Regjistrohu/Kyçu

Mospërmbajtja e feçes tek fëmijët (enkopresa)

Bërja pis e veshjeve të brendshme është një problem tek fëmijët që vjen si rezultat i një kapsllëku kronik. Kjo njihet në mjekësi si enkopresa ose mospërmbajtja e feçes. Bërja pis e veshjeve të brendshme është më shumë e shpeshtë tek fëmijët e moshës 3-7 vjeç, dhe prek më shumë djemtë se sa vajzat.

Përse ndodh enkopresa?

Pothuajse të tërë fëmijët që bëhen pis në të mbathura kanë kapsllëk. Enkopresa zakonisht zhvillohet sepse fëmija në vazhdimësi eviton daljen jashtë për çfarëdo arsyeje.

Kjo mund të jetë për shkak të dhimbjeve kur shkojnë në tualet; sepse ndihen në ankth; seose kërkojnë të luajnë; sepse nuk mund të shkojnë në tualet kur e kanë me urgjencë; sepse tualetet nuk janë të përshtatshme; sepse ata vihen në lojë ose ngacmohen kur shkojnë në tualet.

Ndonjëherë kur një fëmijë ka kapsllëk ka shumë për të nxjerrë jashtë dhe kjo shkakton dhimbje të konsiderueshme. Ndonjëherë kjo mund të shkaktojë plagë të vogla rreth anusit (çarje anale), dhe kjo mund të shkaktojë tek fëmija frikë për të shkuar në tualet.

Me kalimin e kohës, zorra e trashë mbushet me feçe dhe fryhet duke u bërë edhe më e madhe se zakonisht. Kjo gjendje njihet si “megakolonë”. Feçet e formuara zënë njëra-tjetrën.

Sa më shumë të ngjeshen feçet aq më shumë zmadhohet zorra, por kjo bën që stimulimi nervor që i thotë fëmijës për të shkuar në tualet të bëhet më pak i ndjeshëm. Kjo bën që fëmija të mos shkojë në tualet si zakonisht.

Si rezultat, feçet likuide nga zorra e hollë mund të pikojnë në feçet e forta në zorrën e trashë dhe të dalin jashtë. Në fillim duket sikur fëmija nuk arrin të fshijë mirë të pasmet.

Nëse kjo gjendje nuk trajtohet, feçet dalin jashtë nën të mbathura. Në këtë rast feçet janë me erë dhe në ngjyrë të errët.

A është enkopresa një problem sjelljeje?

Fëmijët me enkopresë nuk janë dembelë ose të pistë dhe duhet që të marrin ndihmë mjekësore për të zgjidhur problemin. Nëse kondicioni nuk menaxhohet mund të çojë në zhvillimin e problemeve të sjelljes të shoqëruara me turp dhe siklet.

Si trajtohet enkopresa?

Trajtimi për enkopresën është i ngjashëm me atë që rekomandohet për kapsllëkun:

  • Shkarkim i zorrës së trashë;
  • Stabilizim i daljes jashtë në mënyrë të rregullt; dhe
  • Mbajtje në vazhdimësi e daljes jashtë në mënyrë të rregullt.

Për të zbrazur zorrën e trashë mund të përdoren suposta, klizma dhe doza të larta trajtimi oral. Këto jepen vetëm nën mbikqyrjen e mjekut ose për disa raste edhe në gjendje spitalore.

Të tëra daljet jashtë që ndodhin më pas duhet që të mbahen të buta në mënyrë që ato të dalin rregullisht deri sa zorrët të kthehen në madhësinë e tyre normale. Kjo mund të kërkojë kohë dhe të arrihet nëpërmjet kombinimit të ndryshimit të dietës (shikoni më poshtë), duke patur rezultate të mira edhe me përdorimin e zbutësve që merren çdo ditë, si p.sh. dokuzat ose parafinë likuide. Mosha e fëmijës përcakton zgjedhjen më të mirë.

Laksativët stimulantë si sena, bizakodil ose kripërat e magnezit dhe psiliumi duhet të përdoren vetëm nëse rekomandohen nga mjeku. Kurrë mos i jepni laksativ fëmijës më të vogël se 3 vjeç pa u konsultuar me mjekun.

Çfarë mund të bëni për të ndihmuar?

Kurrë mos e shani fëmijën për të brendshmet e bëra pis si rezultat i daljes së feçeve, sepse veprimi është tërësisht i pavullnetshëm. Mbi të gjitha, përpiquni që të jeni të qetë dhe pozitiv sesa të jeni të nxehur, të zhgënjyer ose të irrituar. Trajtimi mund të kërkojë muaj dhe fëmija ka nevojë për kurajo dhe mbështetje gjatë kësaj kohe. Përpiquni që t’a ktheni gjendjen si të zakonshme duke e shpjeguar atë me terma të thjeshta.

Dieta

Përpiquni që fëmija të ketë dietë me fruta dhe perime të përshtatshme me fibra dhe lëngje (ujë dhe lëngje frutash). Burime të mira për fibrat janë drithërat, orizi me ngjyrë të kafenjtë, krundet, kumbullat e thata dhe buka me nivel të lartë fibrash.

Koha e tualetit

Është shumë e rëndësishme që të respektohet koha e tualetit. Përpiquni që fëmija të fitojë sjelljen e të shkuarit në tualet pas mëngjesit dhe darkës, sepse zorrët tentojnë të kontraktohen pas ngrënies. Ata mund të qëndrojnë ulur në tualet për 5-10 minuta. Shpesh fëmijët nuk shkojnë në tualet kur janë në shkollë, kështu që është e rëndësishme që ky sesion të bëhet sjellje e zakonshme.

Shpërbleni rezultatet e mira

Përpiquni që ta ktheni shkuarjen në tualet në përvojë të mirë për fëmijën. Shpërblejeni suksesin me përqafime dhe çmime. Merrni në konsideratë përdorimin e një tabele me yje, duke shpërblyer fillimisht thjesht uljen në tualet.

Streset

Mund të shqyrtoni nëse ka strese në jetën e fëmijës, si p.sh. ardhja e një bebeje tjetër në familje etj, që mund të kontribuojnë në ankthin e tyre dhe përpiquni që t’i evitoni këto strese ose të merreni me to në një mënyrë apo në një tjetër.

Laksativët

Mund të kërkohet që minimalisht për një periudhë 3-4 mujore dhe maksimalisht për një periudhë 6-12 mujore të përdoren laksativë tek fëmijët e vegjël, por kjo duhet bërë nën monitorimin e mjekut.

Ndihma mjekësore

Konsultohuni me mjekun për ndihmë në lidhje me bërjen pis të të mbathurave nga fëmija juaj. Mjeku është personi më i përshtatshëm për t’ju këshilluar për një program që ndihmon fëmijën dhe për të ndërmarrë veprime mjekësore (si klizmat) ose për të organizuar këshillimin e fëmijës.


Komentoni