Regjistrohu/Kyçu

Shëndeti i dobët i zemrës, lidhet me rrezikun për t’u prekur nga sëmundja e Alzheimer-it

Studimi sugjeron se kur arteriet trashen, ngurtësohen, në tru formohen pllakëza.

Një studim i ri i lidh sëmundjet e zemrës me mundësitë në rritje, për të patur demencë (çmenduri).

Hulumtuesit zbuluan se ngurtësimi i arterieve, një sëmundje që quhet ateroskleroza, lidhet me akumulimin e pllakëzave beta -amiloid në tru, që janë vula e sëmundjes Alzheimer.

“Ky është më shumë se vetëm një shembull i mënyrës se si lidhet shëndeti i zemrës me atë të trurit. Ky është një sinjal se procesi i plakjes së enëve të gjaku-t mund të predispozojë trurin, për një akumulim më të madh të pllakëzave të amiloidit”, tha kërkuesi Timothy Hughes, i departamentit të mjekësisë së brendshme në Universitetin Wake Forest në Winston – Salem, NC.

Pllakëzat mblidhen me kalimin e moshës dhe duket se përkeqësohen tek ata me arterie të forta, tha ai. “Gjetja dhe parandalimi i shkaqeve të grumbullimit të pllakëzave do të jetë një faktor thelbësor në parandalimin e sëmundjes së Alzheimer-it, si dhe në mbajtjen e shëndetit të mirë të trurit, sa më gjatë të jetë e mundur”, shtoi Hughes.

Sëmundja e Alzheimer-it është forma më e zakonshme e demencës mes të moshuarve. Ky çrregullim progresiv i trurit prek rëndë të menduarit, kujtesën dhe aftësinë për të kryer aktivitetet e përditshme.

Raporti , i publikuar në 31 mars në versionin online të revistës shkencore JAMA Neurology, ekzaminoi imazhet e trurit dhe shëndetin e arterieve të pacientëve nga mosha 83 vjeçare e më lartë.

Kardiologët dhe neurologët kanë filluar ta pëlqejnë idenë se shëndeti i zemrës dhe i trurit nuk janë të pavarur, por të lidhur me njëri-tjetrin, tha Dr Kevin King, një profesor asistent në departamentin e radiologjisë në Universitetin e Teksasit, në Fakultetin e Mjekësisë për zonën jug-perëndimore, si dhe autor i një editoriali shoqërues për studimin, në një revistë shkencore.

“Unë mendoj se kjo rrjedhë e re është e kënaqshme, pasi kjo është një qasje më holistike, pra që pjesët e trupit kanë një lidhje intime me njera-tjetrën”, tha King. “Gjetja e këtyre mjeteve të reja mahnitëse, për të vëzhguar direkt amiloidet, kur pacientët janë ende gjallë, na lejon të vëzhgojmë këto ndërveprime, të cilat ka qenë shumë e vështirë t’i ndaje për t’i vëzhguar”.

Por, nevojiten akoma më shumë kërkime, shtoi ai. Këto studime, sipas tij, duhet të fokusohen tek mënyra se si sëmundjet kronike vaskulare, ndikojnë tek truri dhe sjellin demencën.

Për studimin, kërkuesit përdorën skanime PET (tomografi me emision, lëshim pozicional) për të shqyrtuar zhvillimin e pllakëzave, në trurin e 81 të moshuarve, që nuk vuanin nga demenca.

Ata matën dhe ngurtësinë e arterieve duke marrë parasysh shpejtësinë me të cilën gjaku-n lëviz nëpër to. Ky proces quhet shpejtësia e valës së pulsit.

Në dy vjet, përqindja e pacientëve me pllakëza në tru është rritur nga 48% në 75%. Për më tepër, ekipi i kërkuesve ka zbuluar se zhvillimi i pllakëzave u shoqërua me ngurtësimin e arterieve, po ashtu në rritje.

Dr Sam Gandy, drejtor i Qendrës së Shëndetit Konjuktiv në Spitalin Mount Sinai në Nju Jork Siti, e mirëpriti studimin.

“Një nga problemet më të rëndësishme në çmendurinë klinike është të ndash rolin që luajnë enët e gjakut në gjendjen klinike”, tha Gandy. “Ky është një dokument inovativ që premton të na vërë në një rrugë të bazuar në prova shkencore, për të zbardhur misterin”.

Dr Greg Fonarow, një profesor i mjekësisë dhe shefi i asociuar i Divizionit të Kardiologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, është dakord se demenca dhe ngurtësia arteriale, mund të jenë të lidhura.

“Ka prova në rritje se ngurtësia arteriale luan një rol të rëndësishëm, jo vetëm në sëmundjet kardiovaskulare, por edhe në sëmundjet cerebrovaskulare, funksionet e dëmtuara mendore, si dhe demenca, tek të moshuarit”, tha ai .

Fonarow shtoi se duhen kryer më shumë kërkime në lidhje me marrëdhënien mes tensionit të lartë të gjaku-t, kolesterolit të lartë, sëmundjeve vaskulare, ngurtësisë arteriale dhe zhvillimit të demencës.

King vuri në dukje se dëmtimi i enëve të gjakut në tru, mund të ndryshojë në mënyrë drastike fillimin dhe përparimin e sëmundjes së Alzheimer-it.

“Implikimi i këtij studimi në gjithë panoramën e gjërë që kjo çështje paraqet, është se ne mund të jemi në gjendje të parandalojmë, ose të paktën të vonojmë sëmundjen e Alzheimer-it duke kontrollluar siç duhet, faktorët kardiak të rrezikut”, shtoi King.

Të zvogëlosh faktorët e rrezikut që kanë të bëjnë me zemrën do të thotë të mbash një dietë të shëndetshme, të bësh aktivitet fizik, të ruash peshën normale, të minimizosh stresin dhe të mos pish duhan. Këto veprime mund të ndihmojnë për të mbajtur tensionin e gjaku-t dhe kolesterolin në nivele të sigurta, thonë ekspertët.

King shtoi se mbetet ende shumë për të mësuar për lidhjen mes shëndetit të zemrës dhe shëndetit të trurit. “Ka shumë çështje që mbeten të panjohura, në lidhje me zbulimin se cilat ndryshime në arterie, mund të sjellin sëmundje kronike të trurit. Ne nuk dimë mjaftueshëm për qarkullimin e gjakut në tru”.


Komentoni