Ekzistojnë rreziqe që shoqërojnë çdo lloj procedure mjekësore dhe kirurgjia nuk bën përjashtim. Pjesërisht suksesi varet nga lloji i operacionit kirurgjikal që ju do t’i nënshtroheni dhe nga lloji i operacionit si edhe nga përvoja e kirurgut me të. Kohëzgjatja e operacionit dhe lloji i anestezisë së përdorur janë faktorë të tjerë të rëndësishëm. Shëndeti fizik i pacientit ndikon në masë të konsiderueshme mbi procesin dhe rezultatin. Më e rëndësishmja është nëse dobia e pritshme peshon më shumë se rreziqet e mundshme.
Mjekët kryejnë operacione qysh prej një kohe të gjatë. Përparimet në teknikat kirurgjikale dhe në të kuptuarit nga ana jonë të parandalimit të infeksioneve e kanë bërë kirurgjinë moderne më të parrezikshme dhe me më pak të ngjarë të dëmtojë indet e shëndetshme se më parë. Por ende ka gjithmonë një shkallë rreziku të pranishme, pavarësisht se sa e vogël është ajo.
Para se ju të vendosni t’i nënshtroheni një procedure mjekësore, është e rëndësishme që të kuptoni rreziqet. Procedura të ndryshme kanë lloje të ndryshme të rreziqeve dhe të efekteve anësore. Këtu nuk mund të rendisim të gjithë problemet e mundshme të çdo lloj operacioni kirurgjikal. Sigurohuni t’i diskutoni detajet e rastit tuaj me mjekun i cili mund t’u japë një ide më të mirë për atë se cilat janë rreziqet tuaja aktuale.
Ndërlikimet e mundshme gjatë operacionit mund të shkaktohen nga vetë operacioni, ilaçet e përdorura (anestezia) ose një sëmundje. Përgjithësisht, sa më kompleks të jetë operacioni aq më i madh është rreziku.
Operacionet e vegjël dhe marrja e kampioneve për biopsi zakonisht paraqesin më pak rrezik se sa një operacion i madh. Dhimbja në vendin e operuar është problemi më i zakonshëm. Infeksionet dhe reaksionet ndaj ilaçeve të përdorura për të mpirë zonën e trajtuar (anestezia lokale), janë po ashtu të mundshme. Ndërlikimet në operacionet e mëdha nuk janë të zakonshme, por mund të përfshijnë:
Hemorragjia gjatë operacioneve mund të shkaktojë që të nevojiten transfuzione të gjaku-t. Ekziston një rrezik për disa probleme gjatë transfuzioneve dhe disa prej tyre mund të jenë serioze. Mjekët përpiqen të minimizojnë këtë rrezik duke kontrolluar paraprakisht analizat e gjakut dhe duke qenë të kujdesshëm kur punojnë afër enëve të gjakut. Ende disa operacione kanë një sasi të kontrolluar të humbjes së gjakut.
Në qoftë se keni shqetësim lidhur me transfuzionin e gjakut, bisedoni me mjekun tuaj para operacionit. Mund të jeni në gjendje të ruani një sasi nga gjaku juaj disa javë para operacionit që ta merrni gjatë operacionit po të nevojitet.
Dëmtimi i organeve të brendshme dhe enëve të gjakut mund të ndodhë gjatë operacionit. Përsëri, mjekët janë të kujdesshëm për të lejuar sa më pak dëmtime.
Disa persona kanë reaksione ndaj ilaçeve të përdorura për aneztesi ose ndaj ilaçeve të tjerë që nevojiten gjatë operacionit. Megjithëse të rralla, këto mund të jenë serioze sepse mund të shkaktojnë presione të ulëta të rrezikshme të gjakut. Mjekët do të kenë kujdes për rrahjet e zemrës, për shpeshtësinë e frymëmarrjes, dhe shenja të tjera gjatë operacionit.
Operacioni mund të çojë në probleme me organet e tjera, si mushkëritë, zemra ose veshkat. Këto probleme janë shumë të rralla por mund të ndodhin dhe të jenë kërcënuese për jetën. Ato ka më shumë të ngjarë që të ndodhin tek personat që tashmë kanë patur probleme me këto organe. Kjo është arsyeja që mjekët kërkojnë të kenë të gjithë historinë mjekësore dhe bëjnë teste për të kërkuar për rreziqe të mundshme para se të bëjnë një operacion.
Pas ndërhyrjes, janë disa probleme mjaft të zakonshme, por nuk janë kërcënuese për jetën. Njëfarë dhimbje është normale, por nuk duhen lejuar që të ngadalësojë shërimin tuaj. Ka shumë mënyra për të trajtuar dhimbjen nga operacioni. Ilaçet për dhimbjen varijojnë nga aspirina dhe tylenol (acetominophen) e deri tek ilaçe më të forta si kodeinë dhe morfinë.
Infeksioni në plagë është një problem tjetër i mundshëm. Mjekët kujdesen shumë për ta reduktuar këtë rrezik dhe duke e pastruar zonën e duke e mbajtur atë sterile, por megjithatë infeksionet ndodhin.Antibiotiket (tableta apo intravenoze) janë në gjendje të trajtojnë shumicën e infeksioneve.
Probleme të tjera janë të rralla por mund të jenë më serioze.
Ndërlikime të tjera kërcënuese për jetën janë shumë të rralla dhe të vështira të parashikohen, por ndonjëherë ndodhin edhe ato. Ekipi i kirurgëve do të ndërmarrë hapat e duhur që të reduktojë rrezikun e ndërlikimeve të mundshme.
Efektet anësore afatgjata varen nga lloji i operacionit të bërë. P.sh. personat që i nënshtrohen operacionit të kancerit të zorrës së trashë mund të kenë nevojë për një hapje në bark (kolo-stomi). Burrat të cilëve u hiqet prostata janë në rrezik të humbasin kontrollin e urinimit ose të mos jenë më të aftë të arrijnë apo të mbajnë një ereksion. Mjeku duhet t’ua tregojë të gjithë këto rezultate afatgjatë para se të kryejë operacionin.
Komentoni