Regjistrohu/Kyçu

Bronkiolitet

Bronkiolitet janë infeksione virale që shfaqen në vjeshtë dhe në dimër. Më shumë preken bebet nën një vjeç.

Simptomat e bronkioliteve

Simptomat e zakonshme janë si ato të të ftohurës, me hundë të bllokuara dhe me rrufë, kollë dhe në më shumë se gjysmën e rasteve edhe temperaturë jo shumë të lartë.

Në rastin e bronkioliteve viruset shkaktojnë ënjtje të mureve të bronkioliteve–rrugë të vogla të frymëmarrjes që lidhin tubat kryesorë të frymëmarrjes (bronket) me mushkëritë. Kjo ngushton rrugët e ajrit. Ajri mbetet në mushkëri dhe si rezultat frymëmarrja e fëmijës tenton të bëhet më e shpeshtë. Në disa raste dëgjohet edhe zhurmë në mushkëri kur ajri del jashtë.

Sa zgjat kjo gjendje?

Shumë fëmijë me bronkiolite virale e marrin veten tërësisht pas 7-10 ditëve. Megjithatë, pak prej tyre mund të kenë simptoma (më shpesh kollë) që zgjat për 3-4 javë.

Nëse fëmija është prematur ose ka sistem të dobët imun ose probleme të tjera serioze, si problem zemre dhe mushkërish, atëhere bronkiolitet janë më të shpeshta.

Trajtimi i bronkioliteve

Meqenëse bronkioliti është një infeksion virusal, antibiotikët nuk ndihmojnë (Antibiotikët janë efektivë vetëm në trajtimin e infeksioneve të shkaktuara nga bakteret.) Në mënyrë të ngjashme, ilaçet si salbutamol(Ventolin), steroide dhe antihistamina zakonisht nuk janë efektive.

Nëse fëmija ka ethe, kjo mund të trajtohet me paracetamol.

Çfarë mund të bëhet tjetër?

Fëmijët me bronkiolite kanë nevojë për shumë lëngje. Shpesh vështirësitë në frymëmarrje shoqërohen me vështirësi të ushqyerjes së fëmijëve, kryesisht për fëmijët që janë më të vegjël se 6 muajsh. Për të plotësuar nevojat për lëngje, është mirë që fëmijëve t’u jepen sasi të vogla dhe shpesh, që tolerohen më mirë nga ana e tyre.

Është e rëndësishme që fëmija me këto kushte të mos dehidratohet. Kjo mund të kontrollohet duke monitoruar numrin e vakteve që i jepen fëmijës dhe numrin e pelenave të lagura.

Të tjera gjëra që mund të bëni për fëmijën në këto raste është rritja e lagështirës ajrore, mbajtja e fëmijës drejt dhe siguria që fëmija të mos ekspozohet në tymin e cigares.

A duhet që të dërgohet fëmija në spital?

Zakonisht bronkiolitet virale janë sëmundje të lehta që mund të menaxhohen në shtëpi. Megjithatë, në disa raste mund të jetë i nevojshëm hospitalizimi.

Një fëmijë duhet dërguar në spital nëse fluidet që merr janë të papërshtatshme dhe nëse ai dehidratohet, ose ka vështirësi në frymëmarrje. Hospitalizimi mund të aplikohet tek fëmijët shumë të vegjël dhe tek fëmijët me kushte mjekësore si fibrozat cistike dhe defektet në zemër.

spital, fëmijëve me bronkiolit viral u jepen fluide ose në rrugë intravenoze (me gjilpërë) ose me tub nazogastrik  (një tub që futet në hundë dhe shkon në stomak). Atyre mund t’u jepet edhe oksigjen nëse është e nevojshme dhe asistencë në frymëmarrje në disa raste të rralla. Ilaçi antiviral Ribavirin (Virazide) mund të jepet në disa raste por ai mund të ketë efekte serioze anësore dhe zakonisht nuk është efektiv.

A mund të parandalohet?

Bronkiolitet virale nuk janë tërësisht të parandalueshme. Megjithatë, rreziku i marrjes së sëmundjes mund të minimizohet gjatë sezonit me rrezik të lartë. Evitoni marrjen e bebeve në vende me shumë njerëz, p.sh. në qendra tregtare, dhe evitoni kontaktin e afërt me njerëz që kanë simptomat e të ftohurës. Larja e mirë dhe e shpeshtë e duarve nga prindërit dhe ata që kujdesen për fëmijët mund të reduktojë rrezikun.

Nuk ka ende vaksinë të vlefshme nga ana tregtare kundër shkaqeve kryesore të bronkioliteve virale, virusit sinkitial respirator (VSR). Ilaçi palivizumab (Synagis)–një antitrup monoklonal kundër VSR–mund të ndihmojë në lehtësimin e bronkioliteve tek bebet që kanë rrezik të lartë ose që kanë disa sëmundje.


Komentoni