Regjistrohu/Kyçu

Tensioni i lartë i gjakut dhe sëmundjet e veshkave

Tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni) është shkaktari kryesor i sëmundjeve të veshkave dhe dështimit të tyre (faza fundore e sëmundjes renale). Hipertensioni mund të shkaktojë dëmtimin e enëve të gjakut dhe filtrave në veshka, duke e bërë largimin e mbeturinave nga trupi të vështirë. Pasi një person është diagnostikuar me sëmundje renale në fazën fundore , dializa – një proces i pastrimit të gjakut – ose një transplant veshkash janë të domosdoshme. Ekzistojnë disa simptoma te cilat tregojnë qartë ekzistencen apo jo të këtyre sëmundjeve të veshkave. Disa prej tyre do të paraqiten më poshtë.

Simptomat e sëmundjes së veshkave janë :

  • Tensioni i lartë në përkeqësim e sipër i gjakut;
  • Ulja e sasisë së urinës ose vështirësi në urinim;
  • Edema (bllokim i lëngjeve), sidomos në gjymtyrët e poshtme;
  • Një nevojë për të urinuar më shpesh, sidomos gjatë natës.

Siç ndodh me tensionin e lartë, ju mund të mos e kuptoni se keni sëmundje të veshkave. Disa teste laboratorike mund të tregojnë nëse veshkat i kanë larguar mbeturinat si duhet. Këto teste përfshijnë kreatininën në gjak (serum kreatinin) dhe nivelet e ureas së azotit në gjak. Nivelet e larta të njërës apo tjetrës, mund të tregojnë se ka dëmtime të veshkave. Proteinuria, proteinat e tepërta në urinë, është gjithashtu një shenjë e sëmundjeve të veshkave.

Sëmundjet e veshkave të shkaktuara nga tensioni i lartë i gjakut prekin çdo grup dhe racë. Megjithatë, disa grupe janë në rrezik më të lartë, duke përfshirë:

  • Afro-amerikanët;
  • Hispaniko-amerikanët;
  • Amerikanët autoktonë;
  • Banorën vendas të Alaskës;
  • Njerëzit të cilët kanë diabet;
  • Njerëzit me një histori familjare të hipertensionit dhe sëmundjeve të veshkave.

Si mund t’i parandalojmë sëmundjet e veshkave?

Për të parandaluar dëmtimin e veshkave nga tensioni i lartë:

  • Mundohuni të mbani tensionin e gjakut nën kontroll;
  • Sigurohuni që ta masni tensionin e gjakut në mënyrë të rregullt;
  • Ushqehuni në bazë të një diete të përshtatshme;
  • Bëni stërvitje të moderuar, si ecje 30 minuta në ditë;
  • Merrni medikamentet që ju thotë mjeku.

Si trajtohen sëmundjet e veshkave?

Për pacientët që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut dhe sëmundjet e veshkave, trajtimi më i rëndësishëm është mbajtja nën kontroll e tensionit të gjakut, përmes ndryshimeve në stilin e jetesës. Frenuesit e enzimave angiotenzinë-konvertuese dhe bllokuesit e receptorëve angiotenzinë II (ARB – këto janë medikamente farmaceutike) mund të ulin tensionin e gjakut dhe të mbrojnë veshkat nga dëmtimi i mëtejshëm.


Komentoni