Regjistrohu/Kyçu

Veshët: Si të kujdesemi për veshët tanë

Veshi është një mekanizëm ndjesor delikat, që sjell informacion të rëndësishëm rreth mjedisit të jashtëm në tru. Veshët duhet të mbrohen nga dëmtimet dhe për ta duhet treguar kujdes.

Pastrimi i veshëve

Veshët prodhojnë dyllë (që quhet cerumen) për vetëmbrojtje. Dylli dhe qimet e holla brenda kanalit të veshit, parandalojnë objektet e vogla që të hyjnë brenda veshit.

Veshi ka një mekanizëm që pastrohet vetë. Ka një lëvizje natyrale të lëkurës së vjetër, dyllit dhe papastërtive që dalin jashtë përgjatë kanalit të veshit. Kjo do të thotë që ajo që duhet të bëni është vetëm pastrimi i veshëve për të hequr papastërtitë rreth vrimës së veshit, me një copë të thatë në mënyrë të rregullt.

Nëse prodhohet më shumë dyllë dhe bllokon kanalin e veshit, pika speciale që mund të rekomandohen nga mjeku specialist, mund të hollojnë dyllin. Ndonjëherë, edhe vizitat tek mjeku, mund të jenë të nevojshme në mënyrë që të lëvizen në mënyrë fizike papastërtitë që bllokojnë veshin.

Fjala e urtë që thotë se kurrë nuk duhet të futni në vesh një gjë që është më e vogël se një bërryl, është e vërtetë. Kjo sepse vendosja e çdo gjëje në vesh, ka potencialin që të shkaktojë dëm.

Megjithatë, nëse diçka hyn në vesh, kërkoni ndihmën e ekspertit për ta hequr atë. Ju, prindërit ose miqtë, nuk duhet që të tentoni për ta hequr atë. Rregulli kryesor është që të mos vendosni asgjë rreth veshit. Nëse ka ndonjë problem, kërkoni këshilla profesionale.

Mbrojtja e veshëve tuaj

Zhurma

Zhurma është një vibrim që shkakton përgjigje në veshin e njeriut. Duke folur në mënyrë shkencore, zhurmat dhe zërat janë e njëjta gjë. Ajo që është zhurmë për një person, është simfoni për tjetrin.

Ekspozimi i rastësishëm në zhurmë të lartë mund të dëmtojë mekanizmin delikat të veshit. Në një kohë të shkurtër, ju mund të zhvilloni humbje të përkohshme të dëgjimit, që mund të bëhet e përhershme, për shkak të ekspozimit për një kohë të gjatë në zhurmë. Ju mund të dëmtoni veshin, nëse zhurma është shumë e madhe aq sa nuk mund të dëgjoni dikë, që është sa një krah i zgjatur larg nga ju, ose kur nuk dëgjoni ose veshët tuaj bëjnë zhurmë, pas një situate me zhurmë apo pas një koncerti.

Veprimi më i mirë për të ndërmarrë nëse jeni ekspozuar në zhurmë të lehtë, është që të largoni veten nga zhurma. Përdorimi i mbuluesve të veshëve, nuk është zgjidhja më e mirë, ndonëse ato mund të reduktojnë rrezikun e dëmtimit nga humbja e dëgjimit. Nëse mbani mbrojtëse veshësh, sigurohuni që të ndiqni instruksionet me kujdes, për të pasur mbrojtjen më të mirë të mundshëm.

Burime zhurme mund të jenë:

  • Fabrikat mekanike ose makineritë;
  • Pajisjet energjike;
  • Mjetet lëvizëse;
  • Burimet e kompresimit të ajrit;
  • Muzika me zë të lartë në koncerte ose aktivitete kënaqësie;
  • Pajisjet personale të muzikës (si walkman);
  • E shtëna me pushkë; dhe
  • Motorët.

Uji

Nëse keni infeksione apo probleme në tubat e veshëve, zënie veshi apo diçka të tillë, duhet që të mos e lagni veshin me ujë, madje edhe kur bëni not ose dush. Mjeku do t’ju këshillojë sesi të mbroheni. Nëse jeni në dyshim, flisni me mjekun.

Ilaçet dhe kimikatet

Dëgjimi mund të dëmtohet edhe nga ilaçet toksike dhe nga disa kimikate.

Disa mjekime kanë potencialin që të dëmtojnë dëgjimin, nëse përdoren me shumicë ose për një kohë të gjatë, në doza të mëdha. Tregojini mjekut menjëherë, nëse merrni ilaçe me recetë dhe ndjeni zhurmë tek veshët.

Nëse përdorni kimikate në punë dhe njëkohësisht në shtëpi, është mirë që të harxhoni pak kohë për të studiuar materialin, me të dhënat e sigurisë që jepen së bashku me kimikatin. Disa kimikate, ndërthuren me zhurmat, për të përkeqësuar efektet e tyre.

Infeksioni i veshit

Infeksioni i veshit është shumë i zakonshëm tek të rinjtë dhe mund të shkaktojë dhimbje.

Veshi i jashtëm mund të marrë lehtë infeksione gjatë notit, kryesisht në ujë të papastër, ndërsa veshi i mesëm mund të infektohet si rezultat i infeksioneve të traktit të sipërm ose të ftohtit dhe rrufës. Infeksionet e veshit të mesëm, mund të shkaktojnë humbje të përkohshme dëgjimi.

Nëse keni ndonjë shenjë të infeksionit në ose përreth veshit, mos u përpiqni që ta trajtoni vetë. Takoni mjekun.

Sëmundjet

Ka shumë sëmundje, që mund të rezultojnë në humbjen e dëgjimit, si fruthi, shytat, rubeola, meningjiti dhe ndonjëherë edhe raste të këqija të të ftohurit.

Nëse rubeola merret në tre muajt e parë të shtatzënisë, bebja e palindur ka 90% mundësi që të lindë me humbje të dëgjimit (dhe shumë komplikime të tjera). Për këtë arsye, është shumë i rëndësishëm imunizimi nga rubeola.

Trauma

Disa dëmtime fizike kanë potencialin që të shkaktojnë humbje dëgjimi, si goditje në kokë duke luajtur futboll, dëmtime të qafës në aksidente rrugore, ose dëmtime të daulles së veshit në veprimtari të ndryshme, etj.

Testet e dëgjimit

Nëse jeni të shqetësuar në lidhje me dëgjimin, diskutoni shqetësimet me mjekun e familjes, ose kërkoni këshilla nga profesionistët e veshëve si nga një audiologjist, që mund të arrijë të kuptojë nivelin tuaj të dëgjimit dhe të ofrojë këshilla.


Komentoni