohuni që të kujdeseni për veten dhe të krijoni grupin tuaj mbështetës.

Ofrimi i mbështetjes për veten

  • Mos harroni që ju keni nevojë për vëmendje të veçantë në këtë kohë. Sigurohuni që të keni dikë që të mund të flisni në lidhje me shqetësimet tuaja dhe frustrimet, siç është një pjesëtar familje i besuar, miqtë ose doktori.
  • Jepini vetes tuaj një plus ndaj asaj që jeni duke bërë. Është në rregull që të ndiheni të zhgënjyer apo të frustruar rreth situatës pa u ndjerë fajtor. Është natyrale që të ndiheni në këtë mënyrë pasi gjërat nuk po ndodhin në mënyrën që kishit parashikuar, gjithsesi mos i lejoni këto ndjenja që të marrin më të mirën tuaj duke shkaktuar mërzitje dhe pakënaqësi.
  • Mundojuni që të mos ndiheni që keni bërë çdo gjë vetë. Nëse keni nevojë për një pushim, merrni një mik ose një pjesëtar familje që të qëndrojë me partnerin dhe fëmijën tuaj nëse është e nevojshme. Sigurojuni që të merrni ndihmën si familje – pasi PND-ja ndikon tek ju si familje dhe duhet të merrni ndihmë në mënyrë që të përfitoni të gjithë.
  • Mos i vini fajin vetes, PND-ja nuk është faji juaj.
  • Merrni shumë pushim. Nëse zgjoheni shpesh gjatë natës për të plotësuar kërkesat e fëmijës ose pagjumësia e partnerit është shqetësuese, do t’ju duhet që të pushoni dhe të flini.
  • Kujtoni se kjo është e përkohshme dhe se partneri juaj do të shërohet me ndihmën e nevojshme.

Shenja të rrezikshme ndaj të cilave duhet të kujdeseni

Gjithmonë besojini instiktit tuaj. Nëse shqetësoheni më shumë rreth mirëqenies së partnerit tuaj ose fëmijës, ose ka ndonjë përkeqësim në PND-në e saj, kjo do të thotë se duhet të kontaktoni doktorin ose shërbimet mbështetëse për t’i vënë ato në dijeni ose të kërkoni këshilla. P.sh. partneri juaj mund të shfaqë një ndër shenjat dhe simptomat e mëposhtme:

  • Flet rreth të dëmtuarit të vetes osë fëmijës;
  • Ka mendime të çuditshme ose strukturë fjalish të pakuptueshme;
  • Sjellje që duket e çuditshme ose që është jashtë karakterit;
  • Ndryshime të mëdha në sjellje;
  • Tërheqje nga të gjitha kontaktet sociale;
  • Dëshpërim ekstrem;
  • Obsesion me ide të frikshme, ose deklarata si “ju do të jeni më mirë pa mua”.

Kur partneri juaj ka psikozën Postpartum

Kjo është një sëmundje shumë e rrallë dhe e vështirë për ju dhe partnerin tuaj.

Komunikimi me partnerin tuaj do të preket në qoftë se mendimet e saj janë konfuze, në qoftë se ajo është duke thënë gjëra që nuk kanë kuptim, ose në qoftë se ajo është duke përjetuar të menduarit deluzional ose halucinacione. Nëse kjo ndodh, kjo mund të jetë një ide e mirë për të kërkuar këshillim për veten dhe do të jeni shumë të prekur dhe do të keni shumë pyetje. Mundojuni të gjeni një profesionist shëndetësor të besuar.  Disa nga gjërat që partneri juaj thotë mund të duken mjaft shqetësuese ose të papërshtatshme, por përpiquni të mbani mend se kjo është sëmundja për të cilën është folur. Me trajtimin e duhur dhe mbështetjen, shkalla e shërimit të plotë është e lartë dhe një ditë do të keni përsëri gruan që njihnit.

Për të ardhmen

Nëse jeni duke planifikuar shtatzëninë e ardhshme, sigurohuni që të konsultoheni me profesionistët e shëndetit për udhëzim mjekësor, pasi ka një rrezik të lartë PND-je në shtatzëninë tjetër, sidomos nëse gratë e kanë përjetuar atë më parë. Shumica e praktikuesve mjekësor rekomandojnë që një grua duhet të vazhdojë ilaçet për të paktën një vit përpara se të konceptojë përsëri.

PND-ja është shumë e trajtueshme dhe ka një shkallë të lartë shërimi. Gjithashtu shërimi ndonjëherë mund të marrë shumë muaj, por nëse i kaloni vështirësitë me lehtësi, do të shpërbleheni me familjen që prisnit.

 


Komentoni