Regjistrohu/Kyçu

Sëmundja e zemrës: Reduktoni rrezikun

Sëmundja e zemrës, shumë rrallë rezulton vetëm nga një shkak. Ajo më shpesh vjen si pasojë e akumulimit të shumë faktorëve të rrezikut. Është e rëndësishme që t’i dini këto faktorë dhe të punoni për t’i shmangur ose përmirësuar ato.

Një vlerësim për rrezikun e sëmundjes së zemrës bëhet më së miri nga mjeku, i cili mund t’ju këshillojë për mënyrat e reduktimit të faktorëve të rrezikut.

Mënyrat për të reduktuar rrezikun e sëmundjes së zemrës

  • Mbani të ulët nivelin e kolesterolit dhe triglicerideve;
  • Mbani një peshë të shëndetshme;
  • Nëse keni diabet, sigurohuni që ta kontrolloni atë;
  • Kontrolloni rregullisht presionin e gjaku-t;
  • Bëhuni fizikisht aktiv; dhe
  • Mos pini duhan.

Mbajtja e kolesterolit në gjak dhe triglicerideve në nivel të ulët

Niveli i kolesterolit në gjak dhe triglicerideve maten si rezultat i një vlerësimi të përgjithshëm për rrezikun e sëmundjes së zemrës. Ato mund të maten nga një test i thjeshtë gjaku.

Për të ndihmuar në mbajtjen e ulët të kolesterolit, mbani mend pikat e mëposhtme:

  • Hani sa më pak yndyra;
  • Mbani një peshë të shëndetshme trupore; dhe
  • Bëhuni aktiv.

Si mund të konsumoj sa më pak yndyra?

  • Përdorni sasi të vogla gjalpi;
  • Shmangni yndyrat nga mishi;
  • Hiqni lëkurën e pulës;
  • Përdorni mish të pjekur në vend të mishit të skuqur;
  • Hani djathë me përmbajtje të ulët yndyre;
  • Përdorni qumësht me sasi të vogël yndyre;
  • Shmangni ushqimet e shpejta dhe të skuqura; dhe
  • Reduktoni sasinë e konsumimit të kekut, biskotave dhe çokollatave.

Si mund të mbaj një peshë të shëndetshme?

  • Shmangni ushqimet që janë të pasura me yndyra; hiqni lëkurën e pulës dhe hani peshk rregullisht;
  • Hani porcione të vogla;
  • Reduktoni sheqerin dhe marrjen e alkoolit;
  • Qëndroni fizikisht aktiv: zgjidhni aktivitete që ju pëlqejnë;
  • Nëse jeni mbipeshë, keni nevojë që të humbni peshë. Por është e rëndësishme që ta bëni atë ngadalë dhe siç duhet. Shmangni dietat që premtojnë një rënie të shpejtë të peshës. Kërkoni këshilla nga mjeku ose dietologu.

Rregullat e përgjithshme për një ngrënie të shëndetshme

  • Bëjini zarzavatet një pjesë të rëndësishme të ushqimit tuaj dhe hajini ato çdo ditë;
  • Zgjidhni një bukë të pasur me drithëra në vend të një buke të bardhë;
  • Hani më shumë drithëra dhe bishtajore;
  • Përdorni vetëm sasi të vogla;
  • Përdorni produktet bulmetore që kanë sa më pak yndyra;
  • Mundojuni që të hani peshk të paktën dy herë në javë, por sigurojuni që të mos jetë i skuqur;
  • Shmangni yndyrat dhe ëmbëlsirat;
  • Përdorni sa më pak gjalp;
  • Përdorni ushqime të pjekura dhe të ziera;
  • Reduktoni sasinë e kripës;
  • Pini sa më shumë ujë.

Pse ka rëndësi kontrolli i diabetit?

Njerëzit me diabet kanë një shans më të madh të zhvillimit të sëmundjes së zemrës sesa njerëzit që nuk kanë diabet. Diabeti mund të prekë enët që furnizojnë zemrën me gjak. Puna me mjekun tuaj për organizimin e një plani për të kontrolluar diabetin është hapi i parë për ruajtjen e zemrës.

Shumë ndryshime të jetesës ndihmojnë në mbajtjen e një zemre të shëndetshme (siç janë dieta dhe të ushtruarit e rregullt) dhe janë të rëndësishme në kontrollimin e diabetit. Ndonjëherë mjekimet janë të nevojshme.

Pse duhet të jem fizikisht aktiv?

Njerëzit aktivë kanë më pak shanse për atakun e zemrës dhe kanë një mundësi më të mirë shërimi, krahasuar me njerëzit joaktivë. Ata gjithashtu:

  • Ndihen mirë, janë më pak të lodhur, më shumë të relaksuar dhe janë më në gjendje për të përballuar stresin;
  • Kanë një funksion më të mirë të zemrës dhe një presion më të ulët të gjaku-t;
  • Mund të kontrollojnë peshën e tyre dhe të reduktojnë nivelet e kolesterolit në gjak.

Kini si qëllim që të ushtroheni të paktën 30 minuta çdo ditë, jo vetëm duke frekuentuar palestrën por edhe nëpërmjet ecjes, notit, etj.

Pse është i rëndësishëm presioni i gjakut?

Presioni i lartë i gjakut mund të dobësojë zemrën. Ai gjithashtu dëmton enët e gjakut. Nëse ato bllokohen atëherë do të përjetohet ataku i zemrës. Kontrolloni rregullisht presionin e gjakut, veçanërisht kur jeni të moshuar ose jeni duke marrë ilaçe (përfshirë këtu edhe pilulat kontraceptive), nëse jeni mbipeshë, keni diabet ose keni një histori familjare të sëmundjes së zemrës.

Si ndikon duhani në zemrën time?

Nëse pini duhan, shanset tuaja për atak të zemrës janë 2 deri në 3 herë më të mëdha sesa jo duhanpirësit dhe jeni më shumë në rrezik ndaj atakeve të tjera dhe shumë sëmundjeve të tjera.  Duhani gjithashtu prek shëndetin e njerëzve përreth jush. Nëse ndaloni pirjen e duhanit, të gjitha rreziqet e përmendura më sipër reduktohen.

A ja vlen për ta ndaluar duhanin?

PO. Gjithmonë. Pavarësisht moshës që keni. Nëse lini duhanin, rreziqet e përmendura më sipër do të reduktohen.

Si mundem unë ta lë?

  • Vendosni një ditë dhe datë se kur do të lini cigaren;
  • Bëni diçka ndryshe në kohën që zakonisht pinit duhan;
  • Kërkoni mbështjen e miqve tuaj;
  • Shmangni duhanpirësit dhe vendet ku pihen duhan;
  • Bëhuni fizikisht më aktiv;
  • Filloni të përdorni çamçakëzin;
  • Premtojini vetes që do ta trajtoni me lekët që po kurseni; dhe
  • Flisni me mjekun ose farmacistin rreth mundësisë së zëvendësimit të nikotinës.

Cila është lidhja e zemrës me stresin?

Lidhja kryesore ndërmjet stresit dhe sëmundjes së zemrës është e paqartë. Megjithatë, për shëndetin tonë të përgjithshëm dhe mirëqenien, është e këshillueshme për të kuptuar se çfarë gjërash e stresojnë një të rritur dhe se cilat janë mënyrat për ta përballuar atë.

Më poshtë do të gjeni disa mënyra ndihmuese për reduktimin e stresit

  • Identifikoni shkakun;
  • Bëhuni fizikisht më aktiv;
  • Pushoni fizikisht dhe mentalisht;
  • Mbani një ngrënie të shëndetshme;
  • Vendosni modele të rregullta të gjumit.


Komentoni