Regjistrohu/Kyçu

Sëmundja e virusit Ebola

Fakte të rëndësishme

  • Sëmundja e virusit Ebola, që më parë njihej si ethja hemorragjike Ebola, është një sëmundje e rëndë, shpesh vdekjeprurëse për njerëzit.
  • Epidemitë e Ebola-s kanë një përqindje të vdekshmërisë deri në 90%.
  • Epidemitë e Ebola-s ndodhin kryesisht në fshatrat e prapambetur në Azinë Qendrore dhe në Afrikën Perëndimore, pranë pyjeve tropikale.
  • Virusi transmetohet tek njerëzit nga kafshë të egra dhe përhapet në popullsi nëpërmjet transmetimit nga një person tek tjetri.
  • Lakuriqët e natës të familjes Pteropodidae konsiderohet se janë strehuesit në natyrë të virusit të Ebola-s.
  • Pacientët e sëmurë rëndë kanë nevojë për një përkujdesje intensive. Nuk ekziston ende ndonjë mjekim i licencuar ose ndonjë vaksinë për përdorim tek njerëzit dhe kafshët.

Fillimisht Ebola është shfaqur në vitin 1976 në dy epidemi njëkohësisht, në Nzara (Sudan) dhe në Yambuku (Republika Demokratike e Kongos). E fundit ishte në një fshat pranë lumit Ebola, nga i cili e ka marrë emrin sëmundja.

Virusi i Ebola-s është një nga tre pjesëtarët e familjes Filoviridae, krahasfamiljes Marburgvirus dhe Cuevavirus. Familaj Ebolavirus përmbledh 5 specie të veçanta:

  1. Bundibugyo ebolavirus (BDBV);
  2. Zaire ebolavirus (EBOV);
  3. Reston ebolavirus (RESTV);
  4. Sudan ebolavirus (SUDV);
  5. Taï Forest ebolavirus (TAFV).

BDBV, EBOV dhe SUDV janë shoqëruar me epidemi të mëdha të EVD në Afrikë ndërsa nuk thuhet kjo për RESTV dhe TAFV. Speciet e RESTV, të gjetura në Filipine dhe në Kinë mund të infektojnë qeniet njerëzore, por deri tani nuk është raportuar ndonjë sëmundje apo vdekje nga këto specie.

Transmetimi

Ebola transmetohet në popullsinë njerëzore nëpërmjet kontaktit nga afër me gjaku-n, sekrecionet, organet apo lëngjet e tjera të kafshëve të infektuara. Në Afrikë, infeksioni është dokumentuar se vjen nga kontakti me shimpanzetë, gorillat, lakuriqët e natës, majmunët, antilopat e pyllit, të gjetura të gjalla apo të ngordhura në pyllin tropikal.

Më pas Ebola përhapet në komunitet nëpërmjet transmetimit të infeksionit nga një qenie njerëzore tek tjetra, që vjen si rezultat nga kontakti i drejtpërdrejtë (përmes lëkurës së dëmtuar apo membranave mukoze) me anë të gjakut, sekrecioneve, organeve apo  lëngjeve të tjera të trupit të personave të infektuar dhe kontaktit indirekt me mjedisin e infektuar nga këto lëngje. Ceremonitë e varrimit në të cilat pjesëmarrësit kanë kontakt direkt me trupin e personit të vdekur, edhe ato mund të luajnë rol në transmetimin e Ebola-s. Personat e shëruar nga sëmundja ende mund të transmetojnë virusin nëpërmjet spermës së tyre deri në 7 javë pas shërimit.

Punonjësit e shëndetësisë kanë qenë shpesh të infektuar ndërsa trajtojnë pacientët me EVD të konfirmuar apo të dyshuar. Kjo ka ndodhur nëpërmjet kontaktit direkt me pacientët kur masat parandaluese për kontrollin e infeksionit nuk janë zbatuar rigorozisht.

Midis punonjësve në kontakt me majmunët ose derrat e infektuar me RESTV janë dokumentuar disa infeksione tek personat që ishin klinikisht simptomatikë. Pra, RESTV duket më pak i aftë që të shkaktojë sëmundjen tek qeniet njerëzore se sa speciet e tjera të Ebola-s.

Sidoqoftë, prova e vetme në dispozicion vjen nga meshkujt e rritur të shëndetshëm. Do të ishte jo e pjekur të ekstrapolohen efektet e virusit në të gjithë popullsinë, siç janë ata me sistemin imun të kompromentuar, personat e sëmurë, gratë shtatzënë dhe fëmijët. Nevojiten më shumë studime për RESTV para se të mund të nxirren konkluzione përfundimtare lidhur me aftësinë sëmundje shkaktuese dhe virulencën e këtij virusi për qeniet njerëzore.

Shenjat dhe simptomat

EVD është një sëmundje e rëndë akute shpesh e karakterizuar nga një shpërthim i befasishëm i etheve, dobësi e madhe, dhimbje e muskujve, dhimbje koke dhe fyt i lënduar. Kjo pasohet nga të vjella, diarre, puçrra, funksionim i dobët i veshkave dhe mëlçisë dhe në disa raste hemorragji të brendshme dhe të jashtme. Rezultatet laboratorike përfshijnë numër të ulët qelizash të bardha të gjakut, një numër i shtuar pllakëzash dhe enzima të rritura të mëlçisë.

Njerëzit janë infektues për sa kohë gjaku dhe sekrecionet e tyre përmbajnë virusin. Virusi i Ebola-s është izoluar nga sperma 61 ditë pas shpërthimit të sëmundjes tek një person që ishte infektuar në laborator.

Periudha e inkubacionit, domethënë intervali i kohës nga infeksioni e deri në fillimin e simptomave është nga 2 deri 21 ditë.

Diagnoza

Sëmundjet e tjera që mund të përjashtohen para se të përfshihet përcaktimi i diagnozës së EVD, përfshijnë: malarien, ethet e tifos, shigeloza, kolera, leptospiroza, murtaja, riketsioza, ethja e përsëritur, meningjiti, hepatiti dhe ethe të tjera hemorragjike ngjitëse.

Infeksionet e virusit të Ebola-s mund të diagnostikohen përfundimisht në një laborator me anë të disa lloje testesh:

  • Kapja e antitrupave nga analiza imunoabsorbuese e lidhur me enzimat (ELISA);
  • Testi i zbulimit të antigeneve;
  • Testi i neutralizimit të serumit;
  • Analiza e reaksionit zinxhir të transkriptimit të polimereve (RT-PCR);
  • Mikroskopia elektronike;
  • Izolimi i virusit me anë të një qelize nga kultura.

Kampionët nga pacientët janë një rrezik ekstrem biologjik, pra testimi duhet të kryhet në kushte maksimale të mbrojtjes nga infektimi biologjik.

Vaksina dhe trajtimi 

Nuk ka në dispozicion ndonjë vaksinë për EVD. Po testohen disa vaksina por asnjëra prej tyre nuk është në dispozicion për përdorim klinik. Pacientët e sëmurë rëndë kanë nevojë për përkujdesje intensive. Ata shpesh janë të dehidratuar dhe u duhet një rihidratim nga goja me solucione që përmbajnë elektrolite ose me anë të lëngjeve intravenozë. Nuk ka ndonjë trajtim specifik. Terapitë me ilaçe të reja janë duke u vlerësuar.

Strehuesi natyror i virusit Ebola

Në Afrikë lakuriqët e natës, veçanërisht speciet e familjes Hypsignathus monstrosus, Epomops franqueti dhe Myonycteris torquata, konsiderohen strehuesit natyrorë për virusin Ebola. Si rezultat shpërndarja gjeografike e viruseve Ebola mund të jetë e njëjtë me atë të lakuriqëve të natës.

Virusi Ebola tek kafshët

Megjithëse primatët jo njerëzorë kanë qenë burim i infeksionit për njerëzit, ata nuk mendohen të jenë rezervuari i tij, por më shumë një strehues aksidental po ashtu si edhe qeniet njerëzore. Qysh nga viti 1994, epidemitë nga EBOV dhe TAFV janë vënë re tek shimpanzetë dhe gorillat.

RESTV ka shkaktuar epidemi të rënda tek majmunët (Macaca fascicularis), që rriten në Filipine dhe është zbuluar tek majmunët e eksportuar në SHBA në vitet 1989, 1990, 1996 dhe në majmunët e importuar në Itali nga Filipinet në vitin 1992.

Qysh nga viti 2008 viruset REST janë zbuluar gjatë disa epidemive të një sëmundje vdekjeprurëse tek derrat në Kinë dhe Filipine. Infeksioni jo simptomatik dhe vaksinimet eksperimentale të bëra tek derrat kanë treguar që RESTV nuk mund të shkaktojë sëmundje tek derrat.

Parandalimi dhe kontrolli

Kontrolli i virusit RESTV tek kafshët shtëpiake

Nuk ka në dispozicion ndonjë vaksinë kundër RESTV. Pastrimi rutinë dhe dezinfektimi i fermave të derrave apo majmunëve duhet të jetë i efektshëm për të çaktivizuar virusin.

Në qoftë se dyshohet për një epidemi menjëherë duhet vendosur karantina. Kufizimi apo ndalimi i lëvizjes së kafshëve nga fermat e infektuara në zona të tjera mund ta reduktojë përhapjen e sëmundjes. Kur RESTV i përhapur tek derrat dhe majmunët kalon tek njerëzit, duhet të vendoset një mbikëqyrje aktive shëndetësore për të zbuluar rastet e reja.

Reduktimi i rrezikut të infektimit të njerëzve nga Ebola 

Në mungesë të një trajtimi të efektshëm dhe një vaksine për njerëzit, rritja e ndërgjegjësimit për faktorët e riskut për infeksionin nga Ebola dhe masat mbrojtëse që individët mund të marrin, janë e vetmja mënyrë për të reduktuar infektimin dhe vdekjet.

Në Afrikë, gjatë epidemive të EVD, mesazhet edukative për reduktimin e riskut duhet të përqendrohen në disa faktorë:

  • Reduktimi i riskut për transmetimin nga bota shtazore tek njerëzit me anë të eliminimit të kontakteve me lakuriqët e natës dhe majmunët dhe konsumit të mishit të tyre. Për kafshët ata që kujdesen duhet të pajisen me dorashka dhe veshje të tjera të përshtatshme mbrojtëse. Produktet shtazore (gjaku dhe mishi) duhen gatuar plotësisht para konsumit.
  • Reduktimi i riskut të transmetimit nga një person tek tjetri në komunitet bëhet duke eliminuar kontaktin direkt me pacientët e infektuar, veçanërisht me lëngjet e tyre trupore. Kontakti i afërt fizik me pacientët e infektuar me Ebola duhet eliminuar plotësisht. Duhet të përdoren dorashka dhe veshje të përshtatshme mbrojtëse nga personeli që kujdeset për të sëmurët që mbahen në shtëpi. Larja e rregullt e duarve është e domosdoshme pas vizitave të pacientëve në spital, si edhe pas përkujdesjes për pacientët në shtëpi.
  • Komunitetet e prekura nga Ebola duhet të informojnë popullsinë për natyrën e sëmundjes dhe për masat që duhen marrë me shpërthimin e epidemisë, duke përfshirë varrimin e të vdekurve. Personat e vdekur nga Ebola duhet të varrosen menjëherë dhe në mënyrë të sigurt.

Fermat e derrave në Afrikë mund të luajnë një rol në amplifikimin e sëmundjes për shkak të prezencës së lakuriqëve të natës në to. Duhen marrë masa siguruese biologjike për të kufizuar transmetimin. Për RESTV, mesazhet për edukimin shëndetësor të publikut duhet të fokusohen në reduktimin e riskut të transmetimit nga derrat tek qeniet njerëzore si rezultat i mbarështimit jo të sigurt të bagëtive dhe praktikave të therjes së tyre, si edhe konsumit të gjakut të freskët, mishit të pa pasterizuar ose indeve të kafshëve.

Duhen përdorur dorashka dhe veshje të përshtatshme mbrojtëse gjatë trajtimit të kafshëve të sëmura ose indeve të tyre dhe kur ato theren. Në zonat ku është raportuar RESTV tek derrat, të gjithë produktet shtazore duhet të gatuhen tërësisht para përdorimit.

Kontrolli i infeksionit në mjediset e përkujdesjes shëndetësore

Transmetimi nga një qenie njerëzore tek tjetra i virusit të Ebola-sshoqërohet kryesisht me kontaktin direkt apo indirekt me gjaku-n dhe lëngjet trupore. Është raportuar transmetim i infeksionit tek punonjës të shëndetësisë kur nuk janë marrë masat e përshtatshme. 

Nuk është gjithmonë e mundshme që të identifikohen pacientët me EBV qysh herët sepse simptomat fillestare mund të mos jenë specifike. Për këtë arsye është e rëndësishme që punonjësit e shëndetësisë të zbatojnë masat standarde parandaluese në mënyrë konsekuente me të gjithë pacientët, pavarësisht nga diagnoza e tyre, në të gjitha praktikat e punës dhe kurdoherë. Këto përfshijnë higjienën bazë, higjienën respiratore, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse personale dhe praktika të sigurta të injeksioneve dhe të varrimeve.

Punonjësit e shëndetësisë që kujdesen për pacientët me Ebola të dyshuar apo të konfirmuar duhet të zbatojnë përveç masave parandaluese standarde edhe masa të tjera të kontrollit të infeksioneve për të shmangur çdo ekspozim ndaj gjakut dhe lëngjeve trupore të pacientëve dhe kontaktin direkt të pambrojtur me mjedisin e mundshëm të infektuar. Kur janë në kontakt (më pak se 1 metër) me pacientët e infektuar nga EBV, punonjësit e shëndetësisë duhet të veshin mbrojtës të fytyrës, një përparëse të pastër me mëngë të gjata dhe dorashka.

Punonjësit e laboratorëve janë edhe ata në rrezik. Kampionët e marrë nga rastet e dyshuara për njerëz apo kafshë të infektuar me Ebola duhet të trajtohen nga personel i stërvitur dhe duhet të përpunohen në laboratorë të pajisur për këtë qëllim.

Reagimi i OBSH

OBSH siguron ekspertizë dhe dokumentacion për të mbështetur hetimin dhe kontrollin e sëmundjes. Rekomandimet për kontrollin e infeksionit ndërkohë që personeli shëndetësor kujdeset për pacientët e dyshuar apo të konfirmuar se janë infektuar nga ethja hemorragjike Ebola jepen tek Rekomandimet për  infeksionin dhe kontrollin gjatë përkujdesjes për pacientët me Filovirus (Ebola, Marburg) e etheve hemorragjike , mars 2008. Ky dokument po përditësohet.

OBSH ka krijuar një manual ndihmës mbi masat parandaluese standard në shëndetësi. Masat parandaluese standard janë destinuar për të reduktuar riskun e transmetimit të patogjeneve të mbartur nga gjaku dhe në rrugë të tjera. Në qoftë se zbatohen nga të gjithë, këto masa do të ndihmojnë të parandalohen shumica e transmetimit nëpërmjet gjakut dhe lëngjeve trupore.

Masat standard rekomandohen për kujdesin dhe mjekimin e të gjithë pacientëve pavarësisht nga statusi i perceptuar apo i konfirmuar i infeksionit. Ato përfshijnë nivelin bazë të kontrollit të infeksionit, higjienën e duarve, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse të personelit për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me gjaku-n dhe lëngjet trupore, parandalimin e shpimit nga aget dhe nga pajisje të tjera të mprehta dhe një komplet  të kontrolleve të mjedisit.


Komentoni