Regjistrohu/Kyçu

Kapsllëku tek fëmijët

Kapsllëku është një problem i zakonshëm tek fëmijët, që karakterizohet nga ekzistenca e feçeve të forta, të thata, që janë të vështira për t’u nxjerrë.

Si ta di nësë fëmija ka kapsllëk?

Çështjet e feçeve janë të ndryshme në fëmijë të ndryshëm. Ka fëmijë që kanë disa dalje feçesh në ditë, ndërsa të tjerë një herë në dy ditë. Fakti që fëmijët nuk shkojnë në tualet çdo ditë nuk do të thotë se ata janë kaps. Megjithatë, pavarësisht se sa herë ndodh jashtëqitja, ata nuk duhet të përjetojnë shqetësime.

Disa shenja që tregojnë se fëmija mund të jetë kaps

  • Ankesa për dhimbje abdominale dhe ngërç (spazma barku);
  • Humbje oreksi;
  • Të përziera dhe të vjella;
  • Rënie interesi në aktivitete të zakonshme;
  • Të çara të vogla (plasaritje anale) rreth anusit;
  • Dhimbje gjatë të dalurës jashtë dhe kur feçet janë shumë në volum;
  • Urinim i shpeshtë si pasojë e presionit në fshikëzën e urinës;
  • Ndotje e të mbathurave me feçe likuide.

Çfarë e shkakton kapsllëkun?

Në ndryshim me kapsllëkun tek të rriturit, kapsllëku tek fëmijët është më shumë rezultat i sjelljes se sa çrregullim ushqimor. Shkaku më i zakonshëm i kapsllëkut tek fëmijët është vendimi i tyre për të vonuar shkuarjen në tualet për jashtëqitje. Arsyet mund të jenë:

  • Të paturit e jashtëqitjeve të dhimbshme më parë;
  • Evitimi i tualeteve publike dhe i atyre të shkollës për shkak të mungesës së privatësisë, erës së keqe, mungesës së letrave higjienike ose sepse njerëzit ngacmohen me to;
  • Të qenit në ankth si rezultat i situatave stresuese si ndarja nga prindërit, lindja e vëllait ose motrës ose divorci në familje.

Kapsllëku mund të përkeqësohet edhe për shkak të mungesës së fibrave dhe lëngjeve në dietë dhe mungesës së ushtrimeve fizike. Ai mund të vijë edhe si rezultat i sëmundjeve infektive ose ilaçeve si kodeina. Në shumë pak raste kapsllëku mund të indikojë edhe ndonjë çrregullim tjetër si p.sh. sëmundjen e Hirschsprung-ut (një kondicion serioz i fëmijëve që shkaktohet nga mungesa e qelizave nervore në muret e zorrëve), anormalitetet e anusit ose helmimin nga plumbi.

Çfarë mund të bëni për të parandaluar kapsllëkun tek fëmija juaj?

Ju mund të ndihmoni në lehtësimin e kapsllëkut tek fëmijët duke bërë ndryshime në dietën e tyre dhe duke i inkurajuar ata që të ndryshojnë sjelljet që nxisin kapsllëkun.

Përpiquni që të shtoni më shumë fibra në dietën e tyre, duke rritur gradualisht sasinë e frutave, perimeve dhe drithërave që ata hanë. Mos e rrisni sasinë e fibrave në sasi shumë të mëdha sepse kjo mund të sjellë gazra dhe fryrje.

Ju ndoshta do të doni që t’i jepni fëmijës komposto kumbullash të thata. Komposto e kumbullave përmban sheqerna komplekse që nuk mund të absorbohen nga zorrët dhe që ndihmojnë në mbajtjen e ujit në zorrë, duke i mbajtur feçet e buta.

Jepini fëmijës lëngje të pastra, si ujë, edhe pse kërkimet sugjerojnë që kjo nuk është aq e rëndësishme krahasuar me rritjen e sasisë së fibrave në ushqim.

Nëse është e mundur mësojeni fëmijën me sjelljen e të shkuarit në tualet sa më shpejt kur ai ka nevojë të dalë jashtë. Edhe çuarja e fëmijës në tualet pas ngrënies mund të ndihmojë, kryesisht pas mëngjesit e pas darkës, sepse në këtë mënyrë mund të përfitohet nga avantazhi i kontraktimeve intestinale natyrale që ndodhin pas ngrënies. Kjo është një mënyrë e mirë për të inkurajuar fëmijët me kapsllëk që nuk e kanë ndjenjën e daljes jashtë.

Përpiquni që të shpërbleni fëmijën për qëndrimin në tualet dhe për çdo dalje jashtë të suksesshme duke bërë një tabelë me yje. Mos e ndëshkoni fëmijën për faktin se nuk del jashtë.

Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

Ndonjëherë mund të duhet edhe ndihmë për të boshatisur zorrët. Sapo gjendja bëhet kronike, është e nevojshme të përdoren laksativët. Shumë nga laksativët e përdorur për trajtimin e kapsllëkut kronik tek fëmijët funksionojnë duke mbajtur ujin në zorrë. Kjo i bën feçet më të buta dhe të afta që të lëvizin shpejt nëpër zorrën e trashë.

Megjithatë në raste serioze, fëmija mund të ketë nevojë për suposta ose klizma. Këto administrohen nëpërmjet anusit. Klizmat funksionojnë duke futur lëngje në rektum që zbutin feçet dhe mbledhin rektumin, duke bërë që fëmija të ketë nevojë urgjente për të shkuar në tualet. Supostet funksionojnë duke irrituar zorrën e poshtme që shtrëngohet.

Sapo zorra e trashë boshatiset, fëmija ka nevojë për laksativë që zorra e trashë të kthehet në normalitet. Kjo mund të kërkojë 3-12 muaj. Flisni me mjekun nëse keni shqetësime se fëmija mund të vuajë nga kapsllëku anormal.


Komentoni