Regjistrohu/Kyçu

Gripi: Trajtimi dhe vaksinimi

Gripi është një infeksion viral i hundës, fytit dhe ndonjëherë i mushkërive. Një kujdes i veçantë është i domosdoshëm nëse fëmijët, të moshuarit ose ato me probleme të tjera shëndetësore kanë grip, pasi gripi mund të shkaktojë sëmundje edhe më të rënda.

Zakonisht gripi për një person të shëndetshëm nuk është i rrezikshëm, por me kalimin e kohës, shfaqen variacione të reja, që mund të shkaktojnë tek njerëzit e shëndetshëm sëmundje serioze, madje edhe vdekjen.

Ndërkohë që shumë sëmundje që shfaqin simptoma të kollës, të hundëve, temperaturë dhe dhimbje koke janë përcaktuar si grip, ai në vetvete është një sëmundje specifike, që është shkaktuar nga virusi i gripit. Pjesa më e madhe e sëmundjeve, që në gjuhën e përditshme janë përcaktuar “grip”, në të vërtetë nuk janë të tilla.

Si e kam marrë gripin?

Viruset që shkaktojnë gripin janë gjithmonë përreth nesh. Ato vazhdimisht ndryshojnë, kështu që përjetimi i një gripi nuk parandalon ripërsëritjen. Gripi ndodh më shpesh në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit. Virusi është shumë infektiv dhe përhapet nga një person tek tjetri, nëpërmjet kontaktit direkt, prekjes së objekteve të kontaminuara ose nëpërmjet teshtitjes dhe kollitjes.

Si ndihet gripi?

Gripi tipik tek të rriturit është i karakterizuar nga temperatura, dhimbja e kokës, dobësia, kolla dhe dhimbja e përgjithshme e trupit (veçanërisht në shpinë dhe këmbë). Gjatë gripit, mund të përjetohen rrjedhje të hundëve dhe dhimbje e fytit.

Herë pas here, infeksioni përhapet në mushkëri, duke shkaktuar bronkit dhe pneumoni. Kjo është më e zakonshme tek të moshuarit, duhanpirësit, njerëzit me shëndet të dobët dhe njerëzit me astmë dhe dhimbje kraharori. Fëmijët mund të ankohen për dhimbje shpine, përzierje dhe të vjella.

Gripi tipik zgjat pak më shumë sesa një javë, por lodhja dhe kolla mund të zgjasin më shumë.

Çfarë e përmirëson gripin?

  • Pushimi – Pushoni derisa të ndiheni mirë ose derisa temperatura të largohet;
  • Konsumimi i ujit – Pini të paktën 8 gota ujë (ose lëngje, siç janë lëngjet e frutave) në ditë. Shmangni konsumimin e kafes ose të alkoolit. Lëngu i freskët i limonit, i përzier me mjaltë, me ujë të ngrohtë dhe pak vaj ulliri, mund të ndihmojë për fytin dhe kollën e thatë. Kur jeni të uritur, konsumoni ushqime të lehta;
  • Përdorimi i ilaçeve të temperaturës dhe dhimbjes – Mos i jepni fëmijëve aspirinë. Pyesni një farmacist në lidhje me paracetamolin që i jepni fëmijës. Ndiqni me kujdes instruksionet e ilaçit;
  • Ilaçet antigrip – Ato janë gjithashtu të pranishme dhe mund të përmirësojnë gjendjen. Këto duhet të përdoren brenda 48 orëve nga përjetimi i simptomave të gripit. Megjithatë, pjesa më e madhe e njerëzve, mund të përmirësohen edhe pa përdorur ilaçet antigrip.

Si mund të më ndihmojë mjeku në lidhje me gripin?

Shkoni tek mjeku, nëse simptomat e gripit nuk janë përmirësuar brenda 4 ditëve, ose nëse jeni të moshuar apo nëse keni probleme shëndetësore afatgjata. Fëmijët e vegjël gjithmonë duhet të shkojnë tek mjeku. Gripi shkaktohet nga virusi. Kjo nënkupton që antibioktkët nuk ndihmojnë, përveç rasteve kur merrni me gripin edhe një infeksion antiviral.

Nëse shkoni tek mjeku brenda 48 orëve, ai mund t’ju japë për të konsumuar ilaçe antigrip.

Vaksina e gripit

Vaksinimi kundër gripit është i rekomandueshëm për njerëzit që duan të reduktojnë mundësinë e përjetimit të gripit. Duhet marrë këshillë nga mjeku nëse vaksina rekomandohet edhe për fëmijët. Nëse jeni në një rrezik të lartë ndaj përjetimit të gripit ose keni shumë mundësi që të përjetoni komplikacione, mjeku do t’ju rekomandojë vaksinimin. Vaksina e gripit duhet të sigurohet “pa pagesë” për çdo person mbi moshën 65 vjeçare si edhe për ato të cilët kanë probleme shëndetësore afatgjata. Vaksina e gripit do të përmirësojë shanset e mos marrjes së gripit, por nuk jep një siguri të plotë.

Çdo vit bëhen vaksina të reja, pasi ato varen nga lloji i virusit që është përreth. Ato zakonisht dalin nga fillimi i marsit dhe për të siguruar mbrojtjen, njerëzit duhet të vaksinohen në fillimin e çdo vjeshte. Vaksina e gripit, nuk duhet t’u jepet fëmijëve nën 6 muajsh, njerëzve që kanë alergji të rëndë ose që kanë pasur një reaksion më parë ndaj vaksinës. Gratë shtatzëna duhet të diskutojnë më parë me mjekun e tyre për avantazhet dhe disavantazhet e gripit.


Komentoni