Regjistrohu/Kyçu

Gjashtë këshilla për prindërit që rrisin fëmijë me shpërqendrim dhe hiperaktivitet

Kur një çift mësoi se fëmija i tyre pesë vjeçar ishte i shpërqendruar dhe hiperaktiv, nuk deshën ta besonin këtë. Kur fëmija ishte në shkollë, “ai qe i potershëm, nuk mundej të qëndronte në një vend, vinte vërdallë duke ndihmuar këdo”. Por për prindërit e tij këto ishin shenja të shkëlqimit dhe kuriozitetit, dhe jo simptoma të mungesës së vëmendjes, impulsivitetit dhe hiperaktivitetit.

Ekspertët u thanë atyre, “Ju nuk e kuptoni, por këto nuk janë të zakonshme për një fëmijë 5 vjeçar”.

Pasi ua shpjeguan çrregullimin, çiftit iu desh një kohë e gjatë për ta pranuar. Si rezultat i kësaj sëmundje, prindërit shpesh përballen me zënka, shpërthime të zemërimit, me vetëvlerësim të ulët dhe me probleme në shkollë. Fëmijët shpesh mbërthehen nga problemet në shkollë, harresa dhe mungesa e organizimit. Sëmundja i bën ata shpesh të jetojnë vetëm të tashmen. Por në qoftë se ju nuk mësoni nga e kaluara, nuk mund të keni vizion për të ardhmen. Gjithashtu e gjithë kjo ka edhe momente të mira, siç mund të jenë përmirësimi i notave të fëmijës në shkollë.

Nga shkëmbimi i mendimeve të prindërve që kanë fëmijë me këtë sëmundje si edhe i mjekëve pediater duhen pasur parasysh këto gjëra:

1. Jini të ndershëm me fëmijën tuaj të sëmurë

Asnjëherë mos mendoni ta mbani të fshehur këtë gjë nga fëmija. I tregoni atij saktësisht se çfarë ndodh me të. Fëmija nuk ka asnjë faj që është i sëmurë. Kjo sëmundje shkaktohet nga një çrregullim në tru, e cila bën që ai të ketë probleme me përqendrimin, aftësinë për të kryer detyrat ose planifikimin e të ardhmes. Është shumë e rëndësishme që të jemi të ndershëm me fëmijën tonë. Ai me të vërtetë ka nevojë të kuptojë se kjo gjë është vetëm njëra pjesë e tij, të cilën ai duhet të mësohet ta kontrollojë.

2. Mos i shndërroni problemet e lidhura me këtë sëmundje në probleme të karakterit

Fëmijët me këtë sëmundje mundet që të mos performojnë njëlloj me shokët e tyre që nuk kanë probleme me përqendrimin dhe fokusimin. Nuk duhet pritur konsekuencë nga një fëmijë i tillë. Në ditë të ndryshme në shkollë ai mund të marrë nota të ndryshme. Kur notat janë të mira, fëmijës i duhet thënë: “Sot ke dalë shumë mirë, përse dje jo?” Shpesh këta fëmijë janë të shkëlqyer, ata e dinë si ta bëjnë një gjë, por thjesht nuk dinë nga t’ia fillojnë dhe kjo bën që ata shpesh të keqkuptohen nga të tjerët.

3. Mos lejoni që sëmundja të bëhet justifikim

Po, sëmundja i bën shumë detyra më të vështira, por fëmija duhet të mbajë përgjegjësi, ai nuk duhet lejuar që të justifikohet me të. Ai duhet ta pranojë sëmundjen dhe të mësohet ta kapërcejë vështirësinë që i krijon ajo dhe jo të shfajësohet me të.

4. Impononi rregulla dhe bëni të pranohen pasojat, por qetësisht  

Për një fëmijë me mungesë përqendrimi, është një ndihmë që të regjistrohen pritshmëri me shkrim dhe me gojë. P.sh. prindërit mund të ekspozojnë një grafik që rendit përgjegjësitë e fëmijës dhe rregullat e shtëpisë. Shpërblimet janë një gjë e mirë, por bëjini ato të menjëhershme. Meqenëse këta fëmijë kanë probleme me planifikimin për të ardhmen, mund të mos funksionojë t’i ofrohet një biçikletë e re për vlerën e një viti notash të mira në mësime.

Prindërit duhet të jenë të qartë lidhur me pasojat dhe duhet t’ju imponohen atyre menjëherë, me qetësi dhe qartësisht. Ndërkohë që prindërit mund të ndihen të zhgënjyer, ata duhet ta shmangin ndëshkimin e fëmijës në valën e pakënaqësisë ose të zemërimit. Kjo mund të jetë e vështirë në familje ku edhe njëri nga prindërit ka të njëjtën sëmundje. Këta prindër edhe mund të bërtasin sepse kanë probleme me të qenit impulsivë. Prindërit duhet të realizojnë mbajtjen e vetes së tyre nën kontroll, në mënyrë që të mund të modelojnë sjellje të përshtatshme.

5. Ndihmojeni fëmijën tuaj të zbulojë anët e tij të forta

Fëmijët me këtë sëmundje shpesh krahasohen në mënyrë jo të favorshme me të tjerët. Që këtej rrjedh se disa zhvillojnë një vetëvlerësim të ulët dhe depresion. Problemet me vetëvlerësimin shfaqen herët, qysh në moshën 8 vjeçare. Tek shumë fëmijë, veçanërisht të pa diagnostikuar, zhvillohet një pafuqi për të mësuar.

Duhet punuar që të gjenden “ishujt e kompetencës”. Atij i duhet thënë “shiko ti ke pika të dobëta, por ke edhe pika të forta”. Kur fëmija interesohet për diçka, atëherë ai mund të zotërojë edhe gjëra që janë shumë mbi nivelin e moshatarëve të tij. Pra ai duhet të jetë i bindur që nuk ka vetëm gjëra negative. Në këtë rast duhet bërë një krahasim pozitiv, atij i duhet thënë që pak vetë në moshën e tij mund t’i zotërojnë ato gjëra që ai zotëron. Pritshmëri të lartë në fushat e duhura, kjo është shumë e rëndësishme.

6. Mos e mbroni me të tepërt fëmijën tuaj

Kur fëmijët me këtë sëmundje rriten, ata duhet të mësohen me pavarësinë. Kjo do të thotë që ata duhen lënë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre, në vend që prindërit të ndërhyjnë për t’u zgjidhur çdo problem. Ky është një mësim që duhet mësuar kur ju keni adoleshentë. Në qoftë se gjithmonë do t’u jepni ju zgjidhjet, asnjëherë nuk do t’i mësoni se si t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.


Komentoni