Regjistrohu/Kyçu

Ndryshimet e kujtesës

Ekziston një ndryshim ndërmjet humbjes së memories si rezultat i moshës dhe simpomave të demencës. Ky informacion përshkruan diferencat dhe jep disa këshilla sesi mund të mbahet memoria e mprehtë.

Një ndër simptomat kryesore të demencës është humbja e memories. Në të gjithë harrojmë gjëra me kalimin e kohës, por humbja e memories me demencën është shumë e ndryshme. Është e vazhdueshme dhe progresive, jo e rastësishme. Ajo mund të ndikojë në aftësinë për të vazhduar punën. Ajo nënkupton vështirësinë për të gjetur rrugën për në shtëpi, humbjen e aftësisë për t’u veshur dhe për t’u larë. Një shembull i harresës normale është e vajtura në kuzhinë dhe më pas harrimi se përse keni vajtur, ose ngatërrimi i çelsave të makinës. Por, një person me demencë mund të ngatërrojë çelsat e makinës dhe njëkohësisht faktin se përse ato përdoren.

Pikat kryesore rreth harresës normale

  • Me kalimin e moshës, ndryshimi më i zakonshëm ndaj të cilit ne ankohemi është ndryshimi i memories;
  • Ndryshimi i memories me moshën normalisht që nuk ndikon në mënyrë dramatike në jetën e përditshme;
  • Çdonjeri është i ndryshëm dhe efekti i plakjes tek memoria është e ndryshme për çdo person;
  • Kërkuesit shpjegojnë efektet e plakjes, në aftësinë për të marrë informacione të reja dhe për t’i ruajtur ato;
  • Kërkuesit gjithashtu sugjerojnë se kujtesa e jetës nuk ndryshon me kalimin e moshës.

Diskretitimi i miteve të kujtesës

Miti një

Harresa është një shenjë që diçka nuk është duke shkuar mirë me trurin tuaj.

Fakt

Nëse ne nuk do e kishim aftësinë e harrimit, të gjithë ne do të “çmendeshim”. Aftësia për të mbajtur mend atë që është e rëndësishme dhe për të eleminuar pjesën tjetër është pjesë e aftësisë tonë.

Miti dy

Humbasim rreth 10,000 qeliza të trurit në ditë.

Fakt

Kjo është një e vërtetë e frikshme dhe e ekzagjeruar. Disa pjesë të trurit bëjnë që të humbasin qelizat nervore, por jo ato pjesë ku procesi i të menduarit zhvillohet. Ju humbni disa lidhje nervore, por është e mundur që të rriten të reja, ose të ruhen lidhjet që keni, duke e ushtruar mendjen tuaj.

Miti tre

Krahasoni veten me të tjerët për të parë nëse memoria juaj është normale.

Fakt

Një varg i madh aftësish ekziston në popullsinë e përgjithshme. Edhe një person i vetëm përjeton një sërë variacionesh në kujtesë me kalimin e kohës. Ashtu sikundër disa njerëz kanë talent për muzikë dhe disa të tjerë jo.

Këshilla për ta mbajtur memorien tuaj të mprehtë

Deri tani nuk ekziston një kurë parandaluese për demencën. Megjithatë, ekzistojnë disa këshilla që ndihmojnë për ta mbajtur trurin tuaj në formë dhe memorien e mprehtë.

  • Shmangni substancat e dëmshme. Pirja e shumtë dhe drogat dëmtojnë qelizat e trurit;
  • Sfidoni veten. Lexoni vazhdimisht, mbani mendjen tuaj aktive dhe mësoni gjëra të reja të cilat forcojnë trurin;
  • Besojini më shumë vetes. Nëse njerëzit mendojnë se kanë nën kontroll jetën e tyre, në mënyrë kimike truri i tyre përmirësohet;
  • Pushoni. Tensioni ndikon në humbjen e memories;
  • Sigurojuni që të merrni gjumë mjaftueshëm;
  • Hani një dietë të mirë-balancuar;
  • Tregojuni të kujdesshëm. Përqendrojuni në atë që doni të mbani mend;
  • Minimizoni dhe rezistojini shpërqendrimeve;
  • Mbani një kalendar. Kjo mund ta mbajë mendjen tuaj të mprehtë;
  • Merrni kohën që ju duhet;
  • Organizoni sendet personale. Mbani një vend të veçantë ku të mund të vendosni çelsat e makinës dhe syzet;
  • Përsëritni emrat e të njohurve në bisedë.

Pikat e dallimit ndërmjet demencës dhe humbjes normale të kujtesës

Diferenca ndërmjet humbjes normale të kujtesës dhe demencës

Përshkrimi Personi me demencë Personi normal
Ngjarjet Mund të harrojë (një pjesë ose të gjithë ngjarjen) Memoria shpeshherë mund të jetë e vagët, ndonjëherë ngjarja mund të harrohet
Fjalët/emrat e objekteve Mund t’i harrojë në mënyrë progresive Fjalët ose objektet janë në majë të gjuhës
Udhëzimet në të shkruar dhe udhëzimet verbale I ka në pamundësi për t’i ndjekur Është e mundur që t’i ndjekë
Historitë në TV, filma ose libra Në mënyrë progresive mund të humbasë aftësinë për t’i ndjekur Është e mundur që t’i ndjekë
Njohuritë e formuara Me kalimin e kohës mund të humbasë informacionet siç janë ato historike ose politike Edhe pse kujtesa është e ngadalshme, thelbi është i ruajtur
Aftësitë e përditshme siç janë e veshura dhe gatimi Në mënyrë progresive fillon dhe humbet aftësinë Ruhet aftësia, përveç rasteve kur ekziston paaftësia fizike
 


Komentoni