Regjistrohu/Kyçu

Grykët: Simptomat dhe trajtimi

Grykët përbëjnë një infeksion të kutisë së zërit (laringut) dhe të kanalit të frymëmarrjes (trakeas), në të cilën rrugët e frymëmarrjes ngushtohen dhe bllokohen pjesërisht. Bllokimi rezulton në kolaps të pjesshëm të rrugëve të frymëmarrjes kur fëmija merr frymë (ngjan zhurma e një pipe kashte) dhe të çon në vështirësi në frymëmarrje dhe në kollë me gulçima të rënda. Është një sëmundje e fëmijëve të vegjël zakonisht deri në 3 vjeç. Nuk është e zakonshme tek fëmijët më të rritur, sepse me rritjen e fëmijëve, madhësia dhe fortësia e kanalit të frymëmarrjes rritet. Fëmijët e vegjël që i kanë kanalet e frymëmarrjes të vogla dhe të buta janë më të prekur.

Çfarë i shkakton grykët?

Grykët shkaktohen zakonisht nga infeksione virale.

Cilat janë simptomat e grykëve?

Grykët fillojnë si një e ftohur e zakonshme. Fëmija mund të ketë pak ethe, fyt të skuqur dhe rrufë. Pas disa ditësh (shpesh fillon natën) zhvillohen gulçima, kollë e fortë, zë i ngjirur e vështirësi në frymëmarrje nga hundët. Kjo mund të zgjasë për disa orë dhe ndalon duke u rikthyer përsëri për të vazhduar disa netë me rradhë. Fëmija juaj mund të ketë vështirësi në frymëmarrje, kryesisht në thithjen e ajrit. Fëmija mund të mërzitet dhe të qajë. E qara dhe mërzitja e përkeqësojnë kollën dhe vështirëson frymëmarrjen. Kolla fillon gjatë natës sepse ajri është më i ftohtë dhe zakonisht zgjat rreth dy orë. Gjendja është më e keqe në ditët e para.

Trajtimi i grykëve

Nëse fëmija ka grykët është e rëndësishme ta dërgoni te mjeku për kontroll. Mjeku mund të japë me recetë një suspension steroid ose steriode të inhaluara edhe nëse grykët nuk janë shumë të acaruara dhe kjo për të parandaluar përkeqësimin e simptomave. Këto ilaçe janë zakonisht efektive, por në situata emergjente të grykëve fëmijët duhet të marrin trajtim spitalor. Në disa raste të grykëve, kur situata mund të kërcënojë jetën, duhet të merrni në telefon urgjencën në mënyrë që fëmija të marrë trajtim emergjent, siç është edhe administrimi i adrenalinës së nebulizuar.

Si mund të ndihmoni fëmijën tuaj

Ju mund të ndihmoni fëmijën tuaj në mënyra të ndryshme:

  • Mbajeni fëmijën në duar ose në veshje të ngrohta dhe jepini atij siguri. Grykët mund ta frikësojnë fëmijën dhe fëmijët që janë të mërzitur kanë nevojë për rehati dhe kuptueshmëri. Mbajtja e fëmijës në qëndrimin pak a shumë drejt (jo të shtrirë me mjekrën në gjoks), mund të ndihmojë në kalimin më të lehtë të ajrit në kanalin e frymëmarrjes;
  • Jepini për të pirë për të ndihmuar fytin e skuqur e të acaruar;
  • Mund të jepet paracetamol nëse fëmija ka dhimbje në fyt ose nëse ka ethe;
  • Ajri i ngrohtë dhe me lagështirë normale thuhet se ndihmon në largimin e sekrecioneve. Megjithatë, ka opinione të ndryshme në këtë çështje dhe nuk ka të dhëna që marrja frymë e ajrit me lagështirë sjell përfitime. Gjithashtu rreziku që fëmija të digjet nga soba dhe uji i nxehtë është real, kështu që ky trajtim nuk rekomandohet nga mjekët. Nëse e përdorni këtë duhet që të qëndroni në banjë dhe të mbani fëmijën në dorë dhe ta lani me copë të ngrohtë, por ju nuk duhet që ta lini fëmijën afër ujit ose sobës ose në vaskën e dushit dhe vetëm në banjë.

Grykët shkaktohen më shumë nga viruset sesa nga bakteret, mjekët nuk japin recetë për antibiotikë për grykët.

Kur duhet ndihmë mjekësore urgjente

Grykët janë sëmundje jo e rëndë, por mund të përkeqësohen shpejt. Merrni ndihmë mjekësore në mënyrë të menjëhershme nëse duket se gjëndja është si më poshtë:

  • Fëmija ka vështirësi në frymëmarrje;
  • Përpjekja për të marrë frymë e lodh fëmijën;
  • Fëmija ka temperaturë të lartë dhe fillon të djersijë;
  • Fëmija nuk mund të gëlltitet;
  • Fëmija fillon e zverdhet ose mavijoset (që zakonisht ndodh pas kollitjeve të forta);
  • Shikoni nëse dërrasa e kraharorit futet brenda;
  • Fëmija lodhet, irritohet e humbet në kllapi;
  • Ju jeni të shqetësuar për arsye të tjera.

Sigurohuni që keni numrin e telefonit të shërbimit pas orarit zyrtar të punës së mjekut. Në disa raste, kur vështirësitë në frymëmarrje rriten mund të kërcënojnë jetën, kontaktoni sherbimin e emergjencave.


Komentoni