Regjistrohu/Kyçu

Demenca dhe komunikimi

Humbja e aftësisë për të komunikuar mund të jetë një nga problemet më frustruese dhe më të vështira për njerëzit me demencë, familjarët dhe kolegët e tyre. Me zhvillimin e sëmundjes, personi me demencë (ose sëmundjen Alzheimer) përjeton gradualisht një rënie në aftësinë për të komunikuar. Ato gjejnë vështirësi në të komunikuarit qartë dhe në të kuptuarit se çfarë të tjerët janë duke thënë.

Ndryshimet në komunikim

Çdo person me demencë është unik, dhe vështirësitë në komunikimin e mendimeve dhe ndjenjave janë individuale. Ekzistojnë shumë shkaqe të demencës, secila prej tyre e prek trurin në mënyra të ndryshme.

Ndryshimet që mund të vini re:

  • Vështirësi në gjetjen e fjalëve;
  • Personi mund të flasë shpejt por pa kuptim;
  • Personi mund të mos jetë në gjendje për të kuptuar se çfarë jeni duke thënë;
  • Aftësitë e të shkruarit dhe të lexuarit mund të përkeqësohen;
  • Personi mund të humbasë konventat normale sociale të komunikimit dhe të ndërpresë ose të injorojë folësin;
  • Personi mund të ketë vështirësi në komunikimin e emocioneve.

Nga duhet filluar

Është e rëndësishme për të kontrolluar dëgjimin dhe shikimin në mënyrë që të mos jenë dëmtuar. Ndihma e syzeve dhe aparateve të dëgjimit mund të jetë e dobishme. Kontrolloni nëse aparatet e dëgjimit janë duke funksionuar siç duhet dhe syzet janë të pastruara.

Komunikimi përbëhet nga tre pjesë

  • 55% është gjuha e trupit, që është mesazhi që ne japim nëpërmjet lëvizjeve të fytyrës, qëndrimit dhe shenjave;
  • 38% është toni i gjuhës tonë;
  • 7% janë fjalët që ne përdorim.

Këto statistika vënë në dukje rëndësinë sesi familjet dhe kolegët e prezantojnë veten tek një person me demencë.

Çfarë duhet provuar

Kujdesi ndaj qëndrimit

Njerëzit i ruajnë ndjenjat dhe emocionet e tyre edhe pse mund të mos e kuptojnë se çfarë po thuhet, kështu që është e rëndësishme për të ruajtur dinjitetin dhe vetërespektin. Tregojuni fleksibël dhe gjithmonë merrni kohën e duhur për të dhënë një përgjigje. Kur është e përshtatshme, përdorni prekjen për të tërhequr vëmendjen e personit dhe për të komunikuar ndjenjat e ngrohtësisë dhe afeksionit.

Mënyrat e komunikimit

  • Qëndroni të qetë dhe flisni me butësi;
  • Bëjini fjalitë të shkurtra dhe të thjeshta, duke u fokusuar në një ide;
  • Gjithmonë lejoni kohën e përshtatshme në mënyrë që të kuptohet ajo që keni thënë;
  • Mund të jetë ndihmuese edhe përdorimi i emrave orientues, si p.sh. “Djali jot, Xhek”.

Gjuha e trupit

  • Mund të keni nevojë për të përdorur lëvizjet e duarve dhe ekspresionet e fytyrës në mënyrë që të mund të kuptoheni;
  • Demonstrimi shpesh mund të ndihmojë;
  • Prekjet dhe mbajtja e duarve mund të ndihmojnë në tërheqjen e vëmendjes së tyre dhe në të treguarit interes;
  • Një fjalë e ngrohtë dhe një buzëqeshje shpesh mund të tregojë më shumë sesa një fjalë.

Mjedisi i përshtatshëm

  • Mundojuni që të shmangni zhurmat si TV ose radio;
  • Mbani një rutinë të rregullt për të minimizuar konfuzionin;
  • Ndërkohë që flisni, do të ishte më e përshtatshme që personi të ndodhej përballë jush;
  • Është më pak ngatërruese nëse çdo njeri përdor të njëjtën qasje. Përsëritja e mesazhit në të njëjtën mënyrë është e rëndësishme për të gjithë familjarët dhe kolegët.

Çfarë nuk duhet bërë

  • Mos argumentoni. Ajo vetëm do të përkeqësojë situatën;
  • Mos e urdhëroni personin që ndodhet pranë jush;
  • Mos i thoni atyre se çfarë ato nuk mund të bëjnë. Në vend të kësaj thojini se çfarë ato mund të bëjnë;
  • Mos u tregoni mospërfillës;
  • Mos bëni shumë pyetje direkte që kanë lidhje me një memorie të mirë;
  • Mos flisni për njerëzit e tjerë kur ato nuk janë prezent.

Këshillat nga një person me demencë

Kristina Boden u diagnostikua me demencë në moshën 46 vjeçare dhe ka shpjeguar disa mënyra sesi familjarët dhe miqtë mund të ndihmojnë një person me demencë. Kristina jep këshillat e mëposhtme, që ndihmojnë në komunikimet me një person me demencë:

  • Na jepni kohë për të komunikuar, na lejoni që të gjejmë fjalët e duhura për t’u shprehur. Mos u mundoni që të përfundoni fjalitë tona. Vetëm dëgjoni dhe mos na jepni neve ndjesinë që të turpërohemi;
  • Mos na shtyni që të mendojmë ose të flasim shpejt, pasi ne nuk mund ta bëjmë dot atë;
  • Kur doni të flisni me ne, mendoni një mënyrë që nuk përfshin shumë pyetje që mund të na alarmojnë ose të na bëjnë që të ndihemi jo-komod. Nëse kemi harruar diçka me rëndësi të kohëve të fundit, mos mendoni se për ne nuk kish rëndësi;
  • Mos u mundoni shumë për të na ndihmuar për të mbajtur mend gjërat që sapo kanë ndodhur;
  • Mundojuni të shmangni ambjentet e zhurmshme;
  • Nëse fëmijët janë duke lëvizur gjatë gjithë kohës, mbani mend që ato do të lodhen shumë shpejt dhe do të gjejnë vështirësi për të komunikuar dhe dëgjuar në të njëjtën kohë.


Komentoni