Hemorragjia cerebrale është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve dhe paaftësive. Por në ç’mënyrë mund të parandalohet kjo sëmundje? Për përgjigjen e kësaj pyetjeje janë zhvilluar një sërë studimesh dhe shumë prej tyre rekomandojnë ilaçe të ndryshme. Por pyetja që tani shtrohet është sesa njihen këto ilaçe dhe mënyra të reja nga personeli mjekësor në klinika e spitale. Në këtë kuadër, kohët e fundit u botua një analizë shkencore e cila mori në shqyrtim mbi 400 studime të kryera mbi hemorragjinë cerebrale. Përfundimet e analizës lënë të kuptohet se personat e prekur nga hemorragjia cerebrale nuk kanë qenë në gjendje që të marrin trajtimin e duhur mjekësor, pasi në shumë raste personeli mjekësor nuk ka dijeni rreth mënyrave të reja të efektshme për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Shkencëtarët shqyrtuan me kujdes afërsisht 400 raste me hemorragji cerebreale dhe vunë re se në disa klinika, pacientëve të moshuar u ishin mohuar ilaçet kundër koagulimit të gjaku-t, që janë provuar si parandalues të efektshëm të hemorragjisë cerebrale tek personat që vuajnë nga aritmia e zemrës. Këto ilaçe nuk u jepeshin të moshuarve, pasi personeli mjekësor shqetësohej se ilaçi kundër koagulimit mund të shkaktonte hemorragji nëse pacienti pa dashje rrëzohej. Por, kërkimet e hershme kanë treguar se ky lloj trajtimi nuk shkakton asnjë problem tek të moshuarit. Ekspertët thonë se të kesh ilaçin e të mos dish ta përdorësh është njësoj si të mos e kesh, prandaj u bëjnë thirrje mjekëve dhe të gjithë personelit mjekësor që t’u kushtojnë më shumë vëmendje arritjeve të reja në këtë fushë e t’i vënë ato në zbatim.
Më të rrezikuar nga kjo sëmundje janë njerëzit që kanë probleme me zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Për këta të sëmurë, mjekët rekomandojnë që të evitohet sa më shumë ekspozimi ndaj diellit, sidomos në orët më të nxehta të ditës. Temperaturat e larta bëhen shkak për rritjen e presionit të gjakut. Faktorët kryesorë që ndikojnë në avancimin e kësaj sëmundjeje kaq të rrezikshme tek gratë janë:
-Pilulat kontraceptive;
-Pirja e duhanit;
-Mbipesha;
-Migrena;
Nëse këta katër faktorë do të puqeshin së bashku, rreziku për një hemorragji cerebreale do të ishte i dyfishtë dhe shumë i rrezikshëm për jetën, aq sa mund të themi vdekjeprurës.
Hemorragjia cerebrale ose infarkti i trurit, kryesisht ndodh në moshat mbi 60 vjeç, por njihen raste edhe në moshat e reja. Shenjat kryesore që i sëmuri paraqet janë:
-Nuk flet (nuk mund të shqiptojë dot asnjë fjalë), ose nuk i kuptohen fjalët (belbëzon);
-Nuk lëviz gjymtyrët (dorën ose këmbën);
-Urinon në mënyrë të pavullnetshme;
-Të dridhura të pjesshme ose në të gjithë trupin;
-Të vjella.
Në këtë situatë nëse i sëmuri ka të vjella është mirë që të bëhet kthimi i kokës në anën e majtë me qëllim që të mos bllokohen rrugët e frymëmarrjes dhe të hiqen protezat kur ato janë. Kur i sëmuri ankohet për të vjella, dhimbje koke, të dridhura, çrregullime të tensionit dhe të ritmit të zemrës, duhet patjetër të bëjë vizitë mjekësore për t’i paraprirë paralizës. Të kontrollohet rregullisht tensioni tek të sëmurët me tension të lartë, sidomos tek ata me trashëgimi familjare të sëmundjes dhe të mos abuzohet me mjekimin. Një mjekim i rregullt i tensionit të lartë të gjaku-t dhe i çrregullimeve të ritmit të zemrës do të parandalonte një situatë të tillë.
Komentoni